Plani edukativ individual

Hartimi dhe zbatimi i Planit të Personalizuar, PEI

Plani edukativ individual është një dokument i shkruar i përgatitur për një nxënës i cili specifikon qëllimet mësimore që duhet të arrihen nga nxënësi gjatë një periudhe të caktuar kohore.

Hartimi i Planit të Personalizuar (PEI)


Këto janë udhëzime të qarta mbi të gjithë hapat e nevojshëm në hartimin e një PEI. Si ndërtohet PEI dhe si bashkëpunojnë të gjithë personat përgjegjës në këtë proces. Plani edukativ individual është një dokument i shkruar i përgatitur për një nxënës i cili specifikon qëllimet mësimore që duhet të arrihen nga nxënësi gjatë një periudhe të caktuar kohore, si dhe strategjitë e mësimdhënies, burimet dhe ndihmën e nevojshme për të arritur këto qëllime. 


Edhe pse shihet si mjet a produkt, plani edukativ individual është më shumë një proces, e është cilësia e këtij procesi të hartimit të tij që përcakton cilësinë dhe efektivitetin e planit. Ai ndërtohet falë bashkëpunimit mes shkollës, prindërve, nxënësit (kur është e mundur) dhe shërbimeve, agjencive dhe profesionistëve të tjerë jashtë shkollës. Plani thekson aspektet e programit mësimor të nevojshme për përshtatje dhe modifikim e fokusohet në nevojat më parësore mësimore të nxënësit, edhe pse ai mund të ketë edhe nevoja të tjera në të nxënë që nuk do të marrin kaq prioritet në planifikim dhe monitorim. 


Në të përshkruhen hapat që merren për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, që vijnë si rezultat i aftësive të kufizuara që kanë fëmijët e i ndihmon ata në mënyrë të posaçme të arrijnë objektivat akademike dhe shoqërore. Në plan nuk modifikohen të gjitha aspektet e kurrikulës apo nevojave të tjera në jetën e shkollës, por vetëm ato fusha të nevojave të identifikuara si të para, nga vlerësimi i fëmijës. Përshtatja dhe ndihma e dhënë do të jetë në varësi të nevojave mësimore të çdo nxënësi. Jo çdo nxënës me aftësi të kufizuara mund të ketë nevojë për një plan të tillë. Ndërsa të tjerë mund të kenë nevojë për modifikime të ndjeshme mësimore.


Sipas DN-ve drejtori i institucionit shkollor është personi përgjegjës për përgatitjen dhe vënien në jetë të planit të edukimit individual, për çdo nxënës me aftësi të kufizuar në shkollën e tij. Ai duhet që të lehtësojë dhe të përfshijë pjesëmarrjen e prindërve në të gjithë procesin e hartimit dhe zbatimit të PEI-t dhe u jep një kopje të këtij plani edhe prindërve.


Procesi i hartimit të PEI-t përfshin disa hapa që nga mbledhja e informacionit fillestar për të identifikuar nevojat arsimore dhe pikat e forta të fëmijës, deri në përcaktimin e objektivave dhe synimeve për mësim. Këta hapa ndiqen nga zbatimi dhe ndërhyrjet e duhura gjatë periudhës mësimore. Në fund të periudhës së përcaktuar gjatë të cilës vihet në zbatim PEI, rishikohet edhe progresi i bërë.


Pse duhet PEI?

Kërkesa për zyrtarizimin e PEI-t është një element i rëndësishëm i DN-ve i detyrueshëm tashmë për çdo shkollë, si publike edhe jo publike. Një plan edukimi i individualizuar:


- I jep mundësinë nxënësit të ketë progres në një nivel që përputhet me aftësitë e tij.

- Inkurajon dhe përfshin bashkëpunim mes të gjithë partnerëve.

- Fokuson strategjitë e mësimdhënies.

- Kontribuon në të kuptuarin e njëjtë nga ana e të gjithë pjesëtarëve të stafit mësimor për aftësitë, interesat dhe nevojat e fëmijës me aftësi të kufizuara.

- Lehtëson identifikimin e prioriteteve në programim dhe planifikim përgjatë gjithë fushave dhe lëndëve mësimore, duke i lejuar mësuesit të kenë qëllim e objektiva të njëjtë.

- Siguron që të mbahet shënim, e gjithë puna e bërë.

- Përfshin prindërit dhe vetë nxënësit në procesin e ndërtimit të tij dhe siguron se plani është realist e i arritshëm.

- Motivon nxënësit e i bën të qartë se çfarë pritet prej tyre.

- Qartëson pritshmëritë e stafit pedagogjik dhe të profesionistëve të tjerë brenda dhe jashtë shkollës.

- Mundëson vazhdimësi të punës kur nxënësi transferohet nga një vend në tjetrin


PEI është dokument që përcakton:

• Objektivat që të mund të realizohen nga fëmija me aftësi të kufizuara.

• Ndihmon mësuesin/en të planifikojë përparimin akademik dhe zhvillimin e fëmijës.

• I krijon mundësi mësuesit/es të monitorojë efektivitetin e nxënies dhe të mësimdhënies.

• I ofron specialistëve një mjet për monitorimin, rishikimin dhe vlerësimin e efektivitetit të shërbimit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara.


Çfarë përmban PEI?

PEI është një plan I dokumentuar që hartohet për nxënësin me aftësi të kufizuara që përshkruan objektivat individual, përshtatjet dhe modifikimet e nevojshme, shërbimet që duhen marrë nga nxënësi si dhe masat për arritjen e këtyre objektivave. PEI duhet të përmbajë:


Informacion personal:

Emri, datëlindja, klasa, kushte specifike (nëse ka).

Anëtarët e grupit përgjegjës për PEI - Emrat dhe pozicionet e anëtarëve të ekipit drejtues ose të shërbimit psikologjik me përgjegjësinë e koordinimit, specialist (ët) në ndihmë të mësimit, mësues (it) kujdestar dhe të lëndëve, çdo anëtar stafi (si mësues i jashtëm) i shkollës, psikolog, prind.

Nevoja arsimore të veçanta: Përmbledhje e nevojave të tashme arsimore të veçanta.

Aftësitë dhe zotësitë: Përmbledhje e aftësive dhe zotësive, që tregojnë se si mund të përdoren ato në ndihmë të kapërcimit të vështirësive.

Qëllimet: Thënie të shprehura qartë dhe shkurt për qëllimet arsimore, në lidhje me kurrikulën dhe përfshirjen e aspekteve arsimore, të zhvillimit shoqëror e personal të terapive.

Objektiva afatshkurtër dhe afatgjatë: Renditje e objektivave që do të realizohen duke shënuar treguesit e shkallës kohore, metodat në nxënie e mësimdhënie, vlerësimi dhe evidentimi, stafi i përfshirë, burimet, mjediset e mësimit, përfshirja e prindërve (mënyra se sa dhe si këto objektiva do të plotësojnë boshllëqet në lëndë të caktuara varet nga aftësitë e fëmijës, nga programi i përgjithshëm i klasës, nga standardet e arritjeve për çdo lëndë, nga nevojat arsimore të fëmijës, si dhe nga kërkesa e prindërve).

Dokumentet e duhura: Është e përshtatshme të bashkangjiten evidenca të tjera, si: raport nga specialistët apo punonjësit e tjerë që kanë punuar më parë me fëmijën (terapistët dhe mësuesit e klasës), veçanërisht nëse janë dhënë udhëzime; shënime të mbledhjeve; raport për të vënë në dijeni prindërit; evidenca vlerësimi.

Vlerësimi: Deklarata vlerësimi të shkurtra mbi ecurinë e nxënësve dhe për efektivitetin e shërbimit të kryer.


Objektivat që duhet të përcaktohen në një PEI.


Objektivat afatgjatë:

• Zakonisht duhet të jenë të realizueshme brenda një semestri/viti shkollor.

• Do të arrihen nëpërmjet një numri objektivash afatshkurtër.


Shembuj:

a) Lexim – përfundoni nivelin A.

b) Matematikë - përmbushni kërkesat standarde të klasës së 5-të


Objektivat afatshkurtër:

• Duhet të përmbushen në 6-8 javë/një semestër.

• Duhet të monitorohen gjatë gjithë vitit.


Shembuj:

• Shkrim – të shkruajë një fjali duke përdorur germën e shtypit dhe pikën.

• Matematikë – të rrumbullakosë një numër me dy shifra që është më afër 10-tës.


Në dokument duhet të përcaktohet edhe metoda dhe formati për të vlerësuar rezultatet që janë përftuar te fëmija, si rrjedhojë e zbatimit të PEI-it dhe, gjithashtu, të bëhet analiza e elementëve përbërës të PEI-it që është monitoruar. Këto mund të realizohen, nëpërmjet, testeve të ndryshme, provave për objektivat kryesore në lëndë të caktuara.

Në mënyrë të përmbledhur një PEI duhet të përmbajë.


  Aftësitë e fëmijës, mundësitë e tij     PEI    
  Vështirësitë   Objektivat në varësi të fushave, lëndëve   Koha e realizimit   Përcaktimi i mënyrës se si do të maten  
  Burimet që do të shfrytëzohen.     Nën-objektivat   Koha e realizimit   Krahasimi i rezultateve nga një testim te tjetri.


Cilat janë hapat kryesorë në ndërtimin e PEI-t


Hapi i parë: Referimi në Komisionin e Vlerësimit pranë DAR/it

Prindi, drejtori i shkollës ose persona të tjerë të autorizuar në DN, dërgojnë pranë DAR/it një kërkesë për vlerësim të nevojave të fëmijës. Kjo kërkesë tregon se personat e mësipërm besojnë se fëmija mund të ketë aftësi të kufizuar që mund të ndikojë performancën mësimore. Pëlqimi i prindërve duhet të merret para se të bëhet vlerësimi i fëmijës. Vlerësimi duhet të përfundoj brenda një kohe të arsyeshme pas marrjes së pëlqimit të prindërve.


Në këtë kërkesë prindi dhe/ose drejtori përshkruajnë arsyen specifike të referimit, duke e mbështetur këtë arsyetim me informacionin e marrë paraprakisht nga testime, vëzhgime a informacion tjetër të mbledhur nga vetë stafi i shkollës. Në të përfshihen gjithashtu se si kjo aftësi e kufizuar e dyshuar po ndikon në pjesëmarrjen e fëmijës në kurrikul dhe aktivitete si dhe përpjekjet e pasuksesshme të bëra për ta ndihmuar fëmijën.


Hapi i dytë: Vlerësimi i nxënësit nga Komisioni i Vlerësimit pranë DAR-it

Komisioni multidisiplinar i vlerësimit në DAR kryen vlerësimin me anë të analizës funksionale dhe ndërton profilin dinamik të nxënësit. Në procesin e vlerësimit, anëtarët e komisionit mbledhin me detaje informacione mbi gjendjen funksionale, zhvillimore dhe akademike të nxënësit duke përdorur një sërë teknikash dhe testesh, e më pas përcakton nëse fëmija ka aftësi të kufizuar, gjë të cilën e pasqyron edhe në raportin e tij. Në bazë të këtij vlerësimi komisioni në nivel DAR/i jep udhëzimet e nevojshme për hartimin e PEI/t. Rezultatet e vlerësimit do të përdoren për të vendosur për programin arsimor që i përshtatet më së miri fëmijës.


Hapi i tretë: Fitimi i të drejtës për marrjen e shërbimeve

Nëse vendoset që fëmija është “fëmijë me nevoja të veçanta”, ai/ajo fiton të drejtën për arsimim special dhe shërbime tjera. Kur fëmija fiton këtë të drejtë, ekipi i PEI-t duhet të takohet për të shkruar PEI-n.


Hapi i katërt: Hartimi i PEI-t

Komisioni i shkollës i ngritur me qëllim hartimin e PEI-t, në bazë të vlerësimit dhe udhëzimit të dhënë nga DAR-i harton PEI-n. Prindërit dhe nxënësi (kur është e përshtatshme) janë pjesë e ekipit. Takimi për ta shkruar PEI-n duhet të mbahet brenda 30 ditësh kalendarike, pas marrjes së vendimit, se fëmija ka nevojë për arsimim special dhe shërbime të tjera.


Hapi i pestë: Zbatimi i PEI-t

Të gjithë personat përgjegjës për zbatimin e PEI-t duke përfshirë edhe prindërit pajisen me një kopje të tij në mënyrë që të njohin përgjegjësitë e veta në plan. Pjesëtarë të komisionit takohen peridikisht për të parë ecurinë e zbatimit të PEI-t.


Hapi i gjashtë: Rishikimi i PEI-t

Komisioni i shkollës vlerëson se sa janë arritur objektivat e PEI-t në fund të çdo viti shkollor. Në bazë të arritjeve ai bën rishikimin dhe përshtatjen e këtyre objektivave. Nëse ekipi i PEI-t e sheh të nevojshme mund të bëjë rishikim të objektivave të PEI-t edhe më herët e më shpesh. Nëse do të jetë e nevojshme PEI mund të ndryshohet. Prindërit të cilët janë të ftuar në të gjitha takimet mund të japin sugjerime dhe ide në rishikimin e PEI-t.


Hapi i shtatë: Rivlerësimi i fëmijës me aftësi të kufizuara

Komisioni i vlerësimit duhet të rivlerësojë fëmijën në përfundim të çdo cikli shkollor. Rivlerësime mund të kryhen edhe më herët me kërkesë të prindit dhe komisionit të shkollës.


(Referencë: materiale të ndryshme të publikuara nga IZHA)


(Portali Shkollor)

30,910 Lexime
6 vjet më parë