Kujdesi për dhëmbët

Higjiena orale te fëmijët, vizitat te dentisti duhet të fillojnë që në moshën 2 vjeç e gjysmë

Vizitat tek dentisti duhet të nisin që në moshën 2.5 vjeçare. Bëni takime periodike qoftë dhe për t'u prezantuar me dentistin dhe shpërblejini fëmijët duke i stimuluar që të largojnë frikën. Parandalimi mbetet kura më e mirë. Artikull me këshilla nga Dr. Eldona Sipri.

Prindër është më se e rëndësishme që fëmijët tuaj vizitat tek dentisti ti nisin që në vogëli.

Harrojini tabutë dhe historitë familjare tuajat, kohët kanë ndryshuar dhe gjendja e dhëmbëve tek fëmijët po ashtu.


  1. Vizitat tek dentisti duhet të nisin që në moshën 2.5 vjeçare në mënyrë që fëmijët të ambientohen me dentistin dhe të largojnë frikërat. (Ju lutem shmangni fjalinë, "ha të lutem se do të bëj gjilpërë"). 
  2. Filloni t’u mësoni atyre rutinën e higjienës orale: larja e dhëmbëve në mëngjes dhe në darkë dhe pasi të kemi ngrënë ëmbëlsira.
  3. Nisni avash avash t’i tregoni fëmijëve që si pasojë e konsumimit të shumë çokollatave apo ëmbëlsirave dhe patatinave, dhëmbin e ka ngacmuar pak “krimbi” e ju duhet të kërkoni ndihmën e dentistit për ta larguar nga goja.
  4. Dhëmbët e parë ose të qumështit do të jenë prezent në gojë deri në moshën 13 vjeçare andaj kujdesi do të mbajë larg dëmtimin e parakohshëm. 
  5. Bëni takime periodike qoftë dhe për t'u prezantuar me dentistin dhe shpërblejini fëmijët duke i stimuluar që të largojnë frikën.
  6. Me vajtjen rregullisht tek dentisti ne do të zbulojmë kavitete e kështu do të parandalojmë dëmtimin e mëtejshme të strukturave dhëmbore.
  7. Në moshën 6 vjeçare në gojë shfaqen 6-tat (dhëmballët e para të përhershme), të cilat luajnë rol kyç në rreshtimin e dhëmbëve në gojë. E rëndësishme mos ngatërrohen me dhëmbët e qumështit, të mbahen nën kontroll. Pikërisht në këtë moshë fëmija duhet të nisë dhe vizitat me specialistë të fushës në drejtimin e dhëmbëve, siç është Ortodoncia për të parë zhvillimin e nofullave, vendosjen e dhëmbëve të rinj dhe si do vijojë ecuria e mëtejshme. Parandalimi mbetet kura më e mirë.




Nga Dr. Eldona Sipri

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

600 Lexime
3 muaj më parë