Intervistë me Melisë Sejdiu, studenten nga Kosova që fitoi bursë të plotë në Universitetin e Pittsburghut në SHBA
Studentja kosovare Melisë Sejdiu rrëfen për Portalin Shkollor rrugëtimin drejt bursës së plotë në Universitetin e Pittsburghut në SHBA. Një histori suksesi, sakrifice, pune dhe këmbënguljeje, që frymëzon të rinjtë të besojnë më shumë te vetja dhe ëndrrat e tyre.
Ka histori që nuk kanë nevojë për shumë zhurmë për të lënë gjurmë. Mjafton përkushtimi, puna e heshtur dhe besimi se ëndrrat nuk janë aq larg sa duken. Kjo është historia e Melisë Sejdiut, vajzës nga Kosova që arriti të fitojë bursë të plotë në Universitetin e Pittsburghut në SHBA, një nga universitetet më prestigjioze amerikane.
Siç ajo na rrëfen për Portalin Shkollor, pas këtij suksesi qëndrojnë vite të tëra pune, net pa gjumë, sakrifica, gara ndërkombëtare dhe një këmbëngulje që nuk është dorëzuar as në momentet më të lodhshme. Në këtë intervistë, Melisa flet për emocionin e pranimit në universitetin amerikan, eksperiencën që bëri jehonë në “Vis Moot”, mbështetjen e familjes, sfidat e rrugëtimit të saj dhe mesazhin që ka për të rinjtë që shpesh hezitojnë të besojnë tek vetja.
Intervista e plotë më poshtë.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
Melisë, fillimisht dua të të them shumë urime! :) Si e përjetove momentin kur more vesh që ishe pranuar në Universitetin e Pittsburghut me bursë të plotë?
Faleminderit shumë! Ka qenë një moment shumë emocionues dhe njëkohësisht diçka që më ka bërë jashtëzakonisht krenare. Universiteti i Pittsburghut është një institucion me reputacion të jashtëzakonshëm dhe fakti që aty kanë studiuar persona që kanë pasur ndikim të madh në rrugëtimin tim akademik dhe profesional e bëri këtë moment edhe më domethënës për mua. Ishte një ndjenjë shumë e bukur ta shihja gjithë punën dhe përkushtimin e viteve të fundit të shpërblehej në këtë mënyrë.
Kur e sheh sot gjithë këtë rrugëtim dhe arritjet që ke prekur, a të dukej ndonjëherë vetja në një pikë kaq të rëndësishme të jetës tënde?
Gjithmonë kam vendosur qëllime për veten dhe kam punuar shumë për t’i arritur ato. Nuk e kam imagjinuar saktësisht këtë moment, por gjithmonë kam besuar që me punë dhe përkushtim mund të arrish më larg sesa mendon.
Çfarë ka qenë gjëja më e vështirë për ty gjatë gjithë kësaj rruge? Ka pasur momente kur je ndier e lodhur apo ke dashur të heqësh dorë?
Pjesa më e vështirë ka qenë balancimi i të gjitha gjërave, studimeve, garave, aplikimeve dhe jetës personale. Ka pasur periudha shumë intensive dhe momente lodhjeje, por mendoj që pikërisht ato të ndihmojnë të rritesh dhe të kuptosh sa shumë mund të përballosh.
Suksesi në “Vis Moot” ishte një nga momentet që bëri shumë bujë. Si e kujton sot atë eksperiencë dhe emocionet që përjetove kur Kosova u rendit ndër më të mirat në botë?
“Vis Moot” ka qenë një nga eksperiencat më të bukura dhe më sfiduese që kam përjetuar. Ishte emocion i jashtëzakonshëm të përfaqësojmë Kosovën dhe ta shohim emrin e vendit tonë mes universiteteve më të mira në botë. Një pjesë shumë e rëndësishme e asaj eksperience ka qenë edhe ekipi im, me të cilit kemi kaluar muaj të tërë duke punuar bashkë intensivisht dhe kemi krijuar një mbështetje shumë të fortë mes vete. Përtej rezultatit, ajo eksperiencë më ka mësuar shumë profesionalisht dhe personalisht.
Çfarë mendon se të ka dalluar ty në gjithë këtë rrugëtim? Çfarë ke bërë ndryshe?
Besoj që ajo që më ka ndihmuar më së shumti gjatë këtij rrugëtimi ka qenë konsistenca dhe fakti që i kam marrë seriozisht gjërat që kam bërë dhe i kam bërë me përkushtim. Thjeshtë kam qenë shumë këmbëngulëse dhe e përqendruar në atë që kam dashur të arrij.
Shumë të rinj ëndërrojnë universitete prestigjioze jashtë vendit, por shpesh mendojnë se është diçka shumë larg tyre. Ti, si një vajzë nga Kosova që ia dole, çfarë do t’u thoje?
Do t’u thoja që mos ta vendosin vetë kufirin për ëndrrat e tyre. Shpesh mendojmë se universitetet prestigjioze janë larg nesh, por talenti dhe potenciali ekzistojnë edhe tek të rinjtë tanë. Duhet vetëm guxim për të provuar dhe shumë punë për ta mbështetur atë guxim.
Sa punë ka pas kësaj arritjeje që njerëzit ndoshta nuk e shohin?
Ka pasur shumë punë dhe angazhim gjatë gjithë kësaj periudhe, por njëkohësisht ka qenë diçka që e kam shijuar shumë. Fusha që kam zgjedhur më ka motivuar vazhdimisht të mësoj më shumë dhe kjo e ka bërë gjithë procesin shumë më të bukur, pavarësisht intensitetit.
A ke sakrifikuar gjëra nga jeta jote personale për të arritur deri këtu?
Po, veçanërisht gjatë periudhës së “Vis Moot”. Me ekipin kalonim pothuajse çdo ditë me orë të tëra në Fakultetin Juridik duke ushtruar, përgatitur argumente dhe simuluar seanca. Ka qenë një periudhë shumë intensive, por njëkohësisht edhe një nga eksperiencat më të vlefshme që kam pasur deri tani, kështu që pa dyshim ka vlejtur. Është gjithashtu shumë domethënëse të shoh që ky përkushtim i përbashkët është reflektuar edhe në arritjet individuale më pas, përfshirë edhe një anëtare të ekipit që ka fituar këtë bursë.
Kush ka qenë personi që të ka mbështetur më shumë në momentet më të vështira?
Familja ime ka qenë mbështetja ime më e madhe në momentet më të vështira. Kam qenë shumë me fat që gjatë gjithë rrugëtimit kam pasur mbështetje të fortë edhe nga shoqëria ime, profesorët dhe mentorët e mi.
Si duket një ditë normale e Melisës? Je nga ato vajzat super të organizuara apo punon më shumë nën presion?
Mundohem të jem sa më e organizuar, sepse balancimi i studimeve dhe angazhimeve të tjera e kërkon këtë. Një ditë normale zakonisht përfshin studim, takime, punë në projekte dhe kohë të planifikuar mirë gjatë ditës.
Çfarë të motivon më shumë për të vazhduar gjithmonë përpara?
Më motivon ideja që gjithmonë mund të bëhem version më i mirë i vetes. Gjithashtu, më motivon fakti që puna e sotme mund të hapë dyer jo vetëm për mua, por ndoshta edhe të frymëzojë dikë tjetër.
Ateherë, çfarë do të thotë për ty fakti që sot po bëhesh frymëzim për shumë vajza dhe djem që duan të ndjekin të njëjtën rrugë?
Është një ndjenjë shumë e veçantë dhe për të cilën jam shumë mirënjohëse. Nëse rrugëtimi im mund të motivojë qoftë edhe pak dikë tjetër që të aplikojë, të provojë apo të besojë më shumë në mundësitë e veta, atëherë kjo ka shumë vlerë për mua.
A mendon se të rinjtë tanë ndonjëherë e nënvlerësojnë veten dhe potencialin që kanë?
Mendoj që të rinjtë tanë kanë shumë potencial dhe kjo po dëshmohet vazhdimisht në fusha të ndryshme si akademia, sporti, arti dhe teknologjia. Shumë prej tyre po arrijnë suksese edhe në nivel ndërkombëtar, gjë që tregon qartë aftësitë dhe përkushtimin që kanë. Në përgjithësi, shoh një brez shumë të motivuar dhe ambicioz.
Çfarë pret nga kjo eksperiencë e re në Amerikë, jo vetëm profesionalisht, por edhe si Melisë?
Pres të rritem shumë, jo vetëm akademikisht dhe profesionalisht, por edhe si person. Të jetuarit në një ambient të ri me njerëz nga kultura të ndryshme e zgjeron mënyrën si mendon dhe si e sheh botën.
Në fund, nëse do t’i flisje sot vetes tënde disa vite më parë, çfarë do t’i thoje?
Do t’i thoja vetes sime të vogël të vazhdojë të punojë drejtë qëllimeve, dhe njëkohësisht të shijojë çdo moment gjatë rrugës.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ditari im "i pashkruar": Për sfidat dhe buzëqeshjet që na mbushin ditën!
Alma Dema: 7 Marsi mes mirënjohjes dhe konsumizmit
"Ju më mësuat të dua librin", rrëfimi prekës i mësueses Yllka Talo pas takimit me ish-nxënësin