Intervistë me mësuesen Erviola Ndreko Konomi, për projektin fitues të vendit të parë në Festivalin Kombëtar të Shkencës

Në Festivalin Kombëtar të Shkencës, projekti “Parku Inteligjent i Bletëve” nga gjimnazi “Zhani Ciko” në Patos fitoi vendin e parë. Portali ynë realizoi një intervistë me mësuesen Erviola Ndreko Konomi mbi këtë sukses STEM që ndërthur shkencën, teknologjinë dhe mjedisin.

Në një kohë kur arsimi po përballet gjithnjë e më shumë me sfidën e kalimit nga teoria drejt praktikës, një histori suksesi vjen nga një projekt që ndërthur shkencën, teknologjinë dhe ndërgjegjësimin mjedisor në mënyrë inovative. Në edicionin e parë të Festivalit Kombëtar të Shkencës, ku morën pjesë mbi 300 gjimnaze dhe rreth 6 mijë nxënës nga e gjithë Shqipëria, vendi i parë iu dha projektit “Parku Inteligjent i Bletëve”, i realizuar nga nxënësit e shkollës “Zhani Ciko” në Patos, nën udhëheqjen e mësueses Erviola Ndreko Konomi.


Ky projekt, i vlerësuar si një model i integruar STEM, edukimi mjedisor dhe inovacioni teknologjik, u bë pjesë e vëmendjes kombëtare në një aktivitet ku morën pjesë edhe Kryeministri i vendit dhe Ministrja e Arsimit, të cilët vlerësuan angazhimin dhe kreativitetin e të rinjve shqiptarë. Në këtë intervistë, mësuesja Erviola Ndreko Konomi rrëfen rrugëtimin e një pune disa mujore, sfidat e përballuara, bashkëpunimin me nxënësit dhe mesazhin që ky sukses përcjell për shkollën shqiptare dhe të ardhmen e saj.



Fillimisht, urime për këtë arritje! Si e përjetuat momentin e shpalljes së fituesve në Festivalin Kombëtar të Shkencës?


Ishte një emocion i papërshkrueshëm. Kur dëgjova emrin e projektit tonë, ndjeva krenari të madhe për nxënësit dhe për punën e përbashkët që kishim bërë. Ishte një moment shpërblimi për gjithë përpjekjet e tyre. Ndonëse jemi shkollë më një eksperiencë disa vjeçare në fushën e projekteve dhe fitues në shume projekte evropeane si Scientix, Codeweek European, eTwinning, dyshimet e fitores ekzistonin pasi kishte konkurece dhe punë te bukur të bërë nga gjimnazet e tjera të Shqipërisë.


Çfarë përfaqëson për ju personalisht dhe profesionalisht ky çmim i parë në një event kaq të rëndësishëm në rang kombëtar?


Ky çmim është një dëshmi se puna e palodhur disavjeçare si ambasadore eTwinning, Scientix, Leadinteacher per Codeweek dhe trajnerë në mësimdhënie, si dhe inovacioni në arsim japin fryte e veta. Profesionalisht më motivon të vazhdoj me projekte të reja, ndërsa personalisht është një ndër kujtimet e paharruara që më jep forcë.



Si lindi ideja për projektin “Parku Inteligjent i Bletëve”? Ishte një iniciativë e nxënësve apo një proces i përbashkët?


Ideja lindi nga një diskutim i përbashkët mbi rëndësinë e bletëve për ekosistemin. Diku lexuam një shprehje të AJNSHTAJN të cilën ne e bëmë slogan. “Nëse bletët zhduken nga faqja e dheut njerëzimi do të jetoj dhe 4 vite”. Pra një alarm mbi ekzistencën tonë por edhe për ekosistemin, zinxhirin ushqimor etj. Pasi rënia e bletëve nuk është vetëm problem i natyrës, por një zinxhir që prek ushqimin, ekonominë dhe jetën tonë të përditshme. 


Bletët janë një nga pjalmuesit më të rëndësishëm në Tokë, megjithatë popullatat e tyre po zvogëlohen për shkak të humbjes së habitatit, pesticideve, ndryshimeve klimatike dhe mungesës së ushqimit.

Filluam të mendojmë si të gjejmë zgjidhje për problematikat:

  1. Si mund të ndihmojmë në minimizimin e rënies së numrit të bletëve dhe ti vijmë në ndihmë biodiversitetit?
  2. Si mund të krijohet një park inteligjent edukativ që përdor teknologjinë për të mbrojtur bletët, për të edukuar vizitorët dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor, ekonomik dhe shëndetësor në një zonë me ndikim industrial si Patosi?


Me pas nxënësit sollën ide kreative për zhvillimin e temës dhe si mësuese koordinatore projektit i orientova drejt një strukture shkencore, dhe kështu u formësua projekti.



Mund të na shpjegoni më konkretisht çfarë përfshin ky projekt dhe çfarë e bën atë të veçantë?

Ky projekt është një model i integruar STEM + Edukim + Ekologji + Biznes i gjelbër + Inovacion shëndetësor, që e kthen Patosin në një qendër unike për edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm. (Por është projekt që mundet të implementohet dhe në qytete të tjera). Projekti përfshin një park edukativ ku bletët përdoren si sensorë biologjikë për monitorimin e mjedisit. Ai ndërthur teknologjinë, sigurinë, energjinë e gjelbër dhe edukimin praktik, duke e bërë unik në qasjen e tij.


Projekti "SMART EDUCATION BEE PARK" lidh nxënësit, mësuesit dhe komunitetin për të eksploruar se si teknologjia mund të mbrojë biodiversitetin. Duke përdorur bletët si temë qendrore, nxënësit eksplorojnë sfidat mjedisore dhe zbatojnë konceptet e kodimit, IoT dhe IA për të hartuar një Park Bletësh Inteligjente Arsimore. Projekti integron STEM, qëndrueshmërinë,kreativitetin dhe përgjegjësinë qytetare. E veçanta është se sistemi lidhet me platforma analitike (p.sh. dashboard online) për vizualizim, alarme dhe vendimmarrje. Parku përfshin gjithashtu edukim publik, turizëm shkencor dhe prodhim/ shitje produktesh bio.


Në projekt u integruan: 

  • Sensorë mjedisorë industrialë (temp/lagështi/PM/CO₂);
  • Sisteme kamerash dhe radarë për aktivitetin e bletëve;
  • Sisteme vaditjeje automatike me kontroll nga sensorët e tokës;
  • Sisteme alarmi zjarri + njoftim automatik (SMS/email);
  • Panele diellore me ndjekje të diellit (solar tracking);
  • Platformë digjitale (cloud/dashboard) për të dhënat;
  • Kasafortë e ndihmës së shpejtë me akses me kod unik;
  • Infrastrukturë për vizitorë (zonë informuese, edukative, relaksi);
  • Labor i vogël për produkte bio (standarde higjiene);
  • Mikrokontrolluesit: Arduino Uno, ESP8266, Micro:bit;
  • Softuerët e Projektimit: Tinkercad, Canva, Scratch;
  • Bioreaktorët e mikroalgave Spirulina si ushqim i qëndrueshëm i bletëve;
  • Mjetet IoT: Sensorë për temperaturën, lagështinë, flakën dhe pH-in;
  • Aplikacionet dhe Platformat: ThingSpeak (vizualizimi i të dhënave), Google Earth , Spotify (krijimi i podkasteve).



Si u organizua puna me grupin e nxënësve? Sa kohë zgjati përgatitja dhe si u ndanë rolet brenda ekipit?


Puna zgjati 4 muaj me një shtrirje sipas fazave. Nxënësit u ndanë në grupe sipas aftësive: disa punuan në pjesën teknologjike, disa në aspektin mjedisor, të tjerë në komunikim dhe prezantim. Çdo rol ishte i rëndësishëm. 



Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë realizimit të këtij projekti?


Sfida më e madhe gjatë realizimit të projektit ka qenë pikërisht balancimi i kohës mes mësimeve të rregullta dhe angazhimit intensiv në projekt. Kjo kërkonte organizim të kujdesshëm, ndarje të qartë të detyrave dhe disiplinë nga ana e nxënësve.


Një tjetër pengesë e rëndësishme ishte sigurimi i materialeve dhe pajisjeve. Duke qenë se burimet nuk ishin gjithmonë të disponueshme, u desh shumë kreativitet dhe bashkëpunim me komunitetin për të gjetur zgjidhje praktike. Kjo përfshiu mbështetjen e shkollës, ide nga banorët lokalë, si dhe ndihmën e biznesit të vogël e bletarëve. 


Në fakt, këto sfida u kthyen në përvoja të vlefshme: Nxënësit mësuan të menaxhojnë kohën dhe të punojnë në mënyrë të organizuar. U forcuan lidhjet me komunitetin, duke e bërë projektin më të qëndrueshëm dhe më të lidhur me realitetin lokal. Kreativiteti dhe fleksibiliteti u bënë pjesë e procesit të të nxënit, duke i dhënë projektit një dimension praktik dhe inovativ.



Si arritët të ndërthurni shkencën, teknologjinë dhe aspektin mjedisor në këtë projekt?


Duke e parë bletën si pikënisje: biologjia e saj lidhet me mjedisin, teknologjia na ndihmoi ta monitorojmë, ndërsa shkenca i dha kuptim të dhënave. Integrimi I biologjisë u bë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që ta bëjmë parkun një hapësirë të sigurt, të shëndetshme dhe të qëndrueshme, dhe ku teknologjia dhe natyra bashkëpunojnë për mirëqenien e njerëzve dhe mjedisit, kemi menduar dhe realizuar sistemin e sigurisë për vizitoret Gjithashtu ndërthurje me biologjinë dhe teknologjinë ishte në përdorimin e Tinkercad dhe SketchUp, për të projektuar parkun me zona të ndara si kopshte me lule që kerkonin informacion dhe praktik për bimët miqësore për bletët. 


Regjistrimi digjital në hyrje: çdo vizitor regjistrohet në platformën e parkut, duke deklaruar nëse vuan nga alergjia ndaj pickimit të bletëve.


Kodi unik emergjent: sistemi gjeneron një kod personal (QR ose PIN) që lidhet me profilin e vizitorit. Në rast emergjence, ky kod përdoret për të hapur kasafortën e ndihmës së shpejtë, e cila përmban antialergjikë dhe materiale mjekësore bazë. (nxënësit kanë marr informacione nga mjeket e qendrës shëndetësore).


Sistemi i aerosolit terapeutik: për vizitorët me astmë ose alergji kronike, ajri i kosheres përdoret si terapi natyrale, pasi përmban substanca që përmirësojnë funksionin respirator. Stoli Oksibanch me spirulinë: spirulina, një algë blu-jeshile me aftësi të larta për të thithur dioksidin e karbonit dhe për të çliruar oksigjen, vendoset në stola ekologjikë që përmirësojnë cilësinë e ajrit lokal.


Matematika u integrua në Vargun e Fibonaçit për gjenetikën e bletëve, orientimi i tyre në koshere me anën e këndeve ku dielli është pikë referimi, vallja e bletëve që përdoret si mjet komunikimi në koshere për sinjalizimin e burimeve ushqimore si dhe forma 6-këndore e hojeve për të siguruar më shumë hapësirë për mjaltin, larvat, polenin etj. 

                                            

Kimia u integrua bukur tek eksperimentet për krijimin e produkteve kozmetike si kremra, sapun etj dhe krijimi i Biodizelit nga alga SPIROGYRA. Gjithashtu nxënësit kanë menduar dhe për sigurinë higjienike dhe sanitare brenda parkut duke studiuar situatën dhe gjetjen e zgjidhje në fushën përkatëse (biologji + mjedis).

  • Kosha inteligjentë pa prekje: hapen me sensor lëvizjeje për të shmangur kontaktin fizik dhe për të reduktuar përhapjen e mikrobeve.
  • Dizinfektim automatik i koshave: pas çdo përdorimi, sistemi aktivizon një mekanizëm dezinfektues për pastrim të menjëhershëm.
  • Numërim elektronik i shisheve plastike/qelqi: kur arrihet limiti i mbetjeve, sistemi njofton automatikisht administratën për pastrim.
  • Menaxhim i mbetjeve organike: mbetjet nga përpunimi i algave, spirulinës dhe ushqimeve përdoren si pleh organik për bimët dhe pemët e parkut.
  • Integrimi me lëndën e fizikës u mundësua tek siguria ekologjike dhe energjetike. Nxënësi morën informacione dhe krijuan:
  • Panele diellore rrotulluese: ndjekin diellin për efikasitet maksimal dhe reduktojnë varësinë nga energjia tradicionale.
  • Sistemi i biodizelit nga fermentimi i algave: furnizon makineritë e parkut me karburant ekologjik, i vendosur larg zonës së bletëve për të shmangur ndikimin e gazrave.
  • Monitorim digjital i energjisë: paneli qendror tregon në kohë reale prodhimin e energjisë, konsumin dhe kursimet.
  • Integrimi me fushën e arteve ishte ne krijimin e zonës edukative dhe kreative.


Kjo fazë është zemra e projektit, ku bashkohen edukimi, teknologjia, kreativiteti dhe përvoja e drejtpërdrejtë e vizitorëve, pasi e bënë parkun një qendër të gjallë të dijes, kreativitetit dhe ndërveprimit midis njeriut dhe natyrës. Me qëllim që të krijohet një hapësirë interaktive ku nxënësit, vizitorët dhe studiuesit të mësojnë për bletët, ekosistemin dhe teknologjinë përmes eksperimenteve, lojërave dhe aktiviteteve kreative dhe që nxënësit të zhvillojë kompetenca STEM, ndërgjegjësim ekologjik dhe aftësi bashkëpunimi kemi menduar për zonën edukative dhe kreative.


Çfarë roli luan motivimi i mësuesit në angazhimin e nxënësve në projekte të tilla kërkimore dhe krijuese?


Në fakt, mësuesi është katalizatori që e kthen një ide në realitet. Nxënësit marrin guxim për të eksperimentuar kur shohin se mësuesi i tyre është i hapur ndaj ideve të reja. Kur mësuesi i motivuar u jep hapësirë dhe i mbështet, nxënësit fitojnë vetëbesim dhe ndihen të aftë të kontribuojnë. Shembulli i mësuesit i mëson nxënësit se përkushtimi dhe këmbëngulja janë çelësi i suksesit dhe motivimi i mësuesit e kthen projektin në një përvojë kolektive ku secili ndjen se ka rol të rëndësishëm. Në këtë mënyrë, roli i mësuesit nuk është thjesht udhëheqës teknik, por edhe udhëheqës emocional dhe inspirues, që i ndihmon nxënësit të shohin vlerën e punës së tyre përtej klasës dhe çmimit.



Si e përjetuan nxënësit këtë eksperiencë? Çfarë mendoni se kanë fituar ata përtej çmimit?


Nxënësit e përjetuan këtë eksperiencë si një udhëtim transformues. Përtej çmimit, ata fituan besim tek vetja, ndjenjën e përgjegjësisë dhe aftësi bashkëpunimi. Kuptuan se shkenca nuk është thjesht teori e mësuar në klasë, por një mjet praktik që ndikon drejtpërdrejt në jetën reale dhe në komunitet. Për ta, ky projekt u bë një provë se idetë e tyre kanë vlerë dhe mund të sjellin ndryshim.


Në këndvështrimin tuaj, sa i rëndësishëm është organizimi i aktiviteteve të tilla si Festivali i Shkencës për sistemin arsimor shqiptar?


Festivali i Shkencës është një konkurs i rëndësishëm për sistemin arsimor shqiptar, pasi nxit kreativitetin, inovacionin dhe i jep nxënësve hapësirë të tregojnë talentin e tyre. Përmes tij, nxënësit mësojnë të prezantojnë punën e tyre, të komunikojnë me publikun dhe të ndihen pjesë e një komuniteti më të madh shkencor. Këto aktivitete janë ura që lidhin shkollën me realitetin dhe i japin edukimit një dimension praktik.



A mendoni se shkollat shqiptare po i japin mjaftueshëm hapësirë edukimit praktik dhe projekteve inovative?


Ka përmirësime të dukshme, por ende ka nevojë për më shumë hapësirë dhe mbështetje. Edukimi praktik duhet të jetë pjesë e pandashme e kurrikulës, jo një aktivitet shtesë. Shkollat duhet të krijojnë kushte ku nxënësit të eksperimentojnë, të gabojnë, të mësojnë nga përvoja dhe të zhvillojnë projekte që lidhen me jetën e përditshme.



Çfarë mbështetjeje keni pasur nga shkolla apo institucione të tjera gjatë kësaj rruge?


Shkolla jonë na ka mbështetur me hapësira, motivim moral dhe besim tek puna jonë. Komuniteti lokal ka kontribuar me ide, mbështetje praktike. Ky bashkëpunim ka treguar se kur shkolla , komuniteti, pushteti lokal bashkohen, nxënësit ndihen më të fuqizuar dhe rezultatet janë më të mëdha.



Si e shihni rolin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në edukimin e brezit të ri?


Teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë mjete të fuqishme që mund të personalizojnë mësimin, të ndihmojnë në kërkim dhe të hapin horizonte të reja. Ato u japin nxënësve mundësinë të eksplorojnë, të krijojnë dhe të mësojnë në mënyra të ndryshme nga metodat tradicionale. Brezi i ri ka nevojë për këto mjete për të qenë i përgatitur për sfidat e së ardhmes. Por e theksoj IA nuk e zëvendëson dot mësuesin.



Çfarë këshille do t’u jepnit mësuesve të tjerë që duan të angazhojnë nxënësit në projekte të ngjashme?


Të mos hezitojnë të eksperimentojnë dhe të besojnë tek idetë e nxënësve. Mësuesit idetë e tyre udhëheqin me durim, pasion dhe fleksibilitet. Çdo projekt është një mundësi për të nxitur kreativitetin dhe për të zhvilluar aftësi që nuk mësohen vetëm nga librat.



Po për nxënësit që kanë ide, por hezitojnë t’i zhvillojnë ato çfarë do t’u thoshit?


Të mos kenë frikë nga dështimi. Çdo ide është e vlefshme dhe mund të shndërrohet në diçka të madhe me punë dhe këmbëngulje. Dështimi është pjesë e procesit të të mësuarit dhe shpesh është hapi i parë drejt suksesit. 



A keni në plan projekte të tjera në të ardhmen me nxënësit tuaj? Mund të na zbuloni diçka më shumë?


Pak herë për të bërë plane për vitin tjetër, pasi ky vit mësimor është drejtë mbylljes, por idetë nuk na mungojnë për vazhdimësinë.



Në fund, cili është mesazhi juaj për prindërit dhe komunitetin në lidhje me mbështetjen e talenteve të rinj në shkencë?


Mbështetja e tyre është jetike. Kur prindërit dhe komuniteti besojnë tek fëmijët dhe mësuesit e tyre, ata ndihen të fuqizuar dhe arrijnë rezultate të jashtëzakonshme. Talenti lulëzon kur ka besim, kur ka hapësirë për t’u shprehur dhe kur ka një komunitet që e vlerëson. 



Intervistoi, Portali Shkollor 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

157 Lexime
3 orë më parë