
Intervistë/ Mësuesja Aida Haxhiu rrëfen eksperiencën e parë të një shkolle verore në “Eftali Koçi”
Për herë të parë në Shqipëri u zhvillua një program veror në arsimin publik. Mësuesja Aida Haxhiu ndan përvojën emocionuese nga kampi në shkollën “Eftali Koçi”, ku fëmijët u përfshinë në lojëra, krijimtari dhe aktivitete që nxitën zhvillimin e tyre personal.
Për herë të parë në Shqipëri, arsimi publik hapi dyert edhe gjatë verës, me nisjen e një programi pilot që synoi të sjellë një qasje ndryshe ndaj zhvillimit të fëmijëve përtej mësimit tradicional. Viti shkollor 2024–2025 përfundoi më 13 qershor, dhe menjëherë më pas, në datën 16 qershor, nisi shkolla verore në 10 shkolla publike në Tiranë, Durrës e Kamëz, ku morën pjesë mbi 1,000 nxënës. Programi zgjati dy javë dhe përfshiu aktivitete kreative, sportive, sociale dhe argëtuese.
Një nga këto shkolla ishte edhe "Eftali Koçi" në Durrës, ku kampi veror nuk solli thjesht ditë të mbushura me lojëra, por rrëfime që prekën thellë zemrat e mësuesve dhe prindërve. Pikërisht këtu, mësuesja Aida Haxhiu, një nga figurat më aktive të këtij kampi, drejtoi klubin letrar dhe ndihmoi fëmijët të krijonin ditarë personalë, poezi, mesazhe dhe madje edhe fustane nga materiale të riciklueshme. “Kur i dëgjova të recitonin, të intervistonin njëri-tjetrin apo të gatitnin për njëri-tjetrin, ndjeva se fëmijët po mësonin gjëra që s’mund t’i përfitonin në një orë klasike mësimore,” rrëfen ajo.
Në intervistën më poshtë, mësuesja Haxhiu ndan emocionet, reflektimet dhe momentet që i mbetën në zemër nga kjo përvojë që e quajti “më e bukura në gjithë jetën time si mësuese”. Mësoni si u përjetua shkolla verore nga brenda: me sy fëmijësh, me duar krijuese dhe me zemër të hapur.
Mësuese Aida, ishte hera e parë që një shkollë verore zbatohet në shkollat publike në Shqipëri. Ndaj jemi kureshtarë të dimë si e përjetuat këtë përvojë të re të shkollës verore në “Eftali Koçi”? Çfarë e bëri kaq të veçantë për ju si mësuese?
Kur u vumë në dijeni se ishim përzgjedhur si shkollë për kampin veror, gëzimi, por edhe dilemat, ishin të mëdha. Përgjegjësia që morëm si ekip ishte që të justifikonim përzgjedhjen. Dita e parë na tregoi se fëmijët, prindërit, komuniteti i kishin sytë te ne, por edhe shkollat e tjera publike prisnin të shihnin çfarë do të bëhej në këtë kamp. Kur muzika filloi dhe fëmijët jo vetëm kërcenin nën ritmin e saj, por realizuan edhe aerobi, të shoqëruar me ushtrime fizike, sytë e tyre shkëlqenin, po kështu edhe të prindërve që i shoqëronin. Gëzim, argëtim dhe në fund, lumturia e tyre do të ishin prioritetet tona.
Nga ana tjetër, po nxënësit, prindërit dhe komuniteti si e pritën?
Pritshmëritë ishin të larta si nga ana e nxënësve, prindërve, por edhe e komunitetit. Duhet të kemi parasysh dy gjëra. E para, të gjithë prindërit ose kanë qenë vetë pjesë e një kampi veror, ose kanë dëgjuar për të, dhe e dinë sa kujtime dhe përjetime të bukura mbeten në kujtesë. E dyta, sot fëmijët e kalojnë kohën e lirë përpara teknologjisë. Ne duhet të organizonim aktivitete që t’i tërhiqnin ata, duke zbuluar edhe talentin e tyre, që ndoshta deri atëherë nuk e kishin njohur. Koha e përdorur për organizimin e aktivitetit nuk ishte e gjatë, por kishte krijimtari dhe lojëra të shumëllojshme. Në kamp u formuan miqësi të reja dhe këto të fundit u forcuan shumë, duke i bërë fëmijët tepër socialë, si në punët në grup ashtu edhe në lojëra të ndryshme.
Ju drejtuat njërin prej klubeve gjatë kampit. Na tregoni pak më shumë: çfarë bëtë konkretisht me fëmijët dhe si reaguan ata?
Kisha klubin letrar. Prioriteti im ishte krijimtaria e tyre dhe mënyra se si e shohin realitetin. Fillimisht krijuam Ditarin, ku çdo ditë përshkruanim ndjesitë e tyre gjatë kampit. "Flasim me ngjyrat", "Natyra dhe bota sipas tyre", u realizuan krijime artistike, duke shfrytëzuar njohuritë mbi riciklimin, dhe "Moti në kampin veror".


Prindërit morën iniciativën e dhurimit për fëmijët në nevojë, duke realizuar kështu edhe edukimin social të fëmijëve (në bashkëpunim me Shtëpinë e Fëmijëve, Durrës).

Cilat janë disa momente që do t’i mbani mend gjatë nga këto javë plot aktivitete dhe emocione? P.sh. cilat janë disa nga krijimet apo iniciativat e fëmijëve që ju kanë bërë përshtypje? Ka ndonjë poezi, vizatim apo reagim të tyre që ju ka emocionuar veçanërisht?
Më ka emocionuar shumë organizimi i "Ditës së poezisë", ku talentet e tyre ishin befasuese në interpretim, vallëzim, intervistë, artikulim mesazhesh, kur dëgjonim një përrallë apo zgjidhnim gjëegjëza. E bukur ishte edhe tema "Rrobaqepësi në kampin veror", ku ata prenë fustane apo funde. "Të gatuajmë", ku realizuan biskota dhe kek. Sot përgatitën bluzat e tyre të kampit.
Çfarë keni vënë re te fëmijët përmes lojës dhe krijimtarisë që nuk do të dilte ndoshta në sipërfaqe gjatë një viti të zakonshëm shkollor?
Vura re se kemi një brez fëmijësh shumë kreativë, që e duan të bukurën në jetën e tyre. Fiskultura dhe aerobia në fillim të ditës i bënin ata të lumtur dhe tepër socialë, dhe kjo shihej në punën në grup, në lojërat që luanin, dhe në tendencën për të shfaqur talentet e tyre pa ndrojtje.
Çfarë mendoni se përfituan fëmijët nga kjo shkollë verore, përtej argëtimit dhe lojës? Në aspektin e zhvillimit të tyre emocional, social apo edhe personal?
Fëmijët mësuan çfarë i bën të lumtur ata: "Unë dhe celulari", "Unë dhe lojërat", "Krijimet e mia", "T’i shprehem ditarit tim", "Të jem një vullnetar për dikë që ka nevojë", "Të shëtis, të këndoj, të kërcej, të shkruaj poezi". Dhe, motoja për të filluar ditën para pasqyrës: "Unë jam i lumtur dhe më i miri."

Si ndikoi kjo përvojë në mënyrën tuaj të të menduarit si mësuese? A solli ndonjë ide të re për mënyrën si i qaseni fëmijëve?
Si mësuese kam reflektuar, duke ndryshuar mendimin se metodat e mësimit, përdorimi i mjeteve didaktike dhe drejtimi drejt projekteve do të sjellin një brez kreativ dhe do të mundësojnë zhvillimin e mendimit kritik nga shumë nxënës. Ata nga unë si mësuese do të kenë më shumë dashuri të shprehur dhe do të ndjejnë besimin që do t’u jap në realizimin e detyrave.
Nëse ky projekt do të zhvillohej edhe vitin tjetër, çfarë do të dëshironit që të ruhej patjetër? Dhe ka ndonjë gjë që, sipas jush, mund të përmirësohet?
Është e domosdoshme të vazhdohet si projekt. Do të dëshiroja më shumë mjete didaktike dhe aktivitete jashtë shkollës, si vizita në ndërmarrje me profesione të ndryshme, në kinema, në teatër, dhe takime me njerëz të artit dhe kulturës, në mënyrë që çdo gjë të jetë burim frymëzimi dhe emocionesh për ta.

Ju keni shumë vite që jeni pranë fëmijëve. Çfarë është ajo gjë që ende, pas gjithë këtyre viteve, ju emocionon më shumë në këtë profesion?
Lënia gjurmë te ata. Kur të takojnë nxënësit që janë të realizuar në jetë dhe të tregojnë respektin dhe dashurinë, nuk e keni idenë e gjendjes sime shpirtërore. Por sidomos, kur ke ish-nxënës që të thonë: "Ishte fjala dhe ndihma juaj që jam unë sot." Dashuria dhe respekti janë virtyte që të motivojnë për t’u bërë njeri dhe mësues më i mirë.

Në fund, nëse do ta përmblidhnit gjithë këtë përvojë në një mendim apo mesazh për fëmijët, për kolegët apo për publikun, cili do të ishte ai?
Dita e fundit. Nuk gjej fjalë të përshkruaj mirënjohjen që shprehën në radhë të parë prindërit dhe nxënësit, duke pyetur se kur do të ishte hera tjetër. Si mësuese, do t’u drejtohesha prindërve: organizimi i një dite pushimi për fëmijët, duke krijuar një plan aktivitetesh, do t’i bënte ata kreativë, që në fund, të dinë ta përjetojnë ditën.
Si kolege, ky kamp na bëri të reflektojmë se nuk kemi vështirësi në përqendrimin e nxënësit, por në gjetjen e metodës: nëpërmjet lojërave dhe përdorimit të duhur të mjeteve didaktike, i bëjmë ata të kuptojnë dhe të zhvillojnë imagjinatën dhe motivimin, për ta bërë shkollën një vend të dashur ku përjetojnë sa më shumë ditë të bukura.
Ky kamp ka qenë eksperienca më e bukur e përjetuar nga të gjithë.
Fëmijët dhe prindërit sot panë vetë se si fëmijët e tyre nuk dëshironin që kampi të mbaronte.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Alessio Mancellari: Një i ri me origjinë shqiptare që përfaqëson Astin në Kinë me bursën e interkulturës
Pse mësuesit e artit janë mësuesit më të rëndësishëm në shkollë?