Një panoramë psikologjike

Izolimit social tek fëmijët ndikon në shëndetin mendor në moshë madhore

Studime të reja nga Instituti Psikiatrik, Psikologjik dhe Neuroshkencor tregojnë se izolimi i gjatë tek fëmijët ndikon në shëndetin mendor dhe çrregullimin e sjelljes, ADHD (çrregullimi i vëmendjes) kur ata rriten. Studimi u ndërtua në tre faza izolimi për fëmijët e moshës nga 5-12 vjeç.


Hulumtimet mbi shëndetin mendor të fëmijëve


Studime të reja nga Instituti Psikiatrik, Psikologjik dhe Neuroshkencor tregojnë se izolimi i gjatë tek fëmijët ndikon në shëndetin mendor dhe çrregullimin e sjelljes, ADHD (çrregullimi i vëmendjes) kur ata rriten. Nga studimet e kryera u vu re, se fëmijët e moshës 5-12 vjeç të cilët e kishin kaluar fëmijërinë më të izoluar, në moshën 18 vjeçare shfaqnin simptoma të çrregullimit të sjelljes, më pak të motivuar, më pak aktiv fizikisht, të mbyllur e të vetmuar. 


Izolimi i fëmijëve nga të dhënat


Studimi u ndërtua në tre faza izolimi për fëmijët e moshës nga 5-12 vjeç. Nga 2232 pjesëmarrës u dol në përfundimin se: 4,75% e fëmijëve shikoheshin tejet të izoluar. 5,25% e fëmijëve treguan izolim më të pakësuar, dhe 90% e fëmijëve shfaqen nivele të ulëta të izolimit social. Duhet të kemi parasysh se izolimi sociale nuk është gjithnjë afatgjatë në fëmijëri, por lidhet me kohën që fëmijët kalojnë në shtëpi, më të veçuar dhe të mbyllur…


Qëllimi kërkimor i studimit


Katherine Thompson, autorja e studimit nga King's IoPPN u shpreh se: “Studimi ynë tregon se izolimi social në fëmijëri mund të parashikojë vështirësi specifike emocionale dhe të sjelljes më vonë në jetë. Gjetjet kërkimore theksojnë rëndësinë e kryerjes së ndërhyrjeve në kohë për fëmijët e vegjël që janë të izoluar nga bota sociale për të minimizuar rrezikun e problemeve afatgjata.”


A kanë fëmijët sot një fëmijëri të shëndetshme?


Krijimi i sjelljeve tona njerëzore vjen nga mjedisi i jashtëm. Mënyra e jetesës ka ndryshuar ndjeshëm dy dekadat e fundit. Teknologjia shërben si mirëbërëse dhe njëkohësish shkaktare e shumë problemeve të reja rrugës. Me të drejtë, shumë prindër e përshkruajnë fëmijërinë e tyre me ngjyra dhe aventura krahasimisht me rritjen e fëmijëve sot. Telefoni, ipadi, televizori shikohen si miq të izolimit. Lojërat në natyrë zëvendësohen me lojërat virtuale. Duke parë faktorë të rrezikshëm në rritjen optimale të fëmijëve, të shumtë janë prindërit që shfaqin rezerva mbi të ardhmen e afërt. Shembujt nga aktualiteti janë të shumtë. Prindër që punojnë me orare të gjata, fëmijë që rrinë në shtëpi, herë të shoqëruar e here të vetëm, me pajisje teknologjike dhe pa miq për t’u socializuar. Për pasojë, sjellja e fëmijëve fillon të krijohet pak nga pak, duke u orientuar duke hermetizmi, brenda në shtëpi, duke shmangur aktivitetet fizike apo sociale. 


Ndryshimi vjen nga balancimi


Qendra për fëmijë dhe të rinj ‘Pears Maudsley’ pritet të hapet në vitin 2023 dhe do aktivizojë studiues klinikë për të gjetur një zgjidhje të duhur për transformimin e panoramës së shëndetit mendor të fëmijëve. Sidoqoftë, ndryshimi fillon në qelizën më të vogël, familjen. Balanca mes natyrës dhe teknologjisë është çelësi i nevojitur në këtë kauzë delikate. Izolimi mund të reduktohet me takimet në natyrë, aktivizimin në kurse të caktuara, klube leximi, apo aktrimi. Mjafton që fëmija të krijojë një përditshmëri të shëndetshme, jashtë dyerve të shtëpisë dhe larg izolimit me vetminë. 



Burimi:https://neurosciencenews.com/social-isolation-adhd-childhood-20625/ 


Përgatiti: Xhoana Jaku

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

737 Lexime
4 muaj më parë