“Kaloj 3 male në këmbë për të mësuar 2 fëmijë në fshat”

Mësuesja Fiqirete Ruda, për të shkuar në punë, në shkollën ku u jep mësim vetëm dy nxënësve, çdo javë duhet të udhëtojë rreth 16 orë rrugë në këmbë

Kjo për shkak të largësisë së madhe që është puna me shtëpinë e saj. Mësuesja me 33 vjet përvojë pune, çdo ditë të hënë në orët e para të mëngjesit niset nga shtëpia në fshatin Shushicë, drejt fshatit Vasjan të Elbasanit ku ka punën, dhe detyrohet të kalojë tri male.

Historia e saj nuk duket si e shekullit XXI, kur arsimi ka përparuar, pasi në disa shkolla Ministria e Arsimit po piloton mësimin me tablete dhe me tekste shkollore dixhitale.Por për të shkuar në fshatin Vasjan nuk ka rrugë automobilistike, ndaj mësuesja detyrohet që të ecë në këmbë për orë të tërë. Në pamundësi për t’u kthyer çdo ditë në shtëpi, ajo ka marrë një dhomë me qira në shtëpinë e një banori të zonës dhe ribashkimin me dy fëmijët dhe bashkëshortin e bën çdo të premte në darkë.

Faktikisht, 5.000-lekshin e qirasë e mbulon Ministria e Arsimit dhe Sportit, pasi bashkërisht me dhomën ku fle mësuese Fiqireti kanë marrë edhe një dhomë, ku ajo të mund t’u japë mësim dy nxënësve të saj, pasi shkolla 9-vjeçare e fshatit Vasjan është shembur totalisht në vitin 2012. Këtë itinerar rruge, mësuese Fiqirete Ruda, e shoqëruar edhe nga bashkëshorti i saj, e bën prej shtatë vitesh. Ajo tregon për “GSH”, se rrugën e ka të pamundur ta bëjë vetëm, ndaj i shoqi e shoqëron kur vete në punë, dhe shkon sërish të premten që ta marrë.

“Jo vetëm që është rrugë shumë e gjatë dhe ne udhëtojmë natën, pasi në orët e para të mëngjesit është errësirë, por ka edhe kafshë të egra. Ndaj e kam të pamundur të iki vetë, detyrohet bashkëshorti të më shoqërojë”, – tregon ajo.

Por, edhe pse ka kërkuar disa herë në Drejtorinë Arsimore të Elbasanit për t’u transferuar në një shkollë më afër, ose të paktën në një fshat ku të ketë rrugë makine, kërkesa e saj ka rënë në vesh të shurdhët. Ajo tregon se i është drejtuar me një letër edhe kryeministrit Edi Rama, por asnjë zgjidhje nuk i kanë dhënë. “Jam në emigrim në vendin tim. Kam shtatë vite që jam ndarë nga burri e fëmijët”, – tregon mësuesja 54-vjeçare.

Prej vitit 1982, kur edhe ka nisur rrugëtimin në profesionin fisnik të arsimtarit, mësuese Fiqirete Ruda ka punuar me pasion dhe dashuri me nxënësit e saj. Por pas 33 vitesh, ajo tregon se ndihet shumë e lodhur.

“Kam nisur punë prej vitit ’82. Pjesën më të madhe të viteve të punës i kam në shkollën e fshatit Shushicë, por prej 2009-ës më transferuan në shkollën 9-vjeçare të fshatit Vasjan. Problemi im në këtë shkollë është largësia e madhe, sepse është torturë të ecësh për orë të tëra në këmbë, sidomos në moshën që kemi unë dhe tim shoq”, -tregon zonja Ruda.

Sipas saj, rruga është e frikshme dhe nuk mund ta bëjë vetëm, ndaj prej gati 10 vitesh që është kthyer nga emigrimi, puna e tij e vetme është që të çojë dhe të marrë bashkëshorten nga puna. Siç tregojnë ata, një pjesë e mirë e të ardhurave u shkojnë për të blerë këpucë, pasi të bësh 16 orë rrugë të thepisura, nëpër mal është e vështirë, dhe as këpucët nuk rezistojnë.

“Duke qenë se rruga është shumë e gjatë, se kalojmë tri male, por dhe e frikshme, pasi ka edhe kafshë të egra, çdo ditë të hënë rrugën e bëj me burrin. Nisemi në orën 03:00 të mëngjesit, unë shkoj në punë, ai kthehet në shtëpi te djemtë. Dhe të premten ai vjen e më merr sërish. Bën 8 orë rrugë deri në Vasjan dhe pasi mbaroj orët e mësimit nisemi për në Shushicë, ku banojmë. Nga fshati Shushicë ngjitemi malit të Lerës për rreth një orë rrugë, anës fshatit Fushë-Buall, dhe më pas vazhdojmë rrugën anës lumit të Gostimës, drejt Grykës së Kanalit, për afro tri orë të tjera. Më pas ngjitemi malit të Sharrës – Gryka e Zezë, për të mbërritur në fshatin Vasjan në rrëzë të malit Degamadh. Është tej mase e lodhshme, nuk kam as moshë. Me këtë vit shkollor kemi hyrë në vitin e shtatë që bëjmë këtë rrugë në këmbë. Tani është dhe moti shumë i keq, i ftohtë, shi do nisë të bjerë, edhe borë. Në mot të keq detyrohemi të nisemi edhe më herët”, – tregon mësuesja. Po ashtu, ajo tregon se ka bërë disa herë kërkesë për transferim, por nuk ka marrë asnjë lajm të mirë.

“Nëpërmjet një letre i jam drejtuar edhe kryeministrit të vendit, ku tregoj historinë time. Përgjigjja ishte se kërkesa juaj dërgohet në Ministri të Arsimit, por asnjë zgjidhje nuk më kanë dhënë. Për shkak se isha me Pedagogjike, më kërkuan që për të mbajtur vendin e punës duhej të kisha arsimin e lartë. Nisa arsimin e lartë në universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ për cikël të ulët, dhe vitin e shkuar, në 2014-ën jam diplomuar. Nuk ka shumë kohë që hyra në një konkurs për vend pune më afër, por më skualifikuan, pasi sipas DAR Elbasan nuk kam master. Unë kam 33 vjet përvojë pune, kam marrë kategorinë e parë të kualifikimit. Nëse duhet, e nis edhe një master, por nuk ka më studime part-time, nuk kam si të ndjek universitetin çdo ditë, se vetëm rruga kërkon 7 orë”, – tregon e dëshpëruar Fiqireta Ruda.

Aktualisht, mësuese Fiqireti u jep mësim vetëm dy nxënësve të këtij fshati, vëlla e motër, njëri në klasë të katërt e tjetri në të parën.

“Vjet kisha tre nxënës, ndërsa këtë vit kam vetëm dy. Janë motër e vëlla. E kam për kënaqësi t’u jap mësim fëmijëve dhe ndihem krenare, pasi kam pasur nxënës që kanë vijuar gjimnazin, ndërsa njëri prej tyre edhe universitetin. Kërkoj të iki vetëm prej lodhjes fizike dhe faktit se u ndava me familjen”, – tregon e përlotur mësuesja.

(Nga Ermelinda Hoxhaj, GSH)

1,500 Lexime
8 vjet më parë