Intervistë

Kampet verore për fëmijët, një alternativë edukative-argëtuese edhe në Shqipëri

A është kampi veror një mundësi për prindërit që fëmijët e tyre t’i dërgojnë aty pasi shkolla përfundon, apo është përtej kësaj, mendohet koha cilësore e të vegjëlve edhe gjatë pushimeve? Përgjigjen e kemi marrë nga mësuesi Xhevahir Shaqiri, i cili ka organizuar këtë verë një kamp në qytetin e Kukësit.

Çfarë mund të përfitojnë fëmijët duke marrë pjesë në një kamp veror?  


Çdo prind dëshiron që fëmija i tij t’i kalojë pushimet verore sa më mirë, por edhe të mos harrojë njohuritë e fituara gjatë vitit shkollor. Në mënyrë që përsëritja e njohurive të bëhet sa më interesante dhe tërheqëse ne vendosëm që t’ju vijmë në ndihmë me një program të tillë që të mbeten të kënaqur nxënësit në radhë të parë dhe prindërit gjithashtu. 

Gjithashtu dua të theksoj një problematikë që lidhet me teknologjinë e cila është shndërruar në një domosdoshmëri për jetën e gjithsecilit, duke pasur si efekte pozitive po ashtu dhe negative. Prej efekteve negative ata të cilët dëmtohen më së shumti nga të gjithë, janë fëmijët, andaj objektiv ynë ishte që ne të largonim fëmijët për disa orë prej teknologjisë.

Pra përfitimet e fëmijëve janë të shumta: argëtim, dije, socializim–miq të rinj etj.



Çfarë aktivitetesh bëjnë ata në kampin veror? Cili mund të jetë një program për shembull? 


Nën moton: “Zbavitemi dhe Mësojmë” kemi përpunuar materialet dhe përzgjedhur lëndët që do mbulojë “Kampi Veror21”: jo detyra shtëpie, jo mësime me libra!

Në gjatë kampit kemi zhvilluar lojëra gjuhësore shqip dhe anglisht, lojëra logjike-matematikore dhe konkurse mes grupesh.

Lojërat gjuhësore dhe krijuese jepen brenda kornizës së njohurive dhe shprehive të fituara gjatë vitit shkollor. Lojërat gjuhësore janë të thjeshta, jo të mërzitshme dhe i ndihmojnë nxënësit të vetë-kontrollojnë njohuritë e marra gjatë vitit shkollor.

Ushtrimet dhe problemet matematikore janë konceptuar në formën e lojës. 

Konkurset mes grupesh i kemi programuar si sfida të veçanta për argëtime shtesë, s’mund të le pa cituar ishte koha kur merrte “flakë” qendra nga entuziazmi dhe tifozllëku.

Programi Shembull  (4 ditë ose 14 orë aktivitete në javë)


Nr. HËNE MARTË
1. Ora: 9.00          9.55 Logjikë  Matematikore
Lojë matematikore për fëmijët e zgjuar
Dituri Natyre
Gjej fjalët kyçe në tetëkahor dhe plotëso tekstin informues
2.  Ora: 10.00          10.55 Lojëra Gjuhësore Enigma/Anagramë Lojë fjalësh me rimë Logjikë  Matematikore
Loja e duhur për të stërvitur trurin
Interval i shkurtër pushimi për konsumimin e ushqimit
3.  Ora: 11.10          12.00 Argëtim (lojëra)
Sfida me gota plastike
Argëtim (Lojëra)
Sfida me Haribo Marshmallow

Xhevahir Shaqiri, themelues i Qendrës Aiden Academy, Kukës 



Sa ditë zgjasin kampet? 


Kohëzgjatja varet nga programi i kampit por në përgjithësi një kamp zgjat 10 ditë ose le të themi 2 javë. Paraprakisht kishim fiksuar në njoftimet tona, si datë fillimi 15 qershorin deri më 20 korrik që i bie le të themi 5 javë, por ne e zhvilluam 4 ditë në javë, pra nga e hëna në të enjte, duke marrë në konsideratë që shumë prindër kërkonin fundjavën ta kenë të lirë për të lëvizur sipas dëshirës bashkë me familjet dhe fëmijët që kishin pjesëmarrës të programin tonë.


Sa i kushton një familje (minimalja dhe maksimalja) regjistrimi i fëmijëve në një kamp veror? 


Edhe kostoja e një kampi veror varet nga programi i kampit, ka qendra që ofrojnë kampet me oferta javore, por edhe si paketa të plota, me lehtësira për nxënësit që ata kanë në qendër apo edhe kur kanë nxënës që vijnë nga e njëjta familje. 

Çmimet variojnë nga 4.500 x javë deri në 24.000  paketa e plotë.

Në përgjithësi në qytetet e mëdha, ka kosto më të lartë për shumë shërbime dhe larminë e aktiviteteve që ata mbulojnë, kurse ne jemi munduar të jemi si derë e hapur dhe për ata fëmijë që vijnë nga shtresa të ndryshme sociale kemi operuar me çmime të tjera duke eliminuar disa kosto.


A është kampi një mundësi për prindërit që thjesht t’i dërgojnë fëmijët aty pasi përfundon shkolla, apo është përtej kësaj, mendohet koha cilësore e kaluar nga të vegjlit? 


“Po” them me plot bindje, ka ndikuar që shumë fëmijë ta kenë ditën ndryshe në çdo pikëpamje duke nisur leximin dhe librin. Entuziazmi i tyre ishte mjaft i dukshëm, që në mëngjes kur fillonim interesoheshin dhe pyesnin: “Mësues ç’kemi për sot në program?”. 

Ne po përpiqemi të ngremë një institucion të mirëfilltë edukimi, puna që kemi bërë kishte shumë peshë dhe përgjegjësi, me një përkushtim dhe vëmendje maksimale për çdo fëmijë.

Le të themi ky ishte një vit i parë eksperimental, por ne mbetemi në kontakte të vazhdueshme me prindër ku shumica e tyre janë kolegë mësues, këmbejmë ide, ndodh s’mund të jemi të pëlqyeshëm për të gjithë, mirëpresim prej tyre këshilla dhe kritika, kjo është shumë e vyer për ne. Ju jemi mirënjohës të gjithë prindërve për besimin që na kanë dhënë, dhe vlerësimet e tyre që kemi marre pas përfundimit të këtij programi.


Sa e përkrahur dhe e realizueshme është mundësia e kampeve verore në Shqipëri? Po këtë vit, kur pandemia është ende prezentë a pati interes duke iu referuar eksperiencës me kampin qe ju keni hapur në qendrën tuaj Aiden  Academy, Kukës? 



Gjatë kohës që ne zhvilluam “Kampin Veror21” prej disa javësh referuar komunikatave të institucioneve përkatëse, koronavirusi nuk kishte të regjistruar asnjë rast të ri të infektuar, por pandemia Kovid19 ka lënë pasoja tek fëmijët, ndikimi i kufizimeve të lëvizjes, karantina, kalimi në mësimin në distancë dhe shoqërimi i reduktuar kane ndikuar negativisht në mirëqenien mendore të fëmijëve, ndaj “Kampi Veror21” ishte një mundësi e mirë për t’u çliruar apo kompensuar atë socializimin e munguar, të njohurit të bashkëmoshatarëve të rinj, duke njohur më mirë veten dhe njëri-tjetrin.



Po vitin e ardhshëm mendoni se do ja vlente organizimi dhe hapja e një kampi të radhës? 


Po patjetër, ky vit ishte si eksperiment që na rezultoi me mjaft sukses përtej pritshmërive që ne kishim planifikuar ndaj vitin tjetër kemi nxjerr dhe konkluzionet tona se çfarë duhet të eliminojmë apo ku duhet t’i kushtojmë më tepër rëndësi peshe, shto dhe risi që mund të na lindin si ide, bashkëpunime me klube të ndryshme sporti ujor ku mund të shfrytëzojmë ujërat e Liqenit të Fierzës për kajak apo notin në pishina në Kukës, por edhe Prizreni ofron shumë më tepër. Harku kohor që ne zhvilluam “Kampin Veror21” u karakterizua nga temperatura jashtëzakonisht të larta dhe na ka privuar për shumë aktivitete pasi duhej t’i evitonim daljet në diell për shkak të moshës së disa fëmijëve.


Ndërkohë a mund të na përmendni disa këshilla për fëmijët që i kalojnë pushimet më së shumti në shtëpi e që nuk shkojnë në kampe verore? 


Kampi veror është një nga përvojat më të bukura që duhet ta provojë çdo fëmijë të paktën një herë. Është koha të provoni fuqinë tuaj mendore, programi ynë s’të lë asnjë cep të trurit tuaj pa sfiduar prandaj bëhuni pjesë e një kampi veror në vitet e ardhshme. 


- Gjatë pushimeve verore duhet të argëtohemi, thonë nxënësit.

- Edhe gjatë pushimeve verore duhet të mësojnë, këshillojmë ne mësuesit.


Eksperienca e një  kampi veror mund të ketë një ndikim tek fëmijët që zgjat gjatë gjithë jetës.


Prindërve do ju drejtohesha me këtë mesazh: mes dhuratave që i keni bërë fëmijëve tuaj ndër vite, provoni t’i dhuroni atij pushimet në një kamp veror, do të ishte dhurata më e veçantë për çdo fëmijë.

Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

7,068 Lexime
2 vjet më parë