LËTËR PËR NXËNËSIT

Koha e vetizolimit dhe letra e ndjerë e një mësuesi për nxënësit e tij

Në këto ditë jo të zakonta për të gjithë ne, dashuria dhe forca që shpërndajmë janë shumë të rëndësishme. Mësuesi Ardi Stefa u ka dedikuar një letër tepër emocionuese nxënësve të tij ku mes rreshtash i falënderon dhe u përcjellë mesazhe të ndryshme.

Të dashur nxënësit e mi!

Do të doja t’ju takoja e t’ju përqafoja një nga një të gjithëve!

Jeni të gjithë fëmijët e mi!

Në këtë orë kaq të pasigurta uroj gjithçka të mirë për ju!

Por jam i trishtuar!

Ky vit mësimor “u vodh” nga duart tuaja. Nuk e di kur do të kthehemi dhe nëse do të kthehemi në shkollë apo nëse do t’i përfundojmë mësimet online.

Dhe jam i trishtuar se nuk arrita, që në rrëmujën e 9 marsit t’ju përshëndesja ashtu siç duhet.

Nuk e dinim nëse “përqafimi” ynë do të zgjaste dy javë, një muaj apo edhe më shumë.

Nuk e dinim që klasat dhe oborret e shkollës, zakonisht plot jetë e gjallëri, plot zhurma e optimizëm, shumë shpejt do të ishin bosh e të heshtura.

Më mungojnë buzëqeshjet tuaja, shakatë tuaja, gjallëria juaj, zërat tuaj.

Gjithmonë kam menduar se kisha shumë për të bërë për ju dhe kësaj nuk iu shmanga asnjëherë. Juve jeni rritur me mua, mua më janë shtuar disa thinja. 

Më keni sjellë shqetësime, por edhe shumë, shumë kënaqësi. Më keni rritur edhe profesionalisht, sepse për ju dhe me ju kam arritur suksese të vogla personale, por edhe suksese të mëdha.

Sot, unë dua t'ju falenderoj një për një, për gjithçka më keni dhënë dhe, t'ju bëj të ditur se, sido që të vijë e ardhmja, unë do të jem brenda jush, në ato mendimet e formuara tashmë në botën tuaj, ndërsa ju do të jeni brenda meje me energjinë pozitive dhe gëzimin e jetës, që vetëm brezi juaj di t'i japë.

Dua t’ju falenderoj për të gjitha ato që kaluam së bashku, për çastet e bukura dhe ndonjëherë edhe për çastet e trishtuara.

Dua t’ju falenderoj edhe për dijet tuaja, çiltërsinë dhe rebelizmin tuaj.

Dua t’ju falenderoj edhe për ato thinja që më keni shtuar.

Ju kam konsideruar gjithmonë fëmijët e mi, kam jetuar me gëzimet, trishtimet, sukseset dhe trazimet tuaja.

Shpesh herë jam rebeluar me ju, jam rebeluar për ju. Dhe ju kam pasur e më keni pasur krah.

Por sot ndiej trishtim!

Për faktin se pas kësaj beteje ne nuk do të jemi më të njëjtët.

As unë, as ju, askush nga ne.

As bota. As e ardhmja.

Do takohemi, kur të takohemi, natyrisht të plagosur, ndoshta edhe me ndonjë humbje (mos e dhëntë Zoti!), por padyshim më të fortë, më të pjekur, më të përgatitur për jetën.

Shumë prej jush, sidomos ju maturantë, ndoshta nuk do të realizoni ëndrrën tuaj për të fituar degën që keni punuar e ëndërruar për kaq vite.

Disa prej jush ndoshta nuk do të rikthehen më në bangat e shkollës, për shkak të shkatërrimit ekonomik apo social të familjeve tuaja.

Shumë prej jush ndoshta do të largoheni përfundimisht nga Shqipëria...

Por...

Unë ju jam mirënjohës që isha mësuesi juaj.

Do të doja t’ju shikoja edhe njëherë t’ju thosha të rrini të qetë dhe të jeni të përqëndruar.

Këto ditë izolimi janë vërtet të vështira, por ju kini besim, optimizëm, forcë e kurajo!

Rrini brenda!

Respektoni në maksimum këshillat që jepen nga mjekët!

Rrini të qetë!

Të qetë fizikisht e mendërisht!

Do t’ia dalim!

Do të fitojmë edhe mbi këtë krizë!

Ju bëni detyrën tuaj, si qytetarë të përgjegjshëm: Ruani veten dhe të tjerët dhe gjeni gjëra të reja të bëni për pak kohë!

Bëjini këto gjëra, që, kur kjo furtunë të kalojë, të keni pranë ata që ju mbanin për dore kur nisët të hidhnit hapat e parë.

T'ju kenë pranë ata që do të mbani për dore kur të hedhin hapat e parë!

T'ju kemi e të na keni pranë.

E përballojmë rrezikun me respekt, jo me tmerr!

Kjo furtunë nuk është vetëm për një shtëpi, një familje, një lagje apo qytet.

Është diçka që po e përjetojmë të gjithë.

Dhe, të bashkuar, të gjithë së bashku, qoftë edhe në distancë sigurie, do ta kalojmë.

Një furtunë është, do kalojë, mjaft të marrim një "çadër" me vete!

Bëni kujdes!

Bëjuni të përgjegjshëm!

Rrini në shtëpi!

Mësoni! Mos i braktisni mësimet. Të dilni sa më të formuar nga sistemi ynë i gjysmuar arsimor! Unë kam besim tek pjekuria juaj, inteligjenca e përgjegjshmëria juaj.

Mësoni! Mua dhe gjithë mësuesit na keni pasur, na keni e do na keni gjithmonë në krah!

Dua t’ju takoj përsëri kur e gjitha kjo të mbarojë!

T’ju them që jam krenar për ju!

T’ju them që ju dua!

Çfarëdo që të na ketë rezervuar pjesa tjetër e këtij viti arsimor, dua ta dini që gjithmonë do të jeni një pjesë e zemrës sime.

Ky është një vit shkollor që askush nga ne nuk do ta harrojë.

E di që jeni të fortë, të zgjuar, kurajozë e plot energji.

Kur ky makth të kalojë, së bashku do jemi përsëri...

Deri herën e ardhshme...

Mësuesi juaj, Ardi!



(Portali Shkollor)

3,691 Lexime
4 vjet më parë