Analizë letrare

Koment i poezisë “Zemra e liqerit” nga Lasgush Poradeci

Materiali ju njeh me komentin letrar të poezisë së Lasgush Poradecit “Zemra e liqerit” . Përgatiti Dr. Ermira Ymeraj.

Zemra e liqerit 

Autor: Lasgush Poradeci


Dirgjet shpesh liqeri - i kaltër

E pushon në mes të ditës,

Sipër tij buçet prej fundesh

Pasqyrim’i  ti shëndritës.

Val’ e urtë - i shtrohet anës

Dal -nga -dal e fashe-fashe,

Që praj zallit të përbujshëm,

Nisen lundrat levorashe.

Po atje ku nisen lundrat

Sipër valëve paqtore,

Me rrëmbim të zemëruar,

Uji hap një gjeratore:

Hap me gjëmë llahtarije

Plagë - e hon në kraharuar

Ndaj largohen sërë-sërë,

Që prej zallit të shkretuar


Poezia “Zemra e liqerit” është poezi ku shfaqen ndjenjat e mendimet e heroit lirik. Për të kuptuar domethëniet e shumta të një poezie, duhet të analizojmë fjalët dhe shprehjet e saj nga këndvështrimi i ritmit, tingullit, imazheve, kuptimit të dukshëm dhe atij të nënkuptuar. 


1. Në kontekstin e krijimit poetik: Poezia i përket vëllimit poetik “Ylli i zemrës”, botuar më 1937. 


2. Lloji: Hyn në lirikën e peizazhit, është poezi lirike me varg të matur, gjatësia 8 rroksh, rima ABCB, lloji i strofës - strofë katërshe.

Dir gjet shpesh li qe ri-i kal tër  (me theksa 1 -5 -7 , varg femëror me theks parafundor).

  -    v         v       v  -  v     -    v

E pu shon në mes të di tës,

-    v   v      v    -     v   -  v

Si për ti bu çet prej fund esh

-     v   v  v -      v      -     v 

Pas qy rim’ i ti shën dri tës.


3.  Titulli i poezisë. “Zemra e liqerit”. Është titull i qartë, që përmend një vend (liqeri) dhe gjendje emocionale (zemra). I referohet një vendi (liqerit – që nënkupton poetin). 

Titull nga lloji është emëror figurativ. Titulli krijohet mbi figurën e metaforës.

Zemra e liqerit përqaset me atë të poetit. Të dy (zemra e liqerit dhe ajo e poetit), përjetojnë të njëjtat ndjesi, ngazëllim, vuajtje, trazim. Liqeri simbolizon kështu shpirtin e poetit, që vuan e gëzon me ritmin natyror të liqerit dhe ritmin e zhurmshëm të jetës. Liqeri - është  poeti, zemra e liqerit është shpirti i poetit.


4. Fjalë që përsëriten janë: nisen, lundra, valë e urtë - valë paqtore dhe hap (një gjeratore, hap me gjëmë). Të katra këto fjalë, kthehen në reference për strofat ku përsëriten, në fillim dhe fund të strofës së dytë dhe në fundin e strofës së tretë e fillimin e strofës së katërt, janë fjalë që theksojnë fillimin e rrugëtimit  të lundrës) dhe rinis me tërheqjen e vëmendjes se ç’ndodh gjatë rrugës me të (hap).

Lexojmë stofën e parë: 

Dirgjet shpesh liqeri-i kaltër

E pushon në mes të ditës,

Sipër ti buçet prej fundesh

Pasqyrim’ i ti shëndritës. 


Ngarkesën kryesore në strofën e parë e kanë foljet që japin gjendje (dirgjet-pushon), me vargun e tretë të saj krijojnë kontrast. Poezia nis me një folje vetvetore veta e III, që shpreh gjendjen e kryefjalës: dirgjet (zbres), folja e dytë pushon krijon zbritjen e ngadaltë, duke paralajmëruar një lëvizje që nis nga thellësia si jehonë e kumbim i menjëhershëm drejt pasqyrimit (pasqyrim’ i ti shëndritës).

Vargu që hap poezinë  Dirgjet shpesh liqer-i kaltër jep një informacion të rëndësishëm, gjendjen e mjedisit (ulet, varet poshtë),  që synon të bëjë përshtypje me një mendim të veçantë të shprehur me ndajfoljen shpesh, si dhe përveç kësaj poeti na çon te epiteti i kaltër, si tregues i pamjes dhe tipar i mjedisit. Ndërsa vargu i fundit i poezisë Që prej zallit të shkretuar, synon një mbyllje të veçantë, poeti na çon në një lidhje logjike që e ndërton mes foljeve të perdorura në fillim dhe në fund dirgjet dhe të shkretuar (të varfëruar, të mjeruar) dhe lidhje kronologjike mes mjediseve liqer dhe zall.

Gjendja emocionale e poetit vjen komplekse; e trazuar, shpërthyese, ritmike, si vetë kënga e trazuar e poetit që  njejtësohet me ritmin e thellë, të trazuar të liqerit. Është vetë procesi i krijimit i tillë, që kalon në gjendje të tilla në rrugën e krijimit të artit. 

Në strofën e dytë, kemi shkallëzim të ndjenjës që jepet përmes lëvizjes (mes tokës dhe ujit – figura themelore e njëkohësisht tema të përhershme të poezisë së tij - përmes të cilave krijon lëvizjen poshtë - lart), nga një gjendje qetësie (Val’ e urtë (ujë) – dal- nga - dalë e fashe-fashe (qetë) përkundrejt zallit (tokë) të përbujshëm (që vërshon).

Nisja arrin kulmin e vet që përsëri përmes kontrastit të valëve të urta dhe paqtore me rrëmbim i zemëruar dhe uji hap një gjeratore (qerthull), gjëmë llaftarije – plagë -e hon në kraharuar, janë tregues i përdorimit të fjalëve që lidhen me dukuritë dhe jo me sendet; këto fjalë me të zeza reflektojnë perceptimin dhe jo vëzhgimin apo prekjen e tyre. Nga ku pohojmë se autori refuzon gjuhësisht vendngjarjen dhe kohën e ndodhjes, dhe krijon hapësira e shtrirje universale në poezinë e tij.


5. Motivi i peizazhit si formë poetike dhe paraqitje e natyrës i ka rrënjët te poezia romantike, si motiv vjen i gërshetuar me motivin filozofik e meditativ. Si lirikë e paraqitjes së peizazhit, dëshmon mjeshtërinë e lartë artistike që shfaq pikasjen e bukurisë së natyrës, shpreh ndjeshmërinë e thellë, shijen e hollë në përshkrimin e bukurive të vendlindjes, e sidomos të anëve më karakteristike, siç janë: lundrat, valët, liqeni, zalli, dirgjet, shkretuar.


6. Fjalët – kyç:  zemra e liqerit, gjeratore, llahtari, plagë, kraharuar janë thelbi i kësaj gjendjeje, gërshetojnë objekte me tipare që nuk përputhen me njëra-tjetrën në mënyrë normale duke e bërë kështu Poradecin poetin e sintezave të mëdha lirike. Në poezinë e tij shtresohet tokësorja, romantikja dhe hermetikja. 


7. Detaji kohë në poezi: Duke e lexuar në tërërsi poezinë mund të specifikojmë çaste kohore: mes të ditës, Detaje të mjedisit: liqeri, vala, zalli, lundra.


8. Rrëfimtari i poezisë fletë në vetën e tretë: dirgjet, nisen – (kush ai / ato). 


9. Rrafshet kuptimore të poezisë: Kuptimi i parë që ofron poezia është liqeri në kuptimin e drejtpërdrejtë, liqeni i Pogradecit. Kuptimi i dytë: liqeri si vendi shpirtëror, burimi i frymëzimit, zotërues i shpirtit të poetit, ose identifikim i poetit me vetë liqenin, si vendlindje dhe shpirt i tij.


10. Shkallët e përshkrimit janë shkallët e vetë njohjes së poetit, ku shprehen dhimbjet shpirtërore të krijimit si proces. Në këtë poezi luhet drama e njohjes dhe e vetë njohjes poetike. Zemra e liqerit dhe gjeratorja janë fjalë kyçe – që nënkuptojnë: Jetën njerëzore me qetësinë dhe të papriturat e saj që kërkon nga ne një shpirt luftarak – lëvizja rrethore -jepet përmes fjalës gjeratore - qerthull.


11. Zëri i rrëfimtarit dhe toni i poezisë. Gjendja shpirtërore që përcjell autori është misterioze që ndryshon nga paqtimi deri në shkretim, ndryshimi ka lëvizjet e veta ato tëhiqen dhe shtyhen nga jashtë dhe brenda. Dirgjet - pushon = tërhiqen; sipër buqet – prej fundesh – shtyhen; vale e urtë – zall i përbujshëm (që shpërthen), vale paqtore – rrëmbim të zemëruar – shtyhen. 

Ndryshimi fillon në dy vargjet e fundit të strofës së tretë, me rrëmbim të zemëruar / uji hap një gjeratore (vorbull, qerthull, shtjellë) – folja hap – është verpim që shtyhet më tej. Hap me gjëmë llaftarije / Plagë-e hon në kraharuar, përcjellin dhimbjen e brendshme të poetit për gjërat që ikin, dhe në procesin e ikjes ato bartin trishtimin tragjik të gjëmës (mynxyrë, ushtim i llahtarshëm, e plagë të thella (si hon që mbeten në kraharor, në shpirtin e poetit). 

Toni është serioz dhe shpreh admirimin e poetit për atë që sheh e perjeton. 


12. Atmosfera në dy strofat e para ndërtohet mbi një kundërvënie. Liqeri i qetë është në kontrast me zallin e përbujshëm. Vala e tij e qetë ledhaton zallin e përbujshëm, i cili është i tillë për shkak të lundrave që nisen prej tij. Fërkimi i fundit të tyre me zallin krijon një zhurmë të ashpër, kërcitëse, e cila bën kontrast me valën e qetë që thjesht e ledhaton atë (zallin). Dirgjet, pushon - buçet; Val’ e urtë’- zallit të përbujshëm.


13. Tema e poezisë: thelbi i këtyre vargjeve në dukje është natyra, peisazhi, ndërsa në thellësi është dhimbja e ikjes.


14. Gjuha poezisë; imazhi: Në poezi autori thekson më shumë shqisën e të parit dhe të dëgjuarit, përmes të cilave autori krijon përshtypje dhe shpërthen në ndjesi, Poeti krijon imazhe konkrete përmes të cilave do që lexuesi t’i shohë dhe t’i dëgjojë.

Përdorimi i figuracionit: 

vale e urtë i shtrohet anës - epiteti metaforik , 

zallit të shkretuar – epitet metaforik, 

hap me gjëmë llaftarije - metaforë; 

dirgjet shpesh - metaforë; 

liqeri i kaltër - epitet, 

sinonime: dal -nga -dalë – fashe -fashe.

Hiperbolë - Hap me gjëmë llahtarie,

Rrafshet e dyta të figurave që nënkuptohen: zemra -simbol i shpirtit të poetit dhe liqeri – simbol i vetë poetit. Gjeratore – simbol i tallazeve të jetës. Hon – simbol i fshhetësisë dhe thellësisë së shpirtit, skutat e errëta të shpirtit të njeriut.


15. Ritmin në poezi autori e krijon nga përsëritja e rregullt e rrokjeve të theksuara e të patheksuara në një varg. Figura e tingëllimit: Vargjet ndërtohen mbi figurën e aliteracionit. E gjithë poezia realizon muzikalitetin përmes fjalëve të lidhura me rimë të brendshme i – e  -u -r -q- ll  dhe rimë të jashtme – ditës – shndritës; fashe – levorashe, paqtore – gjeratore. Përmes figurave tingëllore që përdor poeti (aliteracioni - përsëritja brenda strofës e zanores u – me bashk. s, konsonanca - është përsëritja e bashk. sh dhe l, ll – q -r  dhe asonanca – është përsëritja e zanoreve i dhe e.). 


16. Lëvizja. Pasqyrimi i liqenit vjen nga poshtë - lart, jo qetësisht, por me një shpërthim shndritës. Poeti nuk thotë del, po buçet, duke na krijuar një imazh të fortë tingullor të asaj që ndodh. Përsëritja e tingujve u, e, ll, q, n, r, sh, d krijon pikërisht idenë e forcës, përplasjes, trazimit. Nuk kemi një pasqyrim dosido, por që vjen zhurmshëm, plot jetë dhe dritë. Qetësinë e liqenit e prishin njerëzit, lundrat, zhurmat e jetës, vetë jeta që gjallon. Detajet: Valë e qetë, por zalli është i përbujshëm; nisen lundrat levorashe. Funksioni: Nëpërmjet muzikalitetit të vargut (aliteracionit, rimave) realizon tiparet stilistike të estetikës simboliste. Te Poradecit tingujt, japin thirrjet e jetës nëpërmjet zanoreve.


17. Gjuha, si tipar konstant i lirikës së tij, është dëshmuese e shfrytëzimit të të gjithë mundësive tingëllore dhe asociative të fjalës, me përmbajtje të errëta: rrëmbim i zemëruar, fuqi misterioze: gjëmë llaftarije, plagë e hon në kraharuar.  


Gjuhë racionale dhe ndjesore, pikturale dhe muzikore, sa dhe reale. Mjeshtër i fjalës shqipe, peizazhist dhe dramatik. Ligjërimi ka sasi të madhe informacioni, që transmetohet përmes një gjuhe me ngjyrim emocional. Përveç fjalëve të përdorura në kuptimin e parë ose në kuptimin metaforik, fjalori i Lasgushit përmban edhe fjalë të bashkuara (dal -nga- dalë e fashe -fashe, sërë -sërë) ose të thurura sipas frymës organike të shqipes. Këto fjalë pasqyrojnë njëmëndësinë edhe mundësitë e shumta të shqipes si edhe artin e thellë të poetit: neologjizma: përbujshëm, levorashe (cipëz), gjeratore (qerthull, vorbull), llaftarije, kraharuar.



Nga Dr. Ermira Ymeraj 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

46,295 Lexime
2 vjet më parë