“Komploti i madh i mësuesve”

Në ditën e fundit të punës, një falënderim me humor për mësuesit që kanë një “komplot” të fshehtë: të na bëjnë më të zgjuar, më të ndjeshëm e më të fortë, edhe kur na hodhën në “ujë pa jelek shpëtimi”. Për "fajin e tyre", u jemi pafundësisht mirënjohës! Përshtatur nga Fiqiri Çifliku.

Nga Fiqiri Çfliku, ekspert arsimi



Praktikisht sot është dita e fundit e punës për të gjithë mësuesit. U mbyll edhe provimi i fundit i klasës së IX dhe i meritoni disa ditë pushim, pa menduar për vitin tjetër shkollor, pa e mbajtur mendjen te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e diplomave, lëvizja paralele, tek klasa që do të keni vitin që vjen dhe sfidat e reja që ju prisni. Në rregull shijojini këto ditë nëse ju lënë... 


Po sikur të themi se mësuesit kanë një agjendë të fshehtë? Jo, nuk bëhet fjalë për testet e papritura apo detyrat e shtëpisë, bëhet fjalë për një komplot shumë më të madh! Një rrjet i organizuar...besomëni.


Ata duke vepruar në hije, me përkushtim të heshtur, duke kaluar kufij që ne si kemi kuptuar deri vonë na kanë bërë të mendojmë, të ndjejmë dhe të rritemi.


Pra, le të hapim “Kutinë e Pandorës”. Të zbulojmë fajtorët. Ata që me një buzëqeshje "dinake" dhe një sfidë të llogaritur mirë, vunë në lëvizje ndryshime të vogla për të bërë diferencën në jetën tonë. Ky është një rrëfim mbi fajin e tyre… dhe mbi mirënjohjen tonë!

T’i fajësojmë mësuesit!  


Sepse, sinqerisht, ata kanë organizuar një komplot të madh për të na bërë… më të zgjuar dhe më të ndjeshëm.  


Znj. P më hodhi në ujë pa jelekë shpëtimi me një “Mjaftueshëm” në ese. Tronditje! Por më detyroi të qëndroj, më futi në vorbullën e letërsisë, dhe tani nuk mund të ndalem së lexuari. E fajësoj atë.  


Znj. C më trajtoi si njeri, jo si një emër në regjistër, kur qava për gjyshin. Më përqafoi, më ngrohu zemrën, dhe më mësoi se ndonjëherë kujdesi vlen më shumë se çdo leksion gramatike. Skandal!  


Z. M, mjeshtri i operacioneve sekrete financiare, ma siguroi ekskursionin më të paharrueshëm me një magji që do ta kishin zili edhe ekonomistët. Komplot i pastër!  


Një tjetër, znj. P më detyroi të lexoj poezinë me zë. Para të gjithëve. Kjo është dhunë psikologjike e patolerueshme! Por… më mësoi se kisha një zë. Dhe për këtë, fajësoj atë.  


Z. R na ushqeu me libra të ndaluar, dhe ndoshta edhe me ide të fuqishme. Filozofët e lashtë do të miratonin. Faj i rëndë? Na detyroi të mendojmë jashtë kufijve.  


Dhe z. B, mjeshtri i ditarëve, më bëri të shkruaj çdo ditë, pa kuptuar rëndësinë e tij, deri sa një shënim u kthye në një kujtim për dikë që nuk ishte më. Me lot e me fjalë që s’vdesin kurrë. E papranueshme!  



Mësuesit e fëmijëve të mi? Kanë vazhduar me këtë konspiracion. Me gjithë ndihmën e fshehtë, përqafimet e befasishme dhe vëmendjen e tyre ndaj detajeve. Ndaj t’i fajësojmë sot mësuesit. Për të gjitha këto kurthe dashurie, mençurie dhe plane të fshehta për të na bërë… më të mirë. Dhe për këtë faj, unë u jam pafundësisht mirënjohës.  Nëse ky nuk është një plan i mirëorganizuar, unë nuk di çfarë mund të jetë.  


Fajtorë të dashur, ju duam fort :)




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,901 Lexime
1 javë më parë