FILLIMI I MËSIMIT

Kur duhet të fillojë mësimi në shkolla?

Studimet thonë se nëse nxënësit nuk flenë 8-9 orë natën, mund të krijohen probleme të rrezikshme për shëndetin dhe rendimentin e tyre në shkollë. Nxënësit që flenë më shumë, arrijnë rezultate më të mira...

Mjetet e sotme të komunikimit që nga kompjuteri, tableti, i- podi dhe celulari nuk po përdoren vetëm për komunikim të thjeshtë, por edhe për t’u transmetuar dije të rinjve dhe gjithë shoqërisë. Ka një rendje të qartë dhe të vendosur të shumë vendeve drejt modernizimit të mjediseve të klasave dhe shkollave me të gjitha format e mundshme në funksion të mësimit. Shndërrimi i shkollës në një qendër komunitare ku shtyllat e arsimit, e kam fjalën për dhënien dijeve, t’i besohen internetit, është një problem që duhet marrë shumë seriozisht edhe tek ne, duke patur parasysh edhe gjendjen dhe mundësitë reale të vendit tonë. Problemi më i madh sot për të gjithë përdoruesit e mjeteve teknologjike dhe në radhë të parë për nxënësit e dy cikleve të para është koha e shumtë që i kushtojnë komunikimit on -line, në çdo kohë dhe deri në orët e vona të natës. Kjo sjell edhe lindjen e shumë problemeve që kanë si shkak pagjumësinë. Të shumta janë studimet e qendrave të fuqishme të kërkimeve dhe të gjitha bien dakord se orët e pakta të gjumit gjatë natës, kërkojnë doemos shtyrjen e fillimit të mësimit të nesërmen në mëngjes. Nga ky problem që ka pasoja të mëdha në ecurinë e jetës dhe mësimeve të nxënësve dhe veçanërisht të formimit të tyre, edhe Shqipëria nuk është e imunizuar.


Studimet thonë se nëse ata nuk flenë 8-9 orë natën, mund të krijohen probleme të rrezikshme për shëndetin dhe rendimentin e tyre në shkollë. Studiuesit Amerikanë tashmë janë të prerë dhe i bashkohen propozimit të mjekëve pediatër që theksojnë se duhet të shtyhet fillimi i orës së parë të mësimit me 25 minuta, pra jo më 8.00, por 8.30. Sipas Akademisë Amerikane Pediatrike, nëse adoleshentët e mësipërm do të shkonin në shkollë nga ora 8.30 ose më vonë, do të kishin më pak probleme shëndetësore dhe do të ishin me humor më të mirë. Kjo do të bënte që edhe rendimenti në shkollë të ishte më i mirë. Duke fjetur më shumë, rreth 8 orë e 30 minuta natën, kjo llogaritet të jetë koha e mjaftueshme, që nxënësit të mos vuajnë mungesën e gjumit kronik. Në rast të kundërt ja disa pasoja që vërtet do ta vinin në mëdyshje punën e shkollës dhe vetë nxënësve gjatë mësimit:

Nxënësit do të prekeshin drejtpërdrejt nga depresioni dhe nga mungesa e gjumit, e cila ndikon në lindjen e problemeve të ndryshme të shëndetit. 

Adoleshentët që nuk pushojnë mjaftueshëm rrezikojnë mbipeshën, vuajnë nga depresioni dhe shqetësime ankthi. 

Kur pastaj ata abuzojnë me substanca si kafe, alkool, duhan, do të kishim një kurbë gjithmonë në rënie, që jo vetëm kompromenton rendimentin në shkollë, por rritin edhe rrezikun për aksidente rrugore me makinë, motor dhe biçikletë. 


Besoj se edhe tek ne, jemi dëshmitarë të së njëjtës situatë, pasi nxënësit shprehin të njëjtat simptoma, si dhe bashkëmoshatarët kudo në botë, por pa dashur ta ekzagjeroj, mendoj se ndoshta janë edhe në gjendje më kritike. Sipas edhe vetë psikologëve shqiptarë gjendja sa vjen dhe rëndohet dhe duhen marrë masa të shpejta që të ruhet shëndeti dhe veçanërisht ai mendor, pasi po shkojmë drejt patologjive të celularovartësisë në disa rrjete të mëdha socialë


Në Amerikë shumë studime e dokumentojnë faktin se adoleshentët nuk flenë mjaftueshëm dhe detyrimisht janë patologjikisht të trullosur gjatë ditës në mjediset e shkollave. Sondazhi më i fundit nxori se 59% e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe 87% të shkollave të mesme, flenë shumë më pak se sasia e orëve të nevojshme që trurit të tyre u duhet të rikuperohet, pra 8.5-9.5 orë gjumi, këto të rekomanduara nga vetë mjekët. Po sipas një studimi tjetër të Universitetit të Minesotës, në 9 mijë nxënës së Minesotës, Kolorados dhe Viomingut, vetëm 34% e nxënësve që shkonin në shkollë në orën 7.30 të mëngjesit flinin mjaftueshëm, ndërsa kjo përqindje rritej deri në 66% për ata që fillonin në orën 8.55. Por ç’thonë studimet më tej? Si ndikon kohëzgjatja e fjetjes së detyruar për ta në rezultate? Padyshim nga studimi rezulton se nxënësit që flenë më shumë, arrijnë rezultate më të mira. Nuk do të ishte e lehtë t’i detyroje fëmijët që të flinin më shpejt, për t’u ngritur më shpejt, për të qenë aktivë që në orën 8.00 në bankat e shkollës. Propozimi thekson që shkollat të marrin masat që zilja e orës së parë të binte me gjysmë ose një orë vonesë, pasi ritmi biologjik i gjumit të fëmijëve është i ndryshëm nga ai i të rriturve. 


Adoleshentët priren fiziologjikisht të mos flenë para orë 11 të natës, pasi ndryshimet hormonale që ndodhin në trupin e tyre ndryshojnë edhe ritmin gjumë-zgjim. Me fjalë të tjera, adoleshentët për vetë moshën lodhen më vonë dhe flenë më vonë dhe kjo gjë sjell pasojën e paevitueshme që të zgjohen më vonë, ndryshe pagjumësia do të ishte faktor destabilizues i shëndetit në kuptimin më të gjerë të fjalës. Faji është i gjithi i trurit që nga 13 deri në 20 vjeç ndodhet në fazë të plotë të zhvillimit, duke mbizotëruar pjesa emocionale mbi atë racionale. Por kjo ka dhe shpjegimet e veta biologjike të provuara shkencërisht se në këtë periudhë hormonet e pubertetit veprojnë në disa zona specifike neutrale, para së gjithash, ato të lidhura me emotivitetin dhe instiktivitetin, duke i shtyrë nxënësit të veprojnë me impulsivitet dhe të ndjekin emocionet e tyre të menjëherëshme. Evelinë Crone, autorja e librit "Në mendjen e adoleshentëve", mendon se zonat e trurit të lidhura me vetëkontrollin arrijnë pjekurinë rreth moshës 22 vjeçare, kur procesi i zhvillimit neutral ka përfunduar. Deri atëherë, adoleshentët në vend që të pranojnë këshilla dhe tregues prej të rrituri, janë pafundësisht më të prirur që t’i thyejnë rregullat dhe truri i tyre nuk është në gjendje t’i vlerësojë pasojat e sjelljeve të tyre.


Nëse realiteti i shpjeguar shkencërisht flasin për rreziqe të mëdha për shëndetin, mendohet se janë të parikuperueshme, atëherë edhe shkolla shqiptare duhet të tregojë interes që pas disa studimeve në shkolla, të mund ta rregullojë me norma dhe rregulla fillimin e procesit mësimor në mëngjes. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për të bërë, veç pak kohë që edhe vetë shoqëria të ambientohet me një ndryshim që shpresoj të sjellë pasoja pozitive në jetën e adoleshentëve, të familjes dhe vetë shoqërisë


(Arjan Kallço; Portali Shkollor)

4,153 Lexime
5 vjet më parë