INTERVISTË

"Kur mësimdhënia të kërkon e para", ky është rrugëtimi i veçantë profesional i mësueses Florinda Palaj

Në rubrikën “Një mësues për t’u dashur” këtë radhë sjellim profilin e mësueses së arsimit fillor Florinda Palaj. Pasioni dhe dashuria për arsimin është ajo çka e diferencon më së shumti atë në rrugëtimin e saj profesional, qysh kur mbaroi vitet e gjimnazit. Ju ftojmë në këtë intervistë të veçantë.

Ndoshta ky është një nga profilet më të veçantë të mësueseve në Shqipëri. Historia e mësimdhënies së personazhit tonë të intervistuar zë fill në vitet ‘93-‘94. Ajo ishte një vajzë e re që sapo kishte përfunduar gjimnazin me nota të shkëlqyera. Për këtë iu propozua që të fillonte punë si mësuese, bazuar në një ligj të asaj kohe, nëpërmjet të cilit zhvillohej një konkurs ku merrnin pjesë vetëm të rinjtë që kishin përfunduar gjimnazin me nota maksimnale, me kusht që në universitet të konkurronin në degët e mësuesisë.  

Këtu merr jetë gjithë pasioni dhe dashuria për arsimin e Florinda Palaj. Nuk janë të paktë shkrimet, artikujt, por edhe projektet për të cilat ajo ka punuar si mësuese e që shumë prej jush i njihni, duke qenë se Portali Shkollor Albas ka qenë gjithnjë një mundësi mirëpritje për profesionalizmin. Ju ftojmë të lexoni intervistën që ne kemi zhvilluar me mësuesen në fjalë.



Ajo që të bënë përshtypje tek ju zonja Florida është dëshira për të ecur përpara; edhe kur hasni vështirësi mendoni të përshtateni me situatën, të përshtatemi p.sh edhe me të papriturën pandemi, pasojat e saj... ju kërkoni t’i ndihmoni kolegët tuaj duke u transmetuar atyre mesazhe të fuqishme, p.sh një shkrim juaji ka qenë me thirrjen “Do ja dalim”; Ju dëshironi që fëmijët, e ardhmja e këtij vendi, të jenë primarët në gjithë “lëmin” e arsimit duke kontribuar të gjithë për ta...por dihet, ne si shqiptar jemi skeptik...gjithmonë gjejmë diçka për të thënë...! 

Për të folur ju tani, nga ju vjen gjithë energjia dhe frymëzimi për të ecur përpara, pa u ankuar për të papriturat në profesionin tuaj si mësuese?


Energjia dhe frymëzimi më vjen nga dashuria për artin e të mësuarit dhe dashuria për nxënësit duke respektuar të gjitha të drejtat e tyre. Duke qenë se mësuesia është profesion fisnik përpiqem për të kontribuar pozitivisht në mjedisin e të mësuarit duke siguruar energji të mëdha dhe interes të madh për nxënësit. Forca ime e brendshme niset nga ideja që edukimi i nxënësit në arsim nis nga mësuesi i fillores. Është shumë e bukur kur nxënësit e tu mezi presin që tu japësh mësim apo që kur vjen koha për të vajtur në shtëpi të thonë që …Kemi më për të mësuar?.... 

Objektivi ynë është për të rritur anën tonë profesionale dhe me dëshirën e madhe për të mësuar një nxënës vjen natyrshëm, duke menduar që këta nxënës do t’i mësosh për pesë vite është një qëllim i fortë që duhet marrë seriozisht dhe me pasion. Janë këta nxënës që në vitet në vazhdim do të reflektojnë mbi bazat që ju ke dhënë ti si mësuese dhe në kulturën që ke paraqitur ti si prind-mësuese. Ka çdo rast edhe ditë që ndryshojnë nga njëra tjetra,edhe ditë të bukura edhe ditë të vështira, si edhe me nxënës të niveleve të ndryshme. Duhet një forcë e madhe dhe një plan i detajuar se si do e fillosh dhe çfarë të rejash dalin më pas. Në rast se fillimi është i mbarë është gjysma e punës.



Për ju vlen më shumë liria akademike apo mësimdhënia bazuar në librat për mësuesit?


Liria akademike nuk nënkupton vetëm lirinë e krijimtarisë shkencore, por edhe lirinë e dhënies së kontributit intelektual në krijimin dhe udhëzimin e opinionit publik. Barometri i mirëfilltë i shkallës së demokracisë është liria e shtypit dhe e shprehjes së lirë të mendimit sidomos të atyre që janë më të thirrur profesionalisht për ruajtjen dhe kultivimin e mendimit kritik në çdo fushë profesionale të jetës. Vetëm atëherë kur mungojnë debatet dhe liria e shprehjes së mendimit intelektual, duhet menduar seriozisht se diçka nuk është në rregull, atëherë ti bazohesh vetëm tek shabllone të gatshme dhe nuk bën kërkime për të dhënë mësim dhe leksione interesante në shkollë, si mësuese filloreje. Qëllimi i kësaj mësimdhënie  është që të ndërtohet një shoqëri shqiptare e dijes, që shoqëria shqiptare të integrohet në epokën digjitale, që të rritet lëvizshmëria dhe ndërvarësia e komunikimit, kulturës, zhvillimeve të reja shoqërore, që të kemi një konceptim të ri të procesit të të nxënit, që të rrisim rëndësinë e komunitetit, që të kemi një zhvillim të qëndrueshëm social e kulturor etj. Në  mësimdhënie dhe mësimnxënie përcaktohen shumë elementë reformues, por, ndër më kryesoret po përmendim: mësimdhënien me bazë kompetence dhe mësimdhënien me në qendër nxënësin. Mësimdhënia me bazë kompetence dhe mësimdhënia me në qendër nxënësin janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, sepse të dyja kanë në vëmendje nxënësin dhe procesin e të nxënit. Kurrikula me bazë kompetence e e zhvendos përqendrimin e  vëmendjes nga nxënia e përmbajtjes lëndore me mësuesin në qendër  për në situatat e të nxënit me në qendër nxënësin. Si rezultat, mësimdhënia kurrikulare me në qendër nxënësin ofron situata të ndryshme të të nxënit përmes të cilave, nxënësi formohet ne aspektin shoqëror, kulturor, intelektual e qytetar. Mësimdhënia bazuar në librat e mësuesit është shumë e mirë por ne duhet të jemi kreativ që të bëjmë ndërthurjen liri akademike-metodologji për të pasur një identitet mësues dhe një orë mësimi të suksesshme.



Cilat janë parimet tuaja dhe ai qëndroni gjithnjë këtyre parimeve brenda uniformës së rëndësishme që mbani?


Edukimi im  me kodin e etikës dhe rregullat e përgjithshme të moralit, brenda kuadrit të kulturës shoqërore në të cilën jetohet, është  një prej qëllimeve më parësore të miat. Përcaktimi dhe vendosja e këtyre normave të përgjithshme nuk është edhe kaq e vështirë. Një pëlqim apo miratim i përgjithshëm i këtyre parimeve dhe kritereve ekziston pak a shumë në kultura të ndryshme dhe parimet e mia janë (po i ndaj në pika):

  • Të mbështes nxënësit që të zhvillojnë dijet, shkathtësitë, qëndrimet dhe vlerat, që në harmoni me për gatitjet sistematike timen profesionale të kem mundësi ta realizoj me sukses punën time si mësuese dhe kolege mes mësuesish  në varësi me kodin etikë të mësuesit  për të qenë unike ndaj uniformës që mbaj.
  • Të zbatoj rolin për të qenë shume e komunikueshme me trinomin mësues-prindër-drejtori.
  • Gjithmonë të përmirësoj zotërimin e lëndës.
  • Të jem koherente ndaj çdo lloj situate të jashtëzakonshme që mund të ndodh.
  • Të zhvilloj veprimtari me nxënësit ku ata të jenë në qendër të mësimit, qoftë mësimdhënie apo mësimnxënie.
  • Një arsim që ngulit edukatën e punës dhe nxit përparimin.
  • Një arsim që formon individë mbi bazat e kodit të etikës.
  • Një arsim i gërshetuar me jetën.



Në një situatë si kjo e COVID-19, cilat janë objektivat dhe zgjidhjet tuaja personale si mësuese, në mënyrë që në fund të fundit mësimi të funksionojë dhe nxënësit të marrin dije?


Të jem në dispozicion të nxënësit më të gjitha rregullat e ministrisë pasi jeta e gjithsecilit është e shenjtë. 



A viheni në rolin e prindit për nxënësit tuaj dhe nëse po, sa dhe si? 


Që në hapat e para si mësuese më ka pëlqyer ky rol, duke e konsideruar nxënësin sikur ta kisha fëmijën tim, qoftë talent apo fëmijë me aftësi ndryshe. Prindërimi personal ka ndikuar shumë pasi përpiqem të jem gjithë kohës në komunikim me nxënësin për çfarë problemi që të ketë.



Sa ka ndikuar prindërimi personal në profesionin tuaj? Është mirë të jesh mësues prind, ka avantazhe për të kuptuar rëndësinë e të dyjave këtyre figurave në zhvillimin e fëmijëve?


Prindërimi personal ka ndikuar shumë në profesionin tim, pasi për të pasur edhe unë si nënë disa fëmijë të talentuar më është dashur të  punoj shumë me fëmijët e mi, që të jenë të aftëe për të bërë karrierë edhe në botë si një shqiptar i denjë..Një gjë e tillë më ka ndodhur me vajzën time INDA PIROLI e cila studion në një universitet të Kanadasë, ku është zgjedhur Presidentja e parë ndërkombëtare shqiptare e studentëve në një universitet të Ëinnipeg Manitobas në Kanada.

Të jesh mësues-prind është privilegj sepse fëmija ka një shkallë përkujdesje më të veçantë, duke qenë në kontakt me ndihmën që mund t’i japësh, literaturë shtesë si prind apo t’i dhurosh për ditëlindje një libër. Je kohërente me gjithçka që ndodh në botën e arsimit me ligje, me udhëzime ,me respektimin e të drejtave të fëmijës dhe je një mundësi e dytë për ta inkurajuar në çdo gjë...



Kujtimi më i bukur nga vitet tuaja të punës si mësuese, cili është?


Kujtimi më i bukur si mësuese është kur në vitin e parë të punës më vjen për kontroll nga zyra arsimore daja im Profesor JAK NDOCI ,i cili sot punon pranë Universitetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë. Ai ishte në atë kohë edhe pedagogu im më i mirë që më ka trajnuar me metoda dhe metodologji për arsimin ,për tu bërë në të ardhmen një mësuese e denjë.



Po më i keqi?


Kujtimi më i keq ka qenë kur u futëm në karantinim në gjendjen COVID-19 dhe humba kontaktin  me nxënësit që i dua shumë.



Perspektivat tuaja për të ardhmen në aspektin profesional, cilat janë? 


Perspektivat e mia në të ardhmen janë që të punoj në shkollat shqipe -kanadeze si mësuese.



Mesazhi që dëshironi t’i jepni kolegëve?


Duke qenë se keni zgjedhur profesionin e mësuesisë, duajeni shumë librin se ju duhet për të mësuarit gjatë gjithë jetës, sepse profesioni i mësuesisë është më i vështirë në botë, ku vjen pas pilotit që gjithë jetën fluturon në ajër.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

10,274 Lexime
6 ditë më parë