Letër për nënat: Ushqeni fëmijët me dashuri dhe mëngjese të shëndetshme

Shkrimi i Merita Kastratit thekson rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm për fëmijët, duke inkurajuar nënat të përgatisin mëngjes të shijshëm dhe të freskët për ta. Ajo vë në dukje se mëngjeset e përgatitura në shtëpi ofrojnë më shumë se ushqim, janë një shenjë dashurie dhe kujdesi për shëndetin e fëmijëve.

Të dashura nëna, zgjohuni herët dhe ndryshoni mënyren për të ushqyer fëmijët tuaj me dashurinë nga duart tuaja! 

Jam mësuese e më vret çdo ditë kjo gjë. 


Të dashura nëna, çdo mëngjes është një mundësi e re për të treguar dashurinë tuaj për fëmijët, jo vetëm me fjalë, por me vepra. Një nga mënyrat më të thjeshta dhe më të rëndësishme për ta bërë këtë është përgatitja e një mëngjesi të shëndetshëm në shtëpi. Fëmijët tanë janë në moshë rritjeje, ku çdo vakt ka rëndësi të madhe për zhvillimin fizik, mendor dhe emocional të tyre. Prandaj, është detyra jonë të kujdesemi që ata të ushqehen me produkte të freskëta e natyrale, jo me ushqime të fabrikuara që dëmtojnë më shumë se sa ndihmojnë.


Në kohët e sotme, shumë prindër zgjedhin rrugën më të lehtë … të blejnë produkte të gatshme: biskota, pije të gazuara, ëmbëlsira, patatina apo produkte të mbushura me sheqerna dhe vajra të përpunuar. Këto ushqime duken të shijshme dhe tërheqëse për fëmijët, por në të vërtetë janë “armiq” të shëndetit të tyre. Ato përmbajnë shumë kalori bosh, pa vlera ushqyese dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre duke shkaktuar obezitet, probleme me dhëmbët, mungesë përqendrimi dhe lodhje të shpejtë gjatë mësimeve.


Nga ana tjetër, një mëngjes i përgatitur në shtëpi…një vezë e zier, një copë bukë e thekur me djathë, një gotë qumësht apo kos, dhe një frut i freskët … i jep fëmijës energjinë e duhur për të përballuar ditën. Këto ushqime janë të pasura me proteina, vitamina dhe minerale që forcojnë sistemin imunitar, ndihmojnë zhvillimin e trurit dhe përmirësojnë kujtesën e përqendrimin. Një fëmijë që ushqehet shëndetshëm në mëngjes, është më i gjallë, më i qetë dhe më i suksesshëm në shkollë.


Përgatitja e mëngjesit në shtëpi nuk është vetëm një akt ushqimi, por edhe një shenjë dashurie. Fëmija e ndien kujdesin e nënës kur në pushimin e madh hap çantën dhe gjen aty një sanduiç të bërë me duart e saj, një frut të qëruar apo ndonjë kek të vogël shtëpie. Kjo ndjenjë i jep siguri, ngrohtësi dhe gëzim. Ai mëson që kujdesi për shëndetin nuk është luks, por mënyrë jetese. Ai mësohet të mos ketë turp të marrin me vedi ushqimin ne shkollë. 


Le të mos i lejojmë fëmijët tanë të “mbyten” në ushqimet e fabrikuara që shiten në çdo cep. Ato nuk janë dashuri, nuk janë kujdes … janë vetëm produkte pa shpirt, që dëmtojnë trupin dhe shëndetin e fëmijës sonë. Më mirë të zgjohemi pak më herët në mëngjes, të përgatisim diçka të thjeshtë, por të pastër e të ushqyeshme. Kështu i japim fëmijës jo vetëm një vakt të shëndetshëm, por edhe një shembull të mirë për jetën.


Sepse në fund, nuk ka gjë më të çmuar për një nënë sesa të shohë fëmijën e saj të rritet i shëndetshëm, i fortë dhe i lumtur. Dhe gjithçka nis nga një mëngjes i mirë, i bërë me dashuri në shtëpi.


Me dashuri prindërore ju drejtohem ju nënave, që dini të dhuroni gjithçka të bukur!



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

458 Lexime
2 ditë më parë