Leximi i librave ndihmon në njohjen e nevojave dhe emocioneve të fëmijëve
Leximi i librave ndihmon fëmijët të kuptojnë dhe menaxhojnë emocionet e tyre. Përmes personazheve dhe situatave, ata mësojnë rëndësinë e atashimit të sigurt, autonomisë dhe vetëkontrollit. Ky proces është thelbësor për zhvillimin e shëndetshëm emocional dhe për krijimin e lidhjeve sociale të shëndetshme.
Nga Bylyre Serjanaj - Psikologe klinike, kërkuese në shkencat sociale
Vlerësim në aspektin psikologjik për librin “Andrushi” të autorit Flori Kasaj
Libri “Andrushi” dhe “Andrushi dhe festa magjike” ndihmojnë fëmijët në njohjen e nevojave dhe të emocioneve
Librat “Andrushi” dhe “Andrushi dhe Festa Magjike” të autorit Flori Kasaj përfaqësojnë dy përralla që ndërtojnë një univers emocional të ngrohtë, ku empatia, kujdesi dhe reflektimi mbi ndjenjat shfaqen përmes përjetimeve dhe marrëdhënieve të personazheve. Përmes Andrushit, Andrinës, Andrikut dhe figurave kujdestare si zonja Vera, autori arrin të ndërthurë elementë që lidhen ngushtë me nevojat bazë të fëmijërisë, siç i përkufizon Jeffrey Young në Terapinë e Skemave: atashimin e sigurt, autonominë, kufijtë dhe vetëkontrollin, lirinë emocionale dhe spontanitetin përmes lojës. Këto nevoja përbëjnë themelin e zhvillimit emocional të fëmijëve dhe ndikojnë në ndërtimin e marrëdhënieve, përballimin e konflikteve dhe në procesin e vetë-rregullimit emocional.
Në planin e atashimit të sigurt, marrëdhënia e Andrushit dhe Andrinës është e qëndrueshme dhe mbështetëse. Kujdesi i zonjës Vera, e cila kujdeset për ketrushët si një gjyshe, u siguron atyre ushqim dhe mbrojtje, duke simbolizuar figurën prindërore të dashur dhe të disponueshme. Plotësimi i nevojave bazë për ushqim dhe strehim, përkujdesi dhe lidhja e qëndrueshme me fëmijët janë themel për ndjenjën e sigurisë emocionale. Kjo nevojë shërben si bazë për krijimin e marrëdhënieve të sigurta në moshën e rritur.
Nga ana tjetër, përmes përshkrimeve të situatave si ajo kur Andrushi mendon se kopshti është i tij, apo kur refuzon portokallet që nuk i pëlqejnë, autori prek me delikatesë nevojën për autonomi dhe ndjenjë kompetence. Këto episode janë thelbësore në zhvillimin e identitetit tek fëmijët, sepse tregojnë dëshirën për të pasur kufij të vetët dhe për të ndier kontroll mbi zgjedhjet personale.
Në aspektin e kufijve realë dhe vetëkontrollit, libri sjell një mesazh edukativ të qartë: “Të gjithë mund të bëjmë gabime, por e rëndësishme është të mos i përsërisim.” Kjo fjali përmbledh në mënyrë të mrekullueshme procesin e vetëreflektimit dhe të rritjes morale tek fëmijët. Përmes këtij mesazhi, autori u ofron lexuesve një kuptim jo ndëshkues, të përgjegjësisë, duke i ndihmuar ata të kuptojnë se gabimi është pjesë e procesit të të mësuarit. Personazhi i Andrikut, që fillimisht shfaq zemërim dhe impulsivitet gjatë prishjes së festës, paraqet një shembull të mirë për të diskutuar me fëmijët rreth mënyrave të menaxhimit të emocioneve.
Një aspekt i rëndësishëm që e bën librin të vlefshëm në punën psikologjike është trajtimi i shprehjes së emocioneve dhe nevojës për validim emocional. Andrikut i jepet hapësirë të shprehë ndjenjën e vetmisë, ndërsa personazhet e tjerë e dëgjojnë dhe e pranojnë (“Të jesh vetëm nuk është e këndshme”). Kjo është një formë e validimit emocional, ku ndjenja nuk mohohet, por pranohet. Përmes kësaj, autori modelon mënyrën se si mund të dëgjohet dhe pranohet vuajtja e dikujt tjetër.
Të dy librat pasqyrojnë bukur dhe shpesh nevojën për spontanitet dhe lojë, si element qendror i zhvillimit të shëndetshëm emocional. Skenat ku Andrushi dhe Andrina luajnë lart e poshtë pemëve apo në lëndinën madhështore, apo skena e festimit të krishtlindjeve, janë një manifestim i lirisë, kreativitetit dhe gëzimit.
Nga pikëpamja psikologjike, librat “Andrushi” dhe “Andrushi dhe Festa Magjike” janë mjete të vlefshme për përdorim terapeutik dhe edukativ. Në mjedise psikologjike, ato mund të përdoren për të nxitur reflektimin tek fëmijët përmes pyetjeve si: “Si do të ndiheshe po të ishe në vendin e Andrushit?”, “Cfarë të sjell ndërmend personazhi i Andrikut?”, “Si të bën të ndihesh sjellja e Andrikut?”, apo “Kush në jetën tënde të kujton zonjën Vera?”. Këto pyetje ndihmojnë fëmijët të lidhin ngjarjet e tregimit me përvojat e tyre personale.
Në një lexim më të thellë, mund të them se në këto dy libra autori pasqyron një spektër emocional të qartë, por kufizuar në përjetimin e emocioneve si frika, trishtimi apo zemërimi. Emocione që, edhe pse në literaturën për fëmijë mund të shmangen ose zbuten, duhen pranuar dhe kuptuar.
Në përmbyllje, veprat e Flori Kasaj ofrojnë një panoramë të pasur emocionale që fton fëmijët të mësojnë për kujdesin, dashurinë, përgjegjësinë dhe pranimin. Mesazhi i fundit që mund t’i drejtohem si autorit ashtu edhe lexuesit të vogël është i thjeshtë: Emocionet janë të gjitha të lejueshme. Është në rregull të ndjesh gëzim, ashtu si edhe frikë, trishtim apo zemërim. Ato kanë funksionin e tyre në vetëzhvillimin emocional, në pranimin e vetes dhe në ndërtimin e lidhjeve me të tjerët.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Mësues, kush jam unë?
Metoda, strategji, planifikim për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e të shkruarit për nxënësit me nevoja të veçanta