Leximi

Leximi i organizuar rrit dëshirën për të lexuar

Grupe fëmijësh, të rinjsh, të rriturish apo të përzier, mund të praktikojnë një lexim të përbashkët. Krijimi i një dhome të përbashkët leximi që mund të quhej edhe “kutia e librit”

Në kohët e “Që Motit” në vendin tonë, nuk kishte shumë njerëz që dinin shkrim e këndim, kështu që kur iu binte në dorë ndonjë libër, gazetë a revistë, ai që dinte të lexonte ua lexonte gjithë pjestarëve të shtëpisë. Po kështu ndodhte me filmat. Mbaj mend se filmin “Tre muskëterët” luajtur nga Zhan Mare, në lagjen time e tregonte një djalë i rritur, 4-5 vite më i madh se ne, të cilit i lejohej hyrja në seancat e pasditës që ishin të ndaluara për fëmijët poshtë 16-të vjeç. Ai që na i tregonte doemos që shtonte shumë skena nga vetja e vet, por kjo ne na pëlqente dhe na nxiste fantazinë.


Kohët e fundit kam menduar disa herë se ky zakon i “Që Motit” mund të përdoret i modifikuar edhe në ditët tona. Grupe fëmijësh, të rinjsh, të rriturish apo të përzier, mund të praktikojnë një lexim të përbashkët. Krijimi i një dhome të përbashkët leximi që mund të quhej “kutia e librit”. Një grup miqsh, që kanë inters për leximin në grupe 5-10 vetësh, mund të mblidhen në një dhomë, në një sallë apo edhe në një çadër plazhi dhe të fillojnë të lexojnë me zë, një numër të caktuar faqesh. Secili lexon 5-6 faqe apo një kapitull (nëse ata nuk janë shumë të gjatë) dhe ia kalon shokut. Kjo mund të jetë më efektive tek fëmijët nga 12-15 vjeçarë. Do të ishte më ideale që në lexim të merrnin pjesë prindërit, njëri ose të dy.


Përfitimet nga ky lexim do të ishin të shumëfishta: Së pari, fëmijët do të përfitonin gjithmonë në rritje dëshirën për të lexuar. Së dyti, do të kujdeseshin të lexonin sa më rrjedhshëm dhe më qartë që të ishin të kuptueshëm për bashkëdëgjuesit. Së treti, do të krijohej një konkurencë e bukur se, kush të lexonte më mirë e më qartë. Së fundi, fëmijët, por edhe të riturit, do të kishin mundësi t’i hynin një diskutimi të këndshëm për ato që kishin lexuar.


Si përfundim, nga leximi i organizuar do të përftonim rezultate të mira dhe shumë të mira në: të lexuar, të kuptuar, të dëgjuar dhe të folur (të diskutuar).


Le ta provojmë njëherë!


(Nga Erget Cenolli, mësues i Gjuhës Shqipe në shkollën 9-të vjeçare "Belorta")

2,915 Lexime
7 vjet më parë