Manushaqe Hoxha Laçi: Të ushqejmë rrënjët e arsimit që të korrim frytet e së ardhmes
Në shkrimin “Të ushqejmë rrënjët e arsimit që të korrim frytet e së ardhmes”, Manushaqe Hoxha Laçi, mësuese e kimisë në gjimnazin “Skënderbeu”, Krumë, trajton me realizëm sfidat e arsimit sot: ndërhyrjen e prindërve, mungesën e motivimit të nxënësve dhe ndikimin e telefonit në mësim.
Nga: Manushaqe Hoxha Laçi
Mësuese e lëndës së kimisë në gjimnazin ''Skënderbeu'', në Krumë, Has.
Nëse ndërhyjmë shumë dhe ndihmojmë pak do te shkatërrojmë arsimin me duart tona.
Dihet që nuk mjafton të krasitim vetëm degët, por të ushqejmë shëndetshëm edhe rrënjët, që të lulëzojë pema e të marrim prodhimin.
Motoja "Bashkëpunoni me ne që misioni ynë t’i ngulë thellë rrënjët dhe të lulëzojë" duhet të na shoqërojë në udhët e dijes. Por për të arritur këtë, është e nevojshme të kuptojmë sfidat që kërcënojnë sistemin arsimor sot.
Po rendis disa prej tyre:
1. Ndërhyrja e prindërve është kthyer në mbrojtje pa masë dhe dëm i madh pa dashje
Në punën time si mësuese kam vënë re që në vend që të jenë partnerë të shkollës në procesin e edukimit, një pjesë e madhe e prindërve zgjedhin të ndërhyjnë në mënyrë të pashmangshme, shpesh duke ushtruar presion mbi mësuesit që të tregohen më të butë me fëmijët e tyre, t’ua justifikojnë mungesat apo t’u vlerësojnë më shumë përpjekjet sesa rezultatet reale. Madje arrijnë deri aty sa kërkojnë haptazi nota maksimale plotësisht të pamerituara. Kjo sjellje, edhe pse mund të ketë qëllime të mira, sjell pasoja të rënda për zhvillimin e përgjegjësisë dhe pavarësisë te nxënësit.
Kur prindi i del gjithmonë në mbrojtje fëmijës dhe fajëson mësuesin për çdo vështirësi, ai dërgon një mesazh të qartë se fëmija nuk ka pse të përballet me pasojat e veprimeve të veta. Kjo krijon një iluzion të rrezikshëm ku autoriteti i mësuesit zbehet, ndërsa roli i nxënësit si përgjegjës për mësimin e vet zhduket. Në vend që të edukojnë fëmijë të pavarur, këta prindër, pa dashje, i mësojnë ata të shmangin përgjegjësinë dhe të presin zgjidhje të gatshme nga të tjerët.
Roli i prindit duhet të jetë mbështetës, por jo mbrojtës kaq i verbër. Prindi duhet të bashkëpunojë me mësuesin, të dëgjojë dhe të kuptojë, jo të gjykojë menjëherë. Vetëm kështu mund të ndërtohet një marrëdhënie e shëndetshme mes shkollës, familjes dhe nxënësit, ku secili ka një rol të qartë dhe një përgjegjësi të ndershme. E ardhmja nuk ndërtohet mbi ndërhyrje, por mbi rrënjë të heshtura dhe të qëndrueshme. Rrënjët e vërteta nuk duken, por mbajnë gjallë të ardhmen që duam.
2. Neglizhenca e vetë nxënësve, si pasojë e mungesës së motivimit në një botë shpërqendruese
Kam vënë re që shumë nxënës e shohin shkollën si një barrë të detyruar dhe jo si një mundësi për zhvillim. Shumë prej tyre ndihen të shkëputur nga ajo që mësojnë, duke mos e parë lidhjen mes teorisë së librave dhe jetës së përditshme.
Kam parë dhe dëgjuar përmes komunikimit me kolegë, që nxënës të zgjuar nuk angazhohen në orën e mësimit. Kur flas me ta, më thonë: “Po ç’më duhet kjo apo ajo lëndë? S’e përdor në jetë.”
Mendoj që teknologjia, rrjetet sociale, informacioni i menjëhershëm dhe joshjet e botës virtuale shpesh zënë vendin e dijes së qëndrueshme dhe e bëjnë më të vështirë përqendrimin dhe angazhimin në mësim.
Kjo mungesë motivimi nuk është gjithmonë faj i nxënësve. Shpesh është pasojë e mungesës së mbështetjes emocionale, mungesës së përfshirjes aktive në procesin mësimor dhe e mungesës së figurave frymëzuese, qofshin ato në familje apo në shkollë. Kur nxënësit nuk ndihen të dëgjuar, të sfiduar në mënyrë pozitive apo të përfshirë në mënyrë kuptimplotë, ata humbin interesin dhe e reduktojnë shkollën në një proces mekanik si detyra, nota, kalim klase.
Teorikisht e dimë që për të rikthyer motivimin, është thelbësore të krijohet një klimë që nxit kureshtjen, diskutimin dhe kreativitetin, por praktikisht është shumë sfiduese ta arrijmë në këto kohë aq shpërqendruese! Nxënësit duhet të shohin me sytë e ndërgjegjes së brendshme, se ajo që mësojnë ka ndikim në jetën reale, që mësimi është i gjallë, i zbatueshëm dhe i lidhur me botën përreth. Vetëm atëherë, rrënjët e dijes do të depërtojnë në tokën e duhur dhe do të japin fryte të qëndrueshme, pasi kur rrënjët ngulen në përgjegjësi, arsimi nuk lëkundet por lulëzon.
3. Ndikimi i telefonit në ditët e sotme është një thikë me dy tehe.
Kësaj çështjeje dua t’i kushtoj një vëmendje të veçantë, pasi telefoni është bërë pjesë e pandashme e jetës së çdo nxënësi. Megjithatë, përdorimi i tij i tepruar në ambientet shkollore ka sjellë shqetësime për prindërit, mësuesit dhe vetë nxënësit. Në këtë situatë, roli i prindërve është thelbësor për të ndihmuar fëmijët të kuptojnë se telefoni nuk është lodër, por një mjet që duhet përdorur me maturi dhe përgjegjësi.
Prindërit duhet të komunikojnë hapur me fëmijët për ndikimet pozitive dhe negative që sjell telefoni. Është e rëndësishme t’u shpjegohet atyre se përdorimi i pajustifikuar i telefonit në shkollë mund të dëmtojë përqendrimin dhe rezultatet në mësime. Kur fëmijët kuptojnë pasojat reale të këtij përdorimi, ata janë më të prirur të marrin vendime të zgjuara.
Fatkeqësisht, në shumë raste teknologjia është kthyer në një burim të madh shpërqendrimi, duke ndikuar negativisht në përqendrim, disiplinë dhe komunikim real.
Pikërisht për këtë arsye, telefoni cilësohet si një "thikë me dy tehe", ku nga njëra anë mund të ndihmojë, por nga ana tjetër, nëse përdoret pa kufij, bëhet pengesë për dijen.
Detyra jonë si mësues dhe e prindërve është të udhëheqim fëmijët drejt përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë. Me bashkëpunim të ndërsjellë, rregulla të qarta dhe komunikim të hapur, telefoni mund të shndërrohet nga një burim shpërqendrimi në një ndihmës të fuqishëm në rrugën drejt dijes.
Si mësuese me përvojë në arsim, mund të them në përfundim të këtij shkrimi, se vetëm rrënjët që mbillen me përgjegjësi dhe kultivohen me bashkëpunim, mbajnë peshën e një të ardhmeje që lulëzon me dinjitet.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Librat që duhet t'i lexojë çdo nxënës i klasës së 9-të