BOTIM I RI ALBAS

Maria Montessori, mësuesja që bëri reformë në mësimdhënie

Reforma pedagogjike e Maria Montessori-t ndryshoi rregullat e mësimdhënies. Metoda e saj, e famshme në mbarë botën, bazohej në një koncept të thjeshtë por revolucionar: “Loja, është metoda më e mirë për të punuar me fëmijën”.

Reforma pedagogjike e Maria Montessori-t ndryshoi rregullat e mësimdhënies. Metoda e saj, e famshme në mbarë botën, bazohej në një koncept të thjeshtë por revolucionar: “Loja, është metoda më e mirë për të punuar me fëmijën”. 


Çfarë kanë të përbashkët themeluesit e Google-it, Sergey Brin dhe Lary Page, Bill Gates-i; Garcia Marquez-i, apo guruja i kompanisë “Amazon” Jeff Bezos-i dhe babai i Wikipedia-s, Jimmy Walls? Të gjithë kanë studiuar në shkollat që ndjekin metodat e Montessori-t, të cilat u krijuan një shekull më parë nga një grua që sfidoi normat e kohës së saj dhe që krijoi një metodë studimi që ka përgatitur gjeni, pionierë dhe fitues të çmimit “Nobel”. Maria Montessori bëri revolucion në pedagogji, duke i vendosur fëmijët, krijimtarinë mendore dhe individualitetin e tyre në qendër të gjithçkaje. “Është folur shumë për të drejtat e njeriut, sidomos për të drejtat e punëtorëve, por ka ardhur çasti të flitet për të drejtat shoqërore të fëmijëve”, deklaroi ajo në Romë, në vitin 1907, gjatë inaugurimit të së parës prej shkollave të saj, të cilat u çelën më pas gjithkund në Itali dhe në botë. Këto shkolla u quajtën Case del bambino, ose Shtëpitë e fëmijës, dhe ishin të ndriçuara e mikpritëse, të përshtatura enkas për fëmijë të vegjël, në mënyrë që ata të ndiheshin të lirë për të shprehur maksimumin e energjive të tyre pozitive. Akoma më e jashtëzakonshme ishte gama e materialit didaktik që Montessori krijoi menjëherë pasi u diplomua për mjekësi (qe një nga tri gratë e para që ia doli mbanë), ndërkohë që ideonte metoda të reja mësimdhënieje për fëmijë me aftësi mendore ndryshe. Kësisoj, ajo paraqiti shkronjat me letër smeril, të cilat fëmijët do t’i mësonin jo duke i parë, por duke i prekur, pasi “duart janë instrumentet karakteristike të inteligjencës së njeriut”. Kjo metodë, në dukje argëtuese, në të vërtetë bazohet në një filozofi shumë serioze dhe largpamëse, gjatë së cilës çdo aktivitet të çon drejt një rritjeje harmonike të mendjes dhe të trupit, një metodë e cila do të vërtetohej nga shkenca e neurologjisë vetëm disa dekada më vonë.


Jeta personale e Montessori-t nuk përputhet me filozofinë e saj pedagogjike të qartë dhe të qetë. Pavarësisht problemeve në familje, ajo ishte e vendosur që të vazhdonte studimet, për t’iu kushtuar ideve të saj mbi pedagogjinë. Në këtë mënyrë, ajo ndoqi ëndrrën për një shoqëri të përbërë nga njerëz të aftë për t’u bërë mendimtarë kritikë dhe të zotët për t’ia dalë mbanë ekzistencës së tyre. Montesori ua besoi këtë ëndërr prindërve dhe mësuesve, duke u ngarkuar vetëm një detyrë, e cila është thelbësore për zhvillimin e fëmijëve: “Ndihmojini fëmijët t’i bëjnë gjërat vetë.”

Meqë u pengua nga regjimi fashist, Montessor-i u largua nga Italia në vitin 1934 dhe shkoi në Indi, ku e adhuronin duke e quajtur Mësuesja e Madhërishme. Bëri udhëtime të shumta dhe vdiq në një fshat të vogël pranë Detit të Veriut. Në epitafin e varrit të saj shkruhet: “U lutem fëmijëve të dashur, të cilët mund të bëjnë gjithçka, të bashkohen me mua për të ndërtuar paqen mes njerëzve dhe në të gjithë botën.”


 Maria Montessori në Londër, në vitin 1951. Metoda e saj e mësimdhënies është përhapur në të gjithë botën, me më shumë se 22 000 shkolla të certifikuara për të gjitha nivelet: 5 000 në Shtetet e Bashkuara, 1 200 në Gjermani, 370 në Irlandë, 220 në Holandë, 200 në Indi dhe 150 në Japoni. Numri i përgjithshëm është 66 500, nëse përfshijmë shkollat me orientim montesorian.



(Shkëputur nga albumi “50 gratë më me ndikim të epokës sonë” - botimi më i ri i Albas-it)


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,366 Lexime
3 vjet më parë