Mësimdhënia

"Menaxhimi i klasës me anë të metodave shkencore dhe edukative", përvojë nga puna e mësueses Hatije Aleti

Mësimdhënia është art dhe shkencë. Për një menaxhim të mirë të klasës, po jap disa metoda të thjeshta shkencore dhe edukative.

Mësimdhënia është art dhe shkencë. 

Do e nis me një shprehje të Albert Anjshatjnit: “Unë kurrë nuk i mësoj nxënësit e mi, unë vetëm përpiqem të siguroj kushtet në të cilat ato mësojnë”. 

Procesi i mësimdhënies kërkon aftësi të konsiderueshme për menaxhimin e një sërë detyrash e situatash që ndodhin në klasë çdo ditë. Menaxhimi i klasës dhe menaxhimi i sjelljes së nxënësve janë aftësi që mësuesit i fitojnë me kalimin e kohës dhe këto aftësi perfeksionohen pas një eksperience të caktuar.


Secila fjalë që flet mësuesi duhet të jetë mësim, çdo hap që ai bën duhet të jetë shembull i mirë. 

Një fjalë e urtë thotë: “Një mësues i mirë është si një qiri që konsumon sepse një mësues i mirë mëson nga zemra dhe jo nga libri”. 


Ne përballemi me klasa të ndryshme e nxënës të cilët vijnë më së shumti nga fshatra të ndryshëm. Në shkollën tonë kemi nxënës të ardhur nga zonat e thella veriore dhe nxënës autoktonë. Megjithëse janë përshtatur shumë mirë me njëri tjetrin, mbartin problematika sociale në familjet e tyre si: emigracioni, papunësia, etj.  

Si rrjedhim, këto klasa dallohen tek tuk për nivelin e ulët mësimor e kulturor dhe jo rrallë paraqesin problem që lidhen me punën tonë në shkollë. 

Me aftësitë që kemi ne si mësues, duhet ta menaxhojmë mirë klasën. Qëndrimi ynë pozitiv do t’i mbajë nxënësit të angazhuar dhe të motivuar në mësim. Mësimdhënia bëhet më e bukur kur ne i trajtojmë nxënësit tanë si shokë. Edhe pse të mësuarit dhe mësimdhënia janë të vështira, kjo nuk do të thotë që nuk mund të argëtohemi në klasë duke përdorur mënyra të reja të mësimdhënies në mënyrë që nxënësit ta shohin me interes lëndën tonë aq të bukur, të gjuhës shqipe. Nëse një nxënës nuk mëson në mënyrën që ne shpjegojmë ndoshta duhet të mësojmë të shpjegojmë në mënyrën që ato të mësojnë.


Për një menaxhim të mirë të klasës, po jap disa metoda të thjeshta shkencore dhe edukative. 


Komunikimi i mirë


Përdorimi i ritmit të zërit në komunikim. Shpjegimi i mësimit ideal përsa i përket tonit të zërit, ritmit dhe fjalorit të përshtatur për nxënësit. Janë disa nga faktorët më të përshtatshëm për tu marrë parasysh. Një shembull i kësaj janë ato klasa, në të cilat nxënësit duhet të mbajnë vazhdimisht vëmendjen e tyre. Mundësia e përdorimit të komunikimit të mirë e nxit vëmendjen e fëmijëve përmes ritmeve të ndryshme të zërit dhe ngritjes e uljes së volumit.


Parapërgatitja 


Parapërgatitja e mësimit ka përparësi kryesore. Ne nuk duhet ta lëmë për ditën që duhet të shpjegojmë edhe pse kemi vite punë. Duhet të jemi gjithmonë të përgatitur për temën që po shpjegojmë në përputhje me të renë. Në gjuhën shqipe hyjnë vazhdimisht fjalë të reja. Fjalori pasurohet vazhdimisht. Rishikojmë terma apo koncepte për të cilat kemi mëdyshje apo paqartësi. Nxënësit duhet ta kuptojnë sa më mirë atë që themi. Shkruani paraprakisht një përmbledhje të mësimit, mbani shënime, krijoni skema, diagrame për të lehtësuar procesin e shpjegimit.


Organizimi i klasës


Bëni një plan të qartë të asaj çka dëshironi të shpjegoni. Detyra jonë si mësimdhënës është të shpjegojmë thelbin e mësimit dhe konceptet kryesore. Duke qenë se nuk ka kurrë kohë për të mësuar gjithçka, zgjedhim konceptet më të rëndësishme dhe tregoni se si lidhen ato me ato çfarë mund të kenë mësuar më parë ose çfarë do të mësojnë në të ardhmen nxënësit, qoftë në lëndën e gjuhës shqipe ose në lëndë të tjera. Përfundojmë çdo orë mësimore me një përfundim për temën e trajtuar.


Qartësia e shpjegimit


Mësuesit e mirë duhet të shpjegojnë ide komplekse në mënyra të thjeshta. Gjithashtu, ne duhet të shpjegojmë terminologji dhe koncepte në mënyrë që nxënësit të jenë të rrjedhshëm kur flasin për lëndën e tyre. Shumë koncepte mund të shpjegohen në mënyrë më të lehtë me mjete të ndryshme si: diagrame, vizatime, tabela, etj. Duhet të sigurohemi që ato të jenë mjaft të mëdha për t'u parë dhe të qarta për t'u lexuar.


Aktivizimi i nxënësve


Ne duhet të nxisim nxënësit të mendojnë qartë. Në qoftë se ata nuk përdorin në mënyrë aktive konceptet që po u mësojmë, do të kujtojnë vetëm një pjesë të vogël të tyre. Duhet ti largohemi shpjegimit tradicional ku vetëm mësuesi shpjegon. Nxënësi është në qendër të vëmendjes. Përdorimi i metodave bashkëkohore sjell më shumë rezultat për nxënësin dhe lehtësim për mësuesin. Një nxënës nxë më shumë informacion, në qoftë se aktivitetet në klasë janë interesante dhe kanë për qëllim që të nxitin punën e pavarur në grup. Mësuesi mund të përdorë çdo mjet për të cilin ai është i sigurt se do të ndikoje pozitivisht në sjelljen e nxënësve.


Motivimi


Motivimi është burimi kryesor që duhet të kenë mësuesit, pasi mund të kemi rezultate të shkëlqyera të nxënësve kur ata motivohen. Për këtë arsye, ne si mësues duhet ta përqendrojmë punën tonë në hetimin se cili është motivimi i nxënësve tanë, në mënyrë që të gjëjmë zgjidhje dhe të kemi rezultate më të mira.


Durimi


Duhet t’u japim nxënësve tanë kohë të përpunojnë informacionin dhe mundësinë të bëjnë sa më shumë pyetje. U tregojmë atyre që është mirë të bëjnë gabime dhe se mund të të mësojnë prej tyre. Nxënësit duhet të jenë të përgjegjshëm për punën e tyre. E rëndësishme për mësuesin, gjatë orës së mësimit, është të kuptojë se sa informacion është kuptuar nga nxënësi. Mësuesi duhet të jetë shumë i vëmendshëm se çfarë mund të bëjë ose të mos bëjë nxënësi i tij, si i përdor nxënësi mjetet didaktike dhe çfarë informacioni merr ai prej tyre, etj. Mësuesi udhëzon si duhet të punojë nxënësi në bankë, çfarë detyre ka ai në grup, sa i aftë është ai të punojë në projekte të vogla ose në grup.


Drejtësia në vlerësim


Ne duhet të jemi të drejtë në vlerësim. Nëse ulni notën apo ulni pikë në një pyetje provimi, nëse penalizoni dikë për një detyrë të vonuar, duhet të jemi në gjendje të shpjegoni pse morëm këtë vendim. Duhet të vendosim rregulla të qarta që në fillim për lëndën tonë, dhe t'i zbatojmë ato në mënyrë të barabartë dhe të qëndrueshme, përndryshe do të humbasim besueshmërinë.


***


Vetë bota në të cilën jetojmë sot, na krijon mundësi të pakufizuara për ndryshim, siç nuk kanë kufi ndryshimet që ndodhin në të. Që të jemi të suksesshëm, duhet të mësohemi të jetojmë në këtë botë dhe, ashtu siç ndryshon gjithçka në botë, ashtu duhet të ndryshojmë dhe ne në mendimet, në sjelljet, në çdo punë që kryejmë. Mësimdhënia është një proces në ndryshim të vazhdueshëm, që reflektohet në përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor.

Nga Hatije Aleti, mësuese në shkollën 9 vjeçare “Qazim Mehja”, Oblikë


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,036 Lexime
4 javë më parë