Mësuesit nuk edukojnë thjesht dhe vetëm një brez të ri, por disa brezni njëherazi - Nga Evans Drishti
Një reflektim i ndjerë mbi rolin e mësuesit, që përmes një bisede të lirë në klasë, pas rikthimit nga pushimet e dimrit, zbulon se fëmijët trashëgojnë tipare jo vetëm nga prindërit, por edhe nga brezat e mëparshëm. Edukimi kërkon bashkëpunim, durim dhe hapësira socializuese.
Një bisedë e këndshme u zhvillua në klasë në përmbyllje të periudhës së parë të dhjetorit që lamë pas. Biseda nuk kishte të bënte aspak me librin, ndaj u kërkoi që librat t’i mbyllnin dhe t’i fusnin në çanta. Një gëzim dhe hare vuri re menjëherë në fytyrat e fëmijëve, të cilët nuk e prisnin një kërkesë të tillë të mësuesit.
Ai interesohej për familjarët dhe të afërmit e fëmijëve. U krijoi një ambient dhe atmosferë tejet familjarizuese, teksa secili/la e ndiente veten të qetë dhe pa ndonjë ankth.
Biseda e lirë krijoi një atmosferë shumë të këndshme, ku u vu re se një pjesë e mirë e fëmijëve qëndronin vetëm në shtëpi, ndërkohë që prindërit e tyre punonin, se një pjesë dërrmuese kishin një xhaxha apo një hallë, një teze apo një dajë dhe se një pjesë e mire e tyre jetonin emigrantë në vende të ndryshme të botës. Komunikimi ishte i pakët dhe realizohej vetëm nëpërmjet një mesazhi apo bisede në kamera. Ndjenin një mall të zjarrtë për kushërinjtë e tyre, sepse u mungonin dhe se s’mund të luanin bashkarish.
Por, diçka vuri re gjatë bisedës, pjesa më e madhe u shprehën se përtej prindërve u ngjasonin edhe dajallarëve, xhaxhallarëve, tezeve apo hallave. Pra e kuptonin se kishin marrë dukshëm tipare prej tyre. Dikush shprehej se i ngjante dajës së vet, pasi edhe ai kishte qenë dhe ishte i lëvizshëm dhe hiperaktiv, dikush thoshte se i ngjante hallës, pasi as ajo nuk kishte patur dëshirë të bënte detyrat, madje mërzitej edhe prej mësimeve, dikush thoshte se ngjasonte me tezen për nga paraqitja dhe për nga natyra, teksa vinte re se edhe ajo shpeshherë sillej e paduruar.
Ashtu sikurse kishte edhe nga ato anë pozitive, kur dikush shprehej se i ngjante shumë xhaxhait, pasi edhe ai e pëlqente matematikën dhe shkencat ekzakte njëlloj sikurse i pëlqente edhe ai vetë tani si nxënës, dikush tjetër shprehej se historia mbetej lënda e saj e preferuar, pasi edhe daja i saj kishte shfaqur përherë interes ndaj historisë, madje sot ishte mësues historie.
Madje kishte edhe nga ata, megjithëse të pakët në numër që u shprehën se sipas mendimit të prindërve dikush i ngjasonte një xhaxhai të babait të vet, ndërsa tjetra thoshte se i ngjasonte stërgjyshit të saj, i cili kishte patur po ato pasione sikurse edhe ajo tani që ishte fëmijë.
Ndaj kujdes!
Jemi sot përpara një brezi të ri, që mbartin natyrshëm tipare jo vetëm të prindërve të tyre, por edhe të gjeneratave të mëparshme, veçanërisht të gjeneratave të pas viteve 90-të. Mos të harrojmë! Gjenerata e pas 90’tës sot janë të moshës së 30-35-të, të cilët tashmë kanë krijuar familjet e tyre duke ardhur në pozicione të hallës, dajës, tezes apo xhaxhait.
Kur komunikojmë me një fëmijë jemi të detyruar të vetëpërmbahemi, pasi natyra e tij/e saj shkon përtej gjeneratës së prindërve, ngaqë trashëgimia është dhe mbetet gjenetike.
Dikush ngjason për nga fytyra, dikush për nga fiziku, por ajo që mbetet problematike është përballja me mendësi jashtëzakonisht të vështira për rikuperime. Të shtojmë këtu edhe aspektin tjetër gjeografik të zonave nga vijnë dhe ku janë rritur, të cilat natyrshëm janë influencues të drejtpërdrejtë të natyrës së një fëmije.
Ndaj, një punë këmbëngulëse u përket padyshim prindërve, të cilët duhet të njohin më thellë natyrën e fëmijës së tyre duke qenë bashkëpunëtorë të vijueshëm me mësuesit në zhvillimin hap pas hapi të fëmijës. Vetëm në këtë mënyrë procesi i zhvillimit do ishte më i lehtë për t’u zbatuar.
Nga ana tjetër, institucioni i shkollës, veçanërisht drejtoritë e shkollave e kanë detyrim të krijojnë hapësira më të shumta socializuese për të nxjerrë akoma më në pah tiparet “e fshehta” të fëmijëve, në mënyrë që nga njëra anë të kuptohen më qartë dhe të mos përballen me situata të padëshirueshme, që sjell fenomeni famëkeq i bullizimit në realitetin e sotëm, e nga ana tjetër të kultivohen dita – ditës elitat e një institucioni, jo thjesht dhe vetëm si nxënës, por edhe si ideatorë frymëzues.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Rikthimi në shkollë pas pushimeve dimërore, si të krijoni një atmosferë pozitive për veten dhe nxënësit tuaj
Përse vlerësimi formativ është më efektiv sesa vlerësimi përmbledhës?