MOTIVIMI NË MËSIMDHËNIE

Mësuesja e filozofisë Elona Sulovari: Motivimi si hapi i parë drejt suksesit në mësimdhënie

Përveç rëndësisë që ka motivimi në të gjitha fushat e jetës ai është një ndër faktorët kryesorë në procesin e mësimdhënies, ai shton vullnetin dhe interesimin e nxënësve për lëndët dhe dëshirat për t’u arsimuar. Artikull me këshilla për këtë çështje nga mësuesja Elona Sulovari.

Motivacioni është forca që nis dhe vazhdon të drejtohet drejt një qëllimi të caktuar ai është shuma e motiveve. Motivimi ndryshon në intensitet dhe qëndrueshmëri nga një individë tek tjetri, ai e shtyn atë të për të kryer një veprim të caktuar. Përveç rëndësisë që ka motivimi në të gjitha fushat e jetës ai është një ndër faktorët kryesorë në procesin e mësimdhënies, ai shton vullnetin dhe interesimin e nxënësve për lëndët dhe dëshirat për t’u arsimuar.


Sipas Terell H. Bell “ Tri janë gjërat që duhet të kujtoni rreth edukimit:

  1. E para është motivimi.
  2. E dyta është motivimi.
  3. E treta është motivimi.


Motivet i ndajmë në të brendshëm dhe të jashtëm. Motivimi i brendshëm ka të bëjë me:

  • Arritjen e qëllimeve që vetë nxënësit i kanë vënë vetes.
  • Të plotësojnë kuriozitetin e tyre.
  • Për të plotësuar pritshmëritë e tij.
  • Për kënaqësi personale etj.


Motivimi i jashtëm: është i drejtuar nga jashtë.

Nxënësit motivohen nëpërmjet sistemit të shpërblimit apo prindërit e tyre ( plotësime dëshirash, të ardhura apo dhurata të ndryshme).

Motivohen nga mësuesit nëpërmjet sistemit të vlerësimit.

Motivohen me anë të fjalëve lavdëruese. Në këtë rast përdorim edhe ndëshkimet apo frikërat nga prindërit dhe mësuesit ( bërja e detyrave nga frika e notës negative p.sh).


Si mësimdhënëse një ndër problemet kryesore në institucionin arsimor ku unë punoj ( dhe jo vetëm) është pikërisht mungesa e motivimit. Këtë problem do të më pëlqente ta shihja në dy këndvështrime:

 

E para motivimi mungon tek mësuesit.

E dyta motivimi i munguar tek nxënësit.


Le të analizojmë së bashku këto hipoteza. Çdo ditë në marrëdhënien e krijuar tashmë prej vitesh në një institucion arsimor shoh dhe dëgjoj gjatë gjithë kohës ankesa nga kolegët të tipit:


“Nuk të vjen të bësh mësim te kjo klasë”.

“Nxënësit nuk kanë pikë interesi për lëndën time”.

“Ky brez që po edukojmë të vështirëson më shumë punën”.

“Ky drejtori ynë ti pret krahët”.

“Nuk ta vlerësojnë punën që bëjmë”.

“Jemi bërë si sekretar me këto shkresa” etj, etj.


Këto janë fjalitë standarte që jam e sigurt që i dëgjojmë sot në çdo institucion arsimor ( ndoshta dhe vetë mund ti kemi shprehur ndonjëherë). Por si mund ta zgjidhim këtë problem?


  • Në fillim duhet të evidentojmë faktorët që na çojnë në një situatë të tillë e më pas të përpiqemi t’i ndryshojmë ato. Një ndër faktorët është mungesa e pasionit për punën.
  • Duhet të mësojmë ta duam punën tonë. Mos harroni ne kemi në dorë të ardhmen e tyre. Fuqia e fjalës sonë ndërton shoqërinë e edukon atë dhe mundohet ta përsos.


Shkolla (institucion arsimor) është vendi ku ne kalojmë mbi gjysmën e ditës sonë, prandaj ky institucion duhet të kenë kushte të mira pune; infrastrukturë të rregullt, laburatore, biblioteka), por ajo që është e rëndësishme dhe një klimë pozitive mes kolegëve. Fryma e bashkëpunimit dhe vlerësimi i punës i ndërsjellë do të rrisë akoma më shumë dëshirën për punë.


  1. Drejtuesi i institucionit duhet të ruajë ekuilibrat mes mësuesve dhe gjithmonë duhet të nxisë zhvillimin e brendshëm profesional. Ai ka rol kryesor në menaxhimin e institucionit , por jo vetëm herë pas here mësuesit duhet të vlerësohen nga ai dhe kolegët në konkurse të krijuara brenda institucionit ( mësuesi i javës, psh). Në këtë mënyrë do të rritet dëshira dhe interesi për profesionin.
  2. Sa më pak shkresa dhe më shumë studime në fushën e gjithsecilit. Në ditët e sotme mësuesit ankohen gjithnjë e më tepër për shkresurina pa fund ( shumica e tyre janë formale) dhe nuk japin kënaqësi profesionale, por lodhje fizike dhe mendore. Po sikur këto shkresurina t’i zëvendësonin me metoda të reja mësimdhënie, me studime të vlefshme  në fushën e sociologjisë (anketa, pyetësorë) me klubet letrare në letërsi etj. Në këtë mënyrë kemi zgjidhur dy probleme: Të nxënësve – Të mësuesve.


Hipoteza e dytë ka të bëjë drejtpërdrejt me motivimin e nxënësve. Si mësuese kujdestare në bisedat e lira me maturantët e unë i pyes shpesh për objektivat që i kanë vënë vetes dhe dëshirat që ata kanë. Përgjigjja që marr më zhgënjen pa masë. Shoh 18 – vjeçar që nuk kanë asnjë qëllim. Pritshmëritë e tyre janë zero. Ndërsa dëshira më e madhe “Të largohen nga Shqipëria”. Cilat janë arsyet kryesore që mund të justifikojnë këtë sjellje?


  1. Mungesa e një sistemi ( ndëshkimesh dhe shpërblimesh) që edukohet nga familja, ky sistem bëhet iniciues kryesor i motivimit të jashtëm.
  2. Kushte të pamjaftueshme për ta bërë orën më interesante ( video projektor, eksperimente të ndryshme, intervista). Teknologjia nxit gjithmonë kureshtjen e tyre dhe kur ajo mungon interesi i tyre për lëndën bie.
  3. Mungesa e mësuesve të specializuar për lëndën. Lëndët më të bukura dhe të dashura për nxënësit në fillimet e tyre janë lëndë si: muzika, vizatimi apo teatri. Në shumë shkolla këto lëndë zhvillohen nga mësues të cilët duhet të plotësojnë normën mësimore dhe nuk mund ta transmetojnë siç duhet lëndën.
  4. Mungesa e urave të komunikimit mësues – nxënës. Komunikimi është çelësi i suksesit. Në qoftë se mësuesi nuk njeh dhe vlerëson personalitetin e nxënësit fillimisht ai nuk mund të vlerësojë siç duhet atë. Në qoftë se ne njohim dëshirat e tyre e kemi më të lehtë të gjejmë mënyrat e nxitjes.
  5. Mësuesi duhet të jetë frymëzues për nxënësin. Ajo që nuk duhet të harrojmë asnjëherë është se ne jemi ende shembull që ato ndjekim madje shpeshherë kthehemi dhe në idhull: Një mësues ka frymë të ndryshojë botën!


Mos e harroni asnjëherë! Mundohuni që me sjelljen, fjalën dhe dijet tuaja të jemi burim motivimi dhe frymëzimi për nxënësit.


  • Nxënësit duan të argëtohen ndërsa punojnë. Bëhuni kreativ, mundohuni të krijoni lojëra argëtuese gjatë orës së mësimit. Shmangni monotoninë dhe ndryshoni herë pas here strukturën e klasës suaj.
  •  Inkurajoni! Bëjeni ata të ndihen të rëndësishëm. Lëvdojini shpesh nxënësit tuaj. Falënderojini për kontributin e tyre sado i vogël qoftë ai.
  • Oferta e stimujve – stimujt ose shpërblimet i japin nxënësve shtysa për të përmbushur pritshmëritë e tyre.
  • Hiqni paralele me botën dhe mendimet e tyre. Kjo gjë jo vetëm tërheq vëmendjen, por rrit empatinë, ndaj tyre. Kjo gjë atyre ju pëlqen i duket sikur jeni një prej tyre.


Nga Elona Sulovari 

Mësuese e shkencave sociale, shkolla e mesme e bashkuar "Astrit Hyka", Berat


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,641 Lexime
2 vjet më parë