MATURA SHTETËRORE

Migjeni - M’at anë gardhit asgjë e re, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe

Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohet proza “M’at anë gardhit asgjë e re” e Migjenit.

Test për maturantët në lëndën e letërsisë. 

Proza “M’at anë gardhit asgjë e re”- Migjeni 



Një vransinë si plumbi pushonte mbi qytetin gjithë ditën. Jeta zhvillohej e ngathët, disi xvarrisej. Gjethët e para të vjeshtës këputeshin nga dega, zig-zak e bajshin udhën nëpër ajër e sa përkitëshin tokën si me thanë: qé, këtu asht vendi ynë. Por, aty para muzgut, pa-pritë, fryni një erë e rreptë. U shkrepën xhamat ndër dritore dhe dyert e lagjes mbarë; gjethët si të tërbueme fluturojshin në të gjitha anët, derisa ma në fund u qetsojshin në ndoj qoshe. E n’oborr, mbas shtëpis’ së Selim Mesit, teshat e lame, që gjithë ditën shtrie nuk u terën, tashti filluen të valaviten, të rrahen, të fluturojnë, të shkrahen nëpër tokë bashkë me gjethë. Një grue e re tue nga e tue ba poterë të madhe me ndalla, del jashtë e mbas saj,  ngadalë, një plakë. Shpejt fillojnë me mbledhë teshat. Kur e reja, tue mbledhë teshat, mbrrin té gardhi që ndan dy oborret e dy shtëpijavet, ndalet, vështron m’at anë të gardhit një copë herë, e kur mbrrin plaka i thotë me za t’ultë:

“S’ndëgjohet gja”!... dhe mbasi kaloi stuhia, e reja thoshte që t’i lanë teshat dhe ma n’oborr.

E m’at anë të gardhit asgja të ré. Vetëm që një rreze dielli, e cila kish depërtue retë dhe si shifet, tue mos gjetë vend ma të mirë në botë, kish ra në pleh. Një  gjel, të cilin e kish zanë gjumi mbi pleh, u zgjue dhe ja tha kikirikuuun gjatë e tingllueshëm.

- Plaç, he dreq! se më trembe! – pëshpëriti plaka, e cila ish vue me vështrime m’at anë gardhit - nuk shifte gjelin aty afër mbas gardhit.


Rrethoni përgjigjen e saktë

1. Krijimtaria e Migjenit në formën e shkurtër në prozë përfshin:

a. tregime,

b. novela/skica letrare,

c. roman,

ç. asnjëra nga alternativat.


2. Në prozën e shkurtër të Migjenit janë të pranishme motivet nga:

a. realiteti i ashpër shoqëror,

b. poezia e tij lirike,

c. tema shoqërore ekzistenciale,

ç. të gjitha së bashku.


3. Ç’kuptoni me skicë në prozën e shkurtër të Migjenit?

a. Tregime me fabul të zhvilluar veprimi;

b. tekste ku veprimi vetëm sa skicohet;

c. tregime me dy linja paralele veprimi.


4. Mënyra e rrëfimit në skicën “M’at anë gardhit asgja e re” anon nga:

a. realizmi,

b. simbolizmi,

c. ndjenjat e lirizmi.


5. Në një tekst të tillë:

a. mungon ngjarja,

b. ka përshkrim të gërshetuar me dialog,

c. të dyja së bashku.


6. Gardhi në tekst është simbolizon:

a. kufirin mes ndërtesave në një zonë banimi,

b. kufirin mes një bote që nuk ndodh asgjë e një botë që pret të ndryshojë,

c. kufirin mes një realiteti imagjinar.


7. Titulli” M’at’anë gardhit asgja e re” shtron përpara lexuesit një:

a. alternativë zgjidhjeje të ngjarjes,

b. një dilemë çfarëdo,

c. fund tragjik pa zgjedhje e zgjidhje. 


8. Stina e vjeshtës, në të cilën zhvillohet ngjarja, sugjeron:

a. rifillimin e jetës, gjallërimin e saj,

b. mbylljen e ciklit jetësor, fundin e saj,

c. jetën që vyshket, pa ngjarje, pa ndryshime,

ç. ndërrimin e stinëve, kalimin nga një cikël jetësor në një tjetër.


9. Krahasimi  vransinë si plumbi  në fjalinë e parë të fragmentit: Një vransinë si plumbi pushonte mbi gjithë qytetin,  ka funksion:

a. të përshkruajnë stinën e vjeshtës,

b. të shprehë e analogojë natyrën  me gjendjen e rënduar shpirtërore,

c. të nxisë imagjinatën e lexuesit.


10. Në  fjalinë Jeta zhvillohej e ngathët, disi zhvarrisej gjenden dy metafora:

a. emërore,

b. foljore,

c. kombinohet një metaforë emërore me një foljore. 


11. Koncepti  Jetë në fjalinë e mësipërme, përmes metaforave:

a. bëhet konkrete,

b. shpirtëzohet,

c. fiton tingëllimë të veçantë.


12. Detaji i erës së rreptë që fryn dhe vështrimi që hedh e reja përtej gardhit simbolizon:

a. veprimin,

b. shkëndijën e shpresës për ndryshim,

c. apatinë dhe mungesën e lëvizjes.


13. Fjalia S’ndëgjohet gja është në provën e një:

a. pranimi të gjendjes,

b. konstatimi të gjendjes,

c. mohimi të gjendjes,

ç. kundërshtimi të gjendjes.


14. Në fjalitë: E m’at anë të gardhit asgja të re. Vetëm që një rreze dielli, e cila kish depërtue retë dhe si shifet, tue mos gjetë vend ma të mirë në botë, kish ra në pleh. mbizotëron figura e:

a. metonimisë,

b. similitudës,

c. ironisë.


15. Ironia në fragmentin e mësipërm kalon në për tri shkallë dhe është ndërtuar mbi dy figura të kundërta, që janë:

a. nusja-plaka,

b. rrezja e diellit-plehu,

c. gardhi-qielli.


16. Si mund ta interpretojmë rënien e diellit në pleh?

a. Dielli bie në pleh, sepse plehu plehëron jetën;

b. edhe atëherë kur shenjat paralajmëruese janë pozitive, ato bien ndesh me realitetin jetësor;

c. rënia e diellit në pleh zbulon anët me të errëta të realitetit.


17. Në fjalinë: Një gjel, të cilin e kish zanë gjumi mbi pleh, u zgjue dhe ja tha kikirikuuun gjatë e tingëllueshëm, figura artistike e përdorur është:

a. hiperbolë,

b. onomatope,

c. paradoks.


18. Ku qëndron paradoksi në kuptimin e fjalisë së sipërpërmendur?

a. Është normale që gjeli këndon kur bie rrezja e diellit në mëngjes, paralajmëron agimin;

b. rrezja e diellit pas erës së fortë ka zgjuar veç gjelin, i cili prish qetësinë; ai s’kupton asgjë dhe gëzohet për asgjë;

c. gjeli këndon zakonisht kur qëndron mbi pleh.


19. Në fjalinë: - Plaç he dreq! se më trembe, ironia arrin kulmin në shkallën e saj të tretë, nëpërmjet:

a. komunikimit të plakës me gjelin,

b. kombinimit të tri figurave: plaka, plehu, gjeli,

c. veprimit të gjelit.


20. Cili është interpretimi i saktë i këtij kombinimi figurash:

a. ajo stuhi që pritej të sillte ndryshime, nuk shkaktoi asgjë, veç këngën e një gjeli;

b. ka trembur plakën;

c. ka hedhur dritë e ka nxjerrë në sipërfaqe jetën e vyshkur, të kufizuar nga një gardh;

ç. të gjitha së bashku.


21. E gjithë skica ndërtohet mbi;

a. metaforën dhe metoniminë,

b. simbolin dhe ironinë,

c. paradoksin dhe antitezën.


22. Cila veçori e stilit të Migjenit gjendet në fragment?

a. Toni polemik,

b. qëndrimi kritik,

c. revolta,

ç. kundërvënia ndaj traditës.


23. Cila nga alternativat e mëposhtme paraqet mesazhin që përmban skica?

a. Godet luftën mes së vjetrës dhe së resë;

b. dënon në heshtje moralin hipokrit të shoqërisë, e cila nuk përpiqet të ndryshojë, edhe kur i paraqitet mundësia;

c. ndryshimin nuk e sheh në veprimet konkrete, por në zhurmat e sipërfaqësore të dukjes;

ç. të gjitha së bashku.  



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

14,543 Lexime
3 vjet më parë