Miradije Berishaj nderohet me Vlerësim të Jashtëzakonshëm nga Drejtoria Arsimore e Vjenës për kontributin në arsim

Mësuesja shqiptare Miradije Berishaj, që punon në disa shkolla në Vjenë dhe jep edhe mësime të gjuhës shqipe, u nderua për herë të dytë nga Drejtoria Arsimore e Vjenës me Vlerësim të Jashtëzakonshëm për kontributin në bashkëpunimin me prindërit në kontekst migracioni.

Miradije Berishaj, mësuese shqiptare nga Kosova, e cila prej vitesh punon në disa shkolla në kryeqytetin austriak, Vjenë, është nderuar së fundmi nga Drejtoria Arsimore e Vjenës me një Vlerësim të Jashtëzakonshëm për kontributin e saj të vyer në arsim dhe bashkëpunimin me prindërit në kontekst migracioni.


Ky vlerësim i është dhuruar si shenjë mirënjohjeje për angazhimin profesional dhe realizimin me sukses të projekteve që promovojnë përfshirjen aktive të prindërve me sfond migracioni. Aktivitetet e saj kanë ndikuar dukshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shkollës dhe familjes, një aspekt thelbësor për zhvillimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe të shëndetshëm arsimor.

“Është nder dhe kënaqësi të marr Mirënjohje të jashtëzakonshme nga Drejtoria e Arsimit në Vjenë. Faleminderit për vlerësimin dhe mbështetjen! Kjo më jep motivim të vazhdoj me përkushtim punën time në arsim!”, – u shpreh mësuesja Berishaj pas marrjes së këtij vlerësimi.



Krahas punës së saj si mësuese në sistemin arsimor të Austrisë, znj. Berishaj është gjithashtu mësuese e gjuhës shqipe, duke mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën e origjinës tek fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë. Kontributi i saj është një shembull i përkushtimit dhe profesionalizmit që tejkalon kufijtë kombëtarë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në një shoqëri gjithnjë e më shumë multikulturore.



Por, kjo nuk është hera e parë që mësuesja Miradije Berishaj vlerësohet për punën e saj të palodhur dhe përkushtimin ndaj fëmijëve shqiptarë në diasporë. Në qershor të vitit 2023, ajo është nderuar nga Drejtoria Arsimore e Vjenës me një tjetër Vlerësim të Jashtëzakonshëm, ku theksohej kontributi i saj në bashkëpunimin me prindërit, mësimdhënien cilësore dhe kujdesin ndaj nxënësve shqiptarë. Ky vlerësim i mëparshëm vetëm sa përforcon figurën e saj si një mësuese model dhe zë e ndihmesë e vyer për ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor në diasporë.

"Drejtoria Arsimore për Vjenën ka kënaqësinë t’i shpreh Znj. Miradije Berishaj, mësuese në shkollën fillore, në adresën 1100 Vjenë, Jagdgasse 22 – VLERËSIMIN E JASHTËZAKONSHËM për angazhimin e saj të madh në bashkëpunimin me prindërit, si dhe për mësimdhënien dhe kujdesin e shkëlqyer ndaj fëmijëve shqiptarë". (Vlerësimi është dhënë në qershor 2023.)


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

436 Lexime
4 ditë më parë