Anekdotat dhe mitet në mësimdhënie

Ndikimi i anekdotave e miteve në mendjen e nxënësit

“Thjeshtësia, shkurtësia dhe mesazhet jetësore janë ato që mbeten në mendjet e nxënësve”, sugjerime mbi ndikimin e anekdotave e miteve në mendjen e nxënësit nga mësuesi Luan Stafasani.

Anekdotat janë tregime të mençura, të shkurtra e thumbuese dhe humoristike nëpërmjet të cilave shpjegohen dukuritë shoqërore, ngjarje të personazheve të njohur që japin në mënyrë metaforike e alegorike interpretime jetësore.


Përdoren gjerësisht edhe si paralelizma në të folurën e përditshme dhe sa herë folësi i ditur bie ngushtë në një situatë të caktuar "thërret" në ndihmë një anekdotë e përqas me situatën ku gjendet dhe i mëshon mesazhit të anekdotës.


Për shkak të shkurtësisë e mesazhit të mençur që përmbajnë kam vënë re në punën time si mësues se anekdotat mbahen mend shumë nga ana e nxënësve të të gjitha niveleve. Të njëjtën mund ta them edhe për mitin e përrallën me të cilat ngjason shumë anekdota. Përkufizimin e thjeshtuar të mitit si tregim i lindur për të shpjeguar botën nuk e harrojnë përkundër përkufizimeve gjuhësore që mund t'i harrojnë lehtësisht. Kur i pyes se pse mbajnë mend më shumë anekdotat, mitet përrallat më thonë se janë të shkurtra, shkaktojnë të qeshurën dhe përmbajnë mesazhe e shpjegime të paharrueshme jetësore.


Prej kësaj unë si mësues kuptoj se sidomos deri në klasën e 12-të nxënësit preferojnë një lloj të tillë mësimi, të shkurtër e të përmbledhur, i lehtë për t’u mbajtur mend dhe edukues.


Po cilat janë disa nga anekdotat që nxënësit kanë ngulitur thellë në mendjen e tyre?


Më e parapëlqyera është ajo e zakonit për të larguar plakun e shtëpisë pas një mali të largët dhe kur i biri e zbriti nga shpina ku e kishte ngarkuar në një thes dhe u ulën të ndezin nga një cigare i ati i tha se bash në këtë vend ishte ulur të pushonte edhe ai me të atin e tij. Atëherë djali i plakut duke menduar se të njëjtën gjë do të pësonte edhe ai kur të plakej vendosi ta thyejë këtë traditë dhe e ktheu të atin në shtëpi. Morali është se si të shtrosh do të gjesh.


E dyta vjen anekdota e atij që po mbante dikë në kurriz dhe në një moment e uli të pushojë pak e të marrë frymë lirisht, mirëpo i zbrituri nga kurrizi iu hakërrye e i tha se ishte askush meqenëse e ndali hapin. Morali është se nëse njeriut ja prish rehatinë qoftë edhe një herë të vetme t'i harron gjithë të mirat që i ke bërë.


"Miza në tru", anekdota që shkakton më shumë të qeshurën tek nxënësit është historia e një adoleshenti që i ishte fiksuar se në kokën e tij kishte hyrë një mizë dhe i gumëzhinte gjithë kohës e për këtë kërkonte të operohej në tru. Pas këmbënguljes së adoleshentit,prindërit inskenuan me ndihmën e një mjeku të njohur prej tyre një operacion e pas qëndrimit disa ditor në spital adoleshenti u ndje shumë mirë. Pas një viti, tek bisedonte me prindërit e tij dhe po u thoshte se sa sëmurë kishte qenë para operimit, prindërit duke menduar se i kishte ikur fiksimi i treguan duke qeshur se thjesht kishin inskenuar operimin. Pasi mësoi të vërtetën djaloshi iu tha se tani me të vërtetë i kishte filluar zhurma e mizës në tru e nuk mbante më ujë pilafi po kishte nevoje reale për operim. Mësimi është që duhet të shmangim idetë fikse (fiksimet) e të jemi mendje hapur.


Si zgjatim ose të ngjashme me "Mizën në tru" nxënësit përqasin "Mendja kokërr gruri"e cila ka në qendër dikë që papritur ishte ndjerë me çrregullime psikike dhe kur e pyetën se ç'kishte ndodhur iu përgjigj sëmendja është kokërr gruri, bie në tokë dhe e ha pula. Mesazhi është se mendja, sidomos e adoleshentëve është shumë e brishtë e do ruajtur me kujdes.


"Lopa e çmendur" është anekdota në të cilën djali i tha babait se në fshatin e tyre ishte therur një lopë e çmendur dhe të gjithë po blinin mishin e saj. Babai i kërkoi të birit të nxitonte të blinte edhe ai. Mëdyshjes së djalit babai i tha se duhet të sillemi si gjithë të tjerët që është dhe morali tregimit anekdotik.


"Njeri s'je" është historia e një djali nopran që u rrit duke dëgjuar nga i ati gjithë kohës se kurrë nuk do të bëhej njeri. Një ditë djali u largua nga shtëpia dhe pas shumë kohësh u bë mbret dhe urdhëroi ushtarët t’ia sillnin të lidhur babanë e tij. E kur kjo ndodhi i tha të atit se tani pasi ishte bërë mbret besonte se ishte bërë njeri. l ati i tha se mbret je bërë po njeri jo, se po te ishe i tillë nuk do të urdhëroje të më sillnin të lidhur. Morali është se para së gjithash duhet të bëhemi njerëz pastaj merr rëndësi posti a profesioni.


"Për vete e ke" si tregim anekdotik ka në qendër një lypsar që sa herë i jepnin diçka ju thoshte se për vete e ke. Njërit nuk i pëlqente kjo shprehje dhe i kërkon llogari lypsarit se pse nuk jepte urata në këmbim të asaj që merrte dhe lypësi i tha prapë se për vete e ke. Një ditë njeriu i pakënaqur me lypësin i tha të shoqes të gatuante një kulaç të ngrohtë për lypsarin dhe i dha edhe ca pluhur të bardhë që do ta shijonte. Lypësi pasi mbërriti në portën e njeriut të pakënaqur, mori kulaçin e ngrohtë tha fjalët e zakonshme, u largua dhe mendoi ta linte për më vonë kulaçin e ngrohtë. Tek pushonte në pyll u afrua një djalë i ri që vinte nga kurbeti, i lodhur e i uritur pranoi ftesën bujare të lypësit për të ndarë kulaçin e ngrohtë. Pasi ndahen, djaloshi me të mbërritur në shtëpi takon babanë e tij (njeriun e pakënaqur) i tregon se pasi ka ngrenë kulaçin e një lypësi po i merrej fryma dhe mbylli sytë përgjithmonë. Mësimi është se çdo veprim që ndërmarrim do ditur që na kushton ne së pari pastaj të tjerëve.


Ndërsa prej miteve më i parapëlqyeri është: 


"Miti i Sizifit" e kjo prej faktit se jeta e njeriut i ngjason dënimit të Sizifit, ngjitja e gurit të madh në majë të malit e rrokullisja e tij poshtë ashtu edhe njeriu është një lloj Sizifi me rutinat e tij të përditshme.

Më mbresëlënës për nxënësit mbetet "Miti i Edipit"të cilin e lidhim edhe me "Kompleksin e Edipit" të shpjeguar nga Frojdi me përfundimet e arritura se vajzat janë më të lidhura me baballarët ndërsa djemtë me nënat e tyre.

Narcizi është një tjetër mit që nxënësit nuk e harrojnë lehtë për shkak të fundit tragjik që pati Narcizi egoist i dashuruar me veten e tij mbytet ne ujin që pasqyronte fytyrën e tij. Më shumë nxënësit mbajnë mend tipologjinë e njeriut egoist që përfaqëson Narcizi.

Mitin e Arianës e mbajnë mend prej zgjuarsisë e prakticitetit që përfaqëson personazhi i këtij miti e cila futet ne katakombe duke tërhequr pas vetes një fill peri i cili e ndihmon të dalë pasi ka përshkruar katakombet. Ndoshta nxënësit më shumë e mbajnë mend prej shpjegimit psikologjik se fëmijëria e  njeriut i ngjason fillit të Arianës, e ndjek njeriun në çdo etapë të jetës së tij.


Në përfundim ajo që dua të nënvizoj është fakti se thjeshtësia, shkurtësia dhe mesazhet jetësore janë ato që mbeten në mendjet e nxënësve dhe do ishte mirë që autorët e teksteve mësimore ta kenë parasysh këtë fakt.



Nga mësuesi Luan Stafasani

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,035 Lexime
1 vit më parë