E PAHARRUAR PËR TË GJITHË

Në kujtim të mësueses Sonela Totraku, simbolit të forcës njerëzore

Të afërmit, kolegët, miqtë, nxënësit dhe çdokush që e njihte e kujton tashmë Sonela Totrakun si femrën dhe mësuesen simbol të forcës njerëzore. Pas betejës disa vjeçare me kancerin e gjirit ajo ka lënë pas kuptimin për vlerën e jetës dhe të buzëqeshjes!

Të gjithë vijmë në jetë për t’i mëshuar fortë një qëllimi! 

Për të gjithë ajo qe e njohur si njeriu luftëtar që diti të japë mesazhe të mëdha për jetën! 

Sonela Totraku diti t’i buzëqeshte madje edhe sëmundjes disa vjeçare duke u përjekur pareshtur ta luftonte atë, deri në ditën e fundit. Por 14 prilli ishte një ditë e trishtë. Ajo u largua nga kjo jetë duke lënë pas dhimbje që nuk mund të përshkruhen, por dhe forcë nga e cila të gjithë ne jemi frymëzuar e nga e cila marrim shembull. Do të mbetet e paharruar! 


Sonela Totraku ishte një mësuese e përkushtuar dhe profesioniste. Kolegët dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Betim Muço” në Tiranë, na kujtojnë se ajo e donte punën siç e donte edhe jetën. Sonela Totraku ishte një mësuese për t'u dashur! 


Në Shqipëri u kthye në simbol të luftës kundër kancerit të gjirit, duke mbështetur dhe duke i dhënë kurajë çdokujt që i kishte rënë për fat të diagnostifikohej me një sëmundje të tillë.  Sonela Totraku u bë burim force dhe frymëzimi. 


Kolegët, miqtë dhe nxënësit nuk mundën t’i jepnin lamtumirën e fundit për shkak të situatës ku ndodhemi. Portali Shkollor përcjell këtë shkrim homazh në nder të kujtimit të saj, duke sjellë mesazhet e kolegëve, miqëve dhe nxënësve. 




“Shkëlqimi i saj nuk ka për t’u zbehur në auditorët e shkollës sonë…      

Mësuese Sonela Totraku do të mbetet për të gjithë ne kolegët e shkollës “Betim Muco” një emër i shkëlqyer që përmbush dimensionet bashkëkohore të profesionit tonë të nderuar. Profesioniste, pasionante, e palodhur si edukatore, e qeshur dhe rrezatuese dhe po aq korrekte në çdo aspekt dhe marrëdhenie të punës së saj. Megjithëse mbante për shumë vite peshën e një sëmundje të rëndë, ajo shprehte vetëm dinamizëm. 

Mes nxënësve duke i këshilluar e motivuar, mes tyre në shumë veprimtari edukative dhe artistike e shikoje përherë të qeshur mësuese Sonelën. Prandaj ata i falnin lumturi e gëzim si ndër njerëzit më të dashur për ta. Kolegia jonë e paharruar nuk pranonte tolerancë a meshirë. Ajo ishte gjithmonë mes kolëgeve të saj të nderuara të cilat e thërrisnin yll e dritë. Ndjehej shumë mirë në stafin tonë, e shprehte lumturinë e na falënderonte vazhdimisht, por ajo ishte e para, rrezulluese. Mendoj se ishte një artiste e vërtetë, në punën e saj. Ajo harronte çdo ngarkesë familjare a shpirtërore sepse e dinte se vetëm kështu mund të përmbushte misionin e saj të shenjtë si edukatore. Sonela do të mbetet si një shembull motivues për të gjithë ne”. 


Me respekt Sazan Halilaj, drejtori i shkollës “Betim Muço” 




“Në një ditë të trishtë me shi dëgjova lajmin më të keq për ty mikja ime. Më kishe prerë në besë…Ti Sonela ime, buzagazja ime, nuk frymoje më…Dhe lotët rrodhën të nxehtë pa patur mundësinë e lamtumirës, pa të thënë fjalët e fundit, pa të puthur ballin e argjendtë…Si mundet të pranojë njeriu të tilla tragjedi, si mundet që ta besoja që ti ike pa thënë asgjë e duke thyer premtimet? Dhe tani s’kanë mbetur veçse kujtimet. Eh…sa shumë kujtime me ty e ëmbla Sonelë! Sa me fat isha që të njoha. Sikur të kishim një jetë bashkë…lexonim në sy njëra-tjetrën, plotësonim njëra-tjetrën . Ti ekselentja ime që nuri të qeshte gjithmonë, e lindur për të mbretëruar zemrat, destinuar për t’i pikëlluar ato në stinën e luleve, se lule ishe ti ndaj të thonim “luledielli” se me diellin ishe dashuruar, me hënën zbukuruar. S’paske qenë e jona o dritë! Yjet të donin pranë, ndaj ike u largove kështu papritmas mes lotëve të shiut, pikëllimit të babit Ferit e motrave plagëhapura, dëshpërimit të kolegëve që aq shumë të deshën. Do ta çaja malin me forcën e shpirtit veç të të takoja dhe njëherë . Kthema kohën o Zot se borxh ti ma ke marrë…Sa të të them se…E di ti Sonelë sa shumë të kam dashur, sa shumë të kam adhuruar moj vajzë? Se perfeksioni kishte emrin tënd, ndaj ishe destinuar për parajsë. E sfidoje vdekjen ke lozur e je tallur me të por ajo ish tinëzare, pabesisht e zezë. E ndërsa ti…ai rrezatim parajse, duhet ta kishim njohur por s’kish se si …hyjnoren veç e adhurojmë . S’ta lexuam kurrë dhimbjen të fshehur e strumbulluar në vena e kapilarë. Dhe kështu papritur na duhet ta pranojmë humbjen…Një humbje që dhemb…lë gjurmë. Më vjen ëmbël në kujtime. Nuk të lëshoj Aromë luleje. Urtësi hyjnore…e gjendur ne memorien time sot e përgjithmonë”. 


Nga Irena Biba, kolege dhe mike 





“Ti ishe frymëzim për secilin prej nesh. 

Sa shumë na ka trishtuar largimi yt nga kjo jetë, Sonel! 

E ëmbla jonë, siç të thonim të gjithë ne, kolegët e tu të shkollës “Betim Muço”. Në çdo moment më përfytyrohet buzëqeshja që nuk të hiqej kurrë nga fytyra jote e bukur. 

 Edhe pse në shpirt mbaje sëmundjen tënde të rëndë, Ti përsëri ishe e dashur dhe e qeshur me kolegët,  nxënësit dhe prindërit. 

Ishe një mësuese e talentuare e gjuhës shqipe. Punoje me nxënësit më aq durim e këmbëngulje. Puna jote e pasqyruar në aq aktivitete letrare e artistike të shkollës, na linte të gjithëve me gojë hapur sepse habiteshim si e gjeje tërë atë kurajo e durim për të arritur majat si profesioniste. 

Pjesa teatrale “Gjaku i arbrit” e punuar aq mjeshtërisht me nxënësit e klasave të gjashta, na emocionoi të gjithëve. Ishte një punë e realizuar aq bukur dhe me aq durim nga ana jote, saqë dhe regjisoret e vërtetë nuk do ta arrinin. 

Kurrë nuk të kasha dëgjuar të thoshe “ U lodha” ose “ Nuk mundem”. Çdo detyrë e kryeje pa përitim dhe pse trupi yt mund të stërmundohej për shkak të sëmundjes së rëndë. 

Nuk kam takuar në jetën time njeri më me kurajo se ty Sonela!

Ti na bëje që dhe në momentet tona të vështira si mësues, të gjenim fuqi dhe durim për të ecur përpara. Sa herë kemi shprehur me njëri–tjetrin, ne kolegët e tu, se Ti ishe frymëzim për ne në çdo moment që të shikonim. Sepse ti e shijoje jetën çdo sekondë, duke nënshtruar “kuçedrën “ që po të shkatërronte pak nga pak. 

Për ne do të mbetesh e paharruar dhe shembulli më i mirë motivues. 

U prehsh në paqe Sonela!”


Nga Majlinda Peçi, kolege 





"Sonelë, . . e dashur Sonelë…. 

Ti ike kaq shpejt, 

Ashtu si vet jeta rrjedh, 

Ti ike kaq shpejt…

Si një rreze drite

kur derën ia çel…. 

Si një yll që bie në qiell…ike. 

Heshtur…mirësisht, falënderuese Zotit për çdo ditë që të falte. 

Po ku mund të gjejë forcë njeriu të falënderojë për pakëz diell?!

Ti po, ti gjeje forcë sepse ti e dije çfarë është jeta, e ti dite ta jetosh…ti e dite çfarë është forca dhe dite të luftosh Sonelë…

Por… ti nuk vdes…

Nuk vdes një njeri që frymëzon. Ike për të mos u harruar, për mos të ikur, ike për të mos u larguar. 

Një mësues prek përjetësinë kam lexuar diku…po po, është e mundur…ti ke nxënësit e tu si fëmijët e tu…vetja jote është forcë, dije, këshillë, dashuri, mbështetje, humor, gëzim,  buzëqeshje, shtysë, motiv…kjo është ajo çfarë ata do të dinë të përcjellin tek të tjerët nga ty…

Ti preke zemrat tona, të të gjithëve ne, dhe kjo jo sepse ti kishe betejën tënde të jetës, jo kjo, pasi ti nuk do ta pranoje, mbase do ta quaje mëshire, jo…

Ti preke zemrat tona me pasionin,  dhe me energjine qe dije ta tregoje ne mes tone. 

Ti preke zemrat tona, të të gjithëve ne, mësues,  prindër dhe nxënës me teatrin që krijove me grupin e fëmijëve. Tani dua që vetëm atë emocion të kujtoj nga ty…ato lotë që mbushën sytë tanë, ato dua të kujtoj tani për ty e dashur…fytyra jote e lumtur, e kompletuar, e përmbushur…. Dua të kujtoj sa të kanë përqafuar ty atë ditë!…Edhe unë të përqafova dhe mbaj mend që edhe u përlota…ishte vetëm emocion përgëzimi dhe krenarie per ty mike, ishin lotë lumturie për kolegen time më frymëzuese që kam njohur. 

Ti preke zemrat tona…ti, me punën, frymëzimin, me energjinë dhe pasionin, me shpirtin që i dhe grupit të vogëlushëve na bën të të duam çdo ditë… 

Do të jetosh në secilin prej nesh e dashur…” 


Nga Albana Disha, kolege 





"Për ty Sonela…

Kur Irena më pyeti nëse doja të shkruaja ndonjë gjë për Sonelën, unë direkt iu përgjigja: 

Pse jo?

Çuditërisht menjëherë klikova në internet kuptimin e emrit Sonela. 

Kuptimi i emrit më doli zambak uji. Sigurisht është I bukur ky kuptim, por ama mua më pëlqeu më shumë emri që ne e kishim pagëzuar si kolektiv: Luledielli.  Dhe vërtetë Sona e tillë ishte,  luledielli. Buzëqeshja e saj ishte rrezëllitëse në çdo kohë. 

Takimi me Sonën ndodhi 3 vjet më parë kur ne si staf filluam punën të gjithë bashkë në shkollën e re “Betim Muco”. Nuk donte shumë të zbuloje për të. 

Mjafton ta shikoje kur te buzeqeshte dhe zbuloje sa miresi e dashuri kishte ai njeri. 

Mjafton ta shikoje vrullin, dëshiren e energjinë me të cilën punonte dhe kuptoje se kjo ishte ajo, Sonela,  që gjithçka e bënte se ashtu ishte jo se ashtu donte të dukej. Ajo s’kishte asgjë për vete.  Ajo ishte gjithkund në shkollë, pranë fëmijëve, pranë nesh. E palodhur e fjalëmbël ishte Sona.  Mjafton t’i kërkoje ndihmë dhe bëhej copash për të të ndihmuar. 

Sona ishte frymëzim për secilin nga ne,  për ta parë jetën me pozitivitet e me tërë ngjyrat që ajo ka. Shumë aktivitete të realizuara me profesionalizëm mbajnë firmën e saj. Rezultate të shkëlqyera që kanë arritur nxënësit janë falë punës së saj. Ne do të kthehemi sërish në shkollë,  madje shumë shpejt. Do përqafojmë njëri-tjetrin me mall. Por një buzëqeshje do të na mungojë. Një mike s’do të jetë më midis nesh. 

Por ajo do të vazhdojë të na buzëqeshë nga lart. Ajo do të jetë engjëlli ynë mbrojtës.  Ajo është lulediellja jonë, Sonela”. 


Nga Vjollca Demaj, kolege, mësues e matematikës 




“Sonela vajza që thërrisnim 'yll'”

Sonela ishte yll shprese për të gjithë ne, vajzë, mike, mësuese me cilësi të paçmueshme. Çdo ditë në punë Sona ishte për të gjithë 'diell' që rrezatonte me buzëqeshjen e saj të pandarë në çdo moment. Mike e cila të ofronte qetësi sa herë bisedonim edhe pse ajo ishte në betejë për jetën. Forca dhe dëshira për t'ia dal në këtë betejë ishte frymëzim për të gjithë ne që takoheshim çdo ditë. E donte shumë jetën dhe për këtë do të jetë modeli i vajzës së hekurt, burim shprëse për të gjitha ato vajza/ gra që janë në betejë më këte sëmundje. Sona mirëdashëse, luftarake, plot energji dhe jetë, gjithmonë kështu do të mbajmë në kujtime e ëmbla mikja jonë!"


Nga Anita Haxhia, kolege




"Mësuese Sonela 

Sot e kam shumë të vështirë për të gjetur fjalët e duhura për ty, sepse që të flas për ty është shumë e nderlikuar. Pëerpara emrit tënd fjalët varfërohen, humbasin vlerën. 

Ti ishe ajo mësuese që gjatë këtyre viteve na dhe dashuri, na dhe mbështetje dhe ngrohtësi. Gjithashtu përveç dijeve, ti asnjëherë nuk u lodhe të na jepje këshilla, të na drejtoje në këtë moshë plot probleme si e jona. Ti tek ne le shembullin e mësueses ideale të cilën çdokush do të donte ta kishte dhe ne e patëm atë mundësi, një mësuese plot përkushtim, një mësuese plot dashuri, plot virtyte, një mësuese me një forcë të pashterueshme dhe me një guxim të paparë. Ne si klasë kemi patur privilegjin të kishim një mësuese, një mike dhe një prind të dytë pranë nesh. Ti na frymëzove në çdo çast me fisnikërinë, me dashurinë, me guximin dhe sigurisht me buzëqeshjen teënde. Ti për ne ishe lulja më e bukur në të gjithë shkollën. Do ta kem të vështirë edhe të mësohem pa prezencën tënde, sepse ishe e vetmja që më jepje forcë të vazhdoja përpara. Ti ishe ajo që më mësove të mos dorëzohem kurrë pavarësisht vështirësive që mund të përballem. Shpresoja shumë që të shëroheshe dhe të ishe pranë meje. Kur të më thërrisje, unë të të përgjigjesha. 

Do të më mungosh shumë. Tani nuk të takoj dot, nuk të kam pranë, ama kujtimet me ty dhe për ty nuk do të vdesin kurrë, por do t’i ruaj në zemrën time si thesar, sepse ti ishe vërtet ashtu". 


Nga nxënësja Ester Pëllumbi




"Zysh Sonela!

Tani ti na sheh nga lart dhe ne e dimë që për çdo arritje tonën, ti bëhesh krenare dhe nderohesh…

Kurrë nuk e kishim menduar se do të përjetonim një dhimbje të tillë kaq herët. Nuk mund ta mendonim që ti do na lije kaq shpejt sepse gjithmonë ke buzëqeshur dhe ne akoma ashtu të kujtojmë. Kujtojmë zyshën më të mirë që vinte në klasë e qeshur dhe po ashtu dilte. 

Për ne ke qenë si një nënë e dytë dhe kishe zënë një vend shumë të thellë në zemrat tona. Një vend që askush nuk mundet ta zëvendësojë. Ne jemi dhe gjithmonë do të mbetemi “nxënësit dhe fëmijët e zysh Soneles”. Askush nuk do të mundet ta zërë vendin tënd në zemrën time. Për mua je veç ti!

Ishe dielli dhe luledielli ynë, tani do jesh dielli dhe lulja më e bukur e parajsës. Te duam shumë zysh Sonela. Për ne je e paçmueshme. Të qoftë dheu i lehtë, zysha më e mirë në botë".


Nga nxënësja Joana Thaka



E ndjera Sonela Totraku me kolegët e shkollës "Betim Muço", foto nga 7-Marsi i fundit! 

Simbol i mirësisë ishe ti

Oratore dhe plot çiltërsi

Na brengose na le në zbrazëti

Energjia jote nuk njihte kufij

Luftove pa reshtur me sa kishe fuqi

Arma jote ishte vetëbesim dhe dashuri



Ti ishe etalion i mirësisë

Orientuese për këdo dhe burim i energjisë

Tolerante, kurajoze dhe e palodhur

Rendje plot gaz e hare si era në male

Asnjëherë ti vrullin nuk e ndale

Kurrë ne nuk do të harrojmë

U prehsh në paqe o e shtrenjta jonë!


(Poezi nga Servete Meçaj, kolege) 





Përgatiti për publikim Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8,187 Lexime
4 vjet më parë