
Një zë nga një mësuese e lodhur, por ende me zemër për fëmijët...
Një mësuese që kërkon të mbetet anonime rrëfen lodhjen dhe zhgënjimin e saj nga sistemi arsimor: klasa të mbingarkuara, mungesë mbështetjeje dhe paga të ulëta. Arsimi gjithëpërfshirës, pa kushte reale, po shndërrohet në padrejtësi që dëmton mësuesit dhe të ardhmen e fëmijëve.
A e kuptojnë vallë ata që vendosin për ne, se çdo ditë në klasat tona nuk është thjesht punë, por një betejë e heshtur mes lodhjes, përgjegjësisë dhe mungesës së mbështetjes?
A e kuptojnë vallë që mësueset po largohen nga arsimi, jo sepse nuk duan më fëmijët, por sepse sistemi po i rrëzon nga brenda?
Këto ditë po dëgjojmë gjithnjë e më shumë histori mësuesish që janë dorëzuar dhe janë larguar nga arsimi. Dhe kushdo që është në këtë profesion i kupton mirë arsyet… Sepse një mësuese parashkollori, me 25 fëmijë në klasë dhe 2 fëmijë me autizëm të gradës së rëndë, që qajnë gjatë gjithë ditës, paguhet vetëm 580 mijë lekë të vjetra në muaj, me bachelor dhe master. Asnjë ndihmës, asnjë mbështetje reale, asnjë hapësirë e përshtatur siç e kërkon ligji. Vetëm një mësuese përballë një situate të pamundur.
Po, arsimi gjithëpërfshirës është një e drejtë dhe askush nuk e mohon këtë. Por kur kjo e drejtë zbatohet vetëm në mënyrë imagjinare dhe jo në praktikë, ajo nuk mbetet më gjithëpërfshirje, por kthehet në pabarazi, fasadë, diskriminin.
Një fëmijë me AK ka të drejtë të arsimohet. Por po aq të drejtë kanë edhe fëmijët e tjerë në klasë të mos humbasin të drejtën për të mësuar në qetësi. Po aq të drejtë ka edhe mësuesja të mos shkatërrohet psikologjikisht nga mbingarkesa dhe mungesa e kushteve minimale për të punuar.
Ligji parashikon që fëmijët me autizëm të gradës së rëndë të kenë ambiente të përshtatura dhe mbështetje profesionale. Por realiteti është ndryshe: fëmijët vuajnë, klasa vuan, mësuesja thyhet çdo ditë.
Në vend që të shtohen kontrollet për mësuesit, duhet të shtohet mbështetja. Në vend që të kërkohet durim pa fund nga mësuesit, duhet të ketë politika reale dhe buxhet të mjaftueshëm për arsimin gjithëpërfshirës. Sepse në këtë mënyrë, nuk po dëmtohet vetëm një profesion, po dëmtohet e ardhmja e fëmijëve. Mësuesit nuk janë makina, automatë, robotë. Janë njerëz të cilët po lodhen dhe kanë përqafuar heshtjen si një cipë të rreshkur që po ua vështirëson në ekstrem lëvizjen e gjymtyrëve dhe më tej do e ndalin edhe arsyetimin.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Nivelet gjuhësore sipas Kuadrit Europian të Gjuhëve .
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Roli dhe detyrat e mësuesit koordinator për sigurimin e cilësisë në arsimin dhe për këshillimin e karrierës