Nxënës të fortë në letër, por të brishtë emocionalisht: Çfarë po formojmë?
Çfarë nxënësish po formojmë sot? Të fortë akademikisht, por të brishtë emocionalisht? Artikulli thekson rëndësinë e shëndetit emocional, empatisë dhe aftësive sociale në shkollë, që nxënësit të mësojnë gjatë gjithë jetës dhe të përballojnë sfidat e së ardhmes.
Përgatiti: A. Kadria
“Çfarë nxënësish po formojmë sot,
nxënës që dinë shumë, por që nuk përballojnë dot jetën, apo nxënës të shëndetshëm emocionalisht, të aftë të mësojnë gjatë gjithë jetës?”
Sistemet arsimore moderne janë ndërtuar kryesisht mbi matjen e dijes akademike: nota, teste, renditje, arritje. Nxënësit mësojnë që suksesi lidhet me performancën, jo me mirëqenien emocionale, por përballë rritjes së ankthit, depresionit dhe braktisjes së shkollës nga fëmijët dhe adoleshentët, lind një pyetje thelbësore:
Çfarë lloj nxënësi po formojmë dhe për çfarë jete po e përgatisim atë?
Nxënës “të fortë” akademikisht, por të brishtë emocionalisht, që nuk dinë:
- të menaxhojnë dështimin,
- të përballojnë stresin,
- të shprehin emocionet,
- të kërkojnë ndihmë,
- të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme.
Nxënës që jetojnë nën presionin dhe frikën nga dështimi rrezikojnë të zhvillojnë ankth kronik, vetëvlerësim të ulët dhe lodhje emocionale, ndërkohë që nxënësit emocionalisht të shëndetshëm kanë qëndrueshmëri në procesin e të mësuarit. Qëndrueshmëria emocionale, empatia, vetëdija emocionale dhe aftësitë sociale janë parashikues të fortë të suksesit akademik dhe social. Nxënësit që i zotërojnë këto aftësi janë më të aftë të mësojnë gjatë gjithë jetës, jo vetëm për provimin e radhës.
Shkolla nuk është vetëm vendi ku mësohen dijet shkencore, por një hapësirë formimi social dhe psikologjik. Klima pozitive në shkollë ndikon në:
a) normalizimin e emocioneve të nxënësve;
b) krijimin e marrëdhënieve të sigurta mes nxënësve dhe mësuesve;
c) integrimin dhe edukimin emocional në kurrikulë;
d) bashkëpunimin me familjen dhe shërbimin psikosocial.
Pyetja “Çfarë nxënësish po formojmë?” është në thelb një pyetje sa etike, aq edhe shoqërore. Një sistem arsimor që prodhon nxënës “të fortë” vetëm në letër, por të brishtë emocionalisht, rrezikon të prodhojë të rritur të lodhur, të pasigurt dhe të shkëputur nga vetja, ndërsa një sistem që investon në shëndetin emocional të fëmijëve formon:
- individë më empatikë dhe të përgjegjshëm;
- qytetarë më të qëndrueshëm në vlera kulturore;
- profesionistë më fleksibël.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
M.A Gladiola Busulla: Përse është e rëndësishme që në epokën e teknologjisë të shkruajmë me shkronja dore?
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Sa duhet të peshojë çanta e fëmijës?