KONSTRUKTIVIZMI

Nxënësi, qendra e orës mësimore

Nxënësit duhet të jenë në qendër të orës mësimore, duke qenë aktivë dhe duke hulumtuar. Mësuesi jep orientimet e duhura, që e çojnë nxënësin drejt hulumtimit, zbulimit, ndërtimit të dijes dhe reflektimit.


Njohuria ndërtohet nga vetë nxënësi.


Konceptin e njohurisë, që ndërtohet nga vetë nxënësi, e solli për herë të parë Piazheja, i cili, duke u mbështetur tek Emanuel Kanti, theksonte se njohuria jo thjesht merret, as është e lindur, por ndërtohet në mënyrë aktive nga nxënësi, duke u bazuar në strukturat ekzistuese kognitive.  

Kjo teori u zhvillua më vonë në konstruktivizëm, ku iu vu theksi “të nxënit zhvillimor”, një formë aktive e të nxënit, që sjell ndryshim në mënyrën si nxënësit i trajtojnë problemet, nga të mësuarit përmendësh, pasiv në të nxënë të mëtejshëm. Mësuesit konstruktivistë e zhvlerësojnë leximin duke nxitur përfshirjen e nxënësve në mësim.


Cili është modeli i mësuesit të Letërsisë, që ne kemi të ngulitur në kokë  nga përvoja jonë si nxënës? 

Mësuesi që riprodhon materialin e tekstit? Mësuesi që pyet nxënësit në mësim sipas një liste emërore? Mësuesi që flet gjatë gjithë orës së mësimit pa diskutuar me nxënësit? Apo mësuesi që vjen me veprat letrare në dorë, që pret mendimet e nxënësve, që nuk lektron, por monitoron diskutimet e nxënësve, që ndalet në detaje etj.?


Konstruktivistët e kuptonin të nxënët si një proces të ndërtimit të kuptimit. Kështu, njohuria nuk është absolute, që të lektrohet nga mësuesi e më pas të riprodhohet nga nxënësi. Në lëndën e Letërsisë komentohen fragmente të caktuara nga veprat letrare (deri në tri fragmente për vepër), ku analizohen elementet kyçe si: kushtet historiko- shoqërore, në të cilat është shkruar vepra; periudha letrare në të cilën bën pjesë dhe elementet e kësaj periudhe në vepër, ku nxënësit bëjnë lidhjen mes së përgjthshmes dhe së veçantës; tematika; personazhet etj. 


Nëse të gjitha elementet e mësipërme do të mësoheshin në mënyrë teorike, me siguri nxënësit do t’i harronin shpejt njohuritë. Por  përmes komenteve të pjesëve, përmes aparatit pedagogjik, që zbërthen tekstin, nxënësit mund të kalojnë në një të mësuar induktiv, nga e veçanta tek e përgjithshmja për të kuptuar më mirë stilin e autorit, ndikimin e periudhës letrare, në të cilën bën pjesë, për të kaluar p.sh. në tipizime (personazhe tip), për të kuptuar veçoritë e një lloji të caktuar letrar etj. 


Konstruktivistët e vendosnin të mësuarit në një kontekst të caktuar. Të nxënët, sipas tyre, është i ndërtuar, aktiv, reflektues, bashkëpunues, i bazuar te zbulimi, në evolucion. Edhe mësimi i Letërsisë, nëpërmjet përcaktimit të situatës së të nxënit, mund të realizohet sipas pikëpamjes konstruktiviste. Nxënësit e realizojnë të mësuarit përmes veprimeve konkrete përmes: 

leximit të veprës;

shfaqjes me videoprojektor të një fragmenti nga një film, që bazohet në vepër;

hulumtimit për vepra të tjera artistike ne pikturë, muzikë, që bazohen në veprën letrare (duke bërë integrimin ndërlëndor) etj. 


Kështu, ata kanë mundësi të bashkëpunojnë më njëri-tjetrin p.sh. për realizimin e një videoje të shkurtër mbi veprën e një shkrimtari, sidomos në orët e projekteve. Nxënësit janë aktivë, hulumtojnë, bashkëpunojnë dhe reflektojnë mbi punën e tyre përmes metodave si stuhi mendimesh, punë në grupe, rrjeti i diskutimit, punë me grupe ekspertësh etj. Mësuesi nuk është më në qendër, vetëm jep orientimet e duhura, që e çojnë nxënësin drejt hulumtimit, zbulimit, ndërtimit të dijes dhe reflektimit.




(Përgatiti Lavdie Bakiu; Portali Shkollor)


                                                                                              

2,831 Lexime
5 vjet më parë