Dita e parë e shkollës

“Nxënësit dua t’i ruaj në kujtesë ashtu siç janë: të bukur pafund”

Dita e parë e shkollës është emocionuese për mësuesit dhe nxënësit, veçanërisht për nxënësit e klasës së parë. Për të kuptuar më shumë për emocionet e kësaj dite ne biseduam me mësuese Dhurata Hoxhën.

Dhurata Hoxha është mësuese e klasës së parë në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi”. Në një intervistë për Portalin Shkollor ajo na rrëfen se çfarë është kjo ditë për të, cilat janë bisedat e para me nxënësit, emocionet e para ... “Dua të uroj suksese për fëmijët, mirëkuptim e ndihmë nga prindërit dhe shumë durim për mësuesit. Mbështetja e mësuesit në të gjitha format mbetet në fund të fundit një ndihmë për të gjithë shoqërinë”, thotë mësuese Dhurata.


Çfarë do të thotë për ju kjo ditë?

Dita e parë e shkollës mbetet ajo më emocionuesja, sidomos kur je nxënës për herë të parë në shkollë, por edhe për ne mësueset e kësaj klase që prezantohemi me nxënësit tanë më të rinj.


Çfarë mendoni kur gjendeni përpara nxënësve tuaj në ditën e parë të shkollës?

Fillimisht më bëjnë përshtypje buzëqeshjet e shikimet e tyre aq të pastra e të sinqerta, vetëm për mua. Dua t’i ruaj në kujtesë ashtu siç janë atë ditë: të bukur pafund. E di që përpara i pret një rrugë e vështirë, por është në dorën time t’ua kthej atë në një udhëtim të bukur e interesant. Mendimet për ta kanë filluar edhe pa i takuar ende. Njohja me ta vazhdon të mbetet një nga momentet më të bukura, megjithëse tashmë kam 27 vite punë në arsim.


Cilat janë bisedat e para, pyetjet e para pas pushimeve?                 

Prezantimi i vetes dhe takimi me shokët e rinj të klasës, njohja e emrave, dëshirave e lojërave gjatë pushimeve. Në këtë moment para meje shfaqen llojet e tyre të ndryshme të personaliteteve, gjithmonë interesantë në origjinalitetin e vet.


I takoni nxënësit një nga një apo është një përshëndetje për të gjithë?

Nxënësit kam dëshirë t’i takoj secilin më vete. Ta pyes gjithsecilin për ndjenjat që provon këtë ditë... Më pëlqejnë skuqjet dhe emocionet që shoqërojnë çdo fjalë të tyre.


Nxënësit vijnë me buqeta me lule për ju, çfarë ndjesie ju shkakton kjo?

Emocion dhe gëzim. E di që dhuratat e tyre janë të mbushura plot dashuri.


A ka ndonjë nxënës veprimet e të cilit ju kujtojnë veten tuaj në atë moshë?

Shpeshherë më ndodh që nxënës të veçantë të më kujtojnë veten në atë moshë. Lidhem shumë me këta nxënës. Në një farë mënyre është një rikthim në fëmijëri.


A luan rol në profesionin tuaj të qenit nënë?

Sigurisht. Të qenit nënë është një aspekt shumë i rëndësishëm që ka lidhje të drejtpërdrejtë  me profesionin e mësueses. Duke rritur fëmijën tënd, duke e parë atë nga këndvështrimi i një prindi, duke jetuar vështirësitë e tij të rritjes kjo të bën të jesh shumë më empatik e i kuptueshëm edhe për nxënësit. Ne jemi edhe “prindërit’ e tyre në një kuptim më të gjerë edukativ.


Cili është mesazhi juaj për fillimin e vitit të ri shkollor?

Dua të uroj suksese për fëmijët, mirëkuptime, ndihmë nga prindërit dhe shumë durim për mësuesit. Mbështetja e mësuesit në të gjitha format mbetet në fund të fundit një ndihmë për të gjithë shoqërinë. 

4,511 Lexime
7 vjet më parë