"Tri lëndë në gjashtë orë"

Orë model, letërsi XI

Kjo orë model është përgatitur nga mësuesja e letërsisë në gjimnazin “Sami Frashëri”, Aleksandra Janaqi. Dy temat janë planifikuar sipas nismës së re të MASR “Tri lëndë në gjashtë orë”.

Fusha:  Gjuhët dhe komunikimi

Lënda:  Letërsi

Shkalla: V

Klasa: XI

Mësuese: Aleksandra Janaqi

Gjimnazi: "Sami Frashëri", Tiranë

Tematika: Epoka e simbolizmit

Tema mësimore:

  • Sharl Bodler – poeti i nëmur  ( ora 1 )
  • Analizë “Lulet e së keqes” (ora 2)

Situata e të nxënit:

• Nxënësi njeh dhe ndërton kuptimin e duhur mbi konceptet letrare dhe historike, duke perceptuar edhe zhvillimin hap pas hapi të letërsisë. 

• Nxënësi kupton se si përvojat letrare ndikojnë duke ndërtuar përvoja personale


Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyç:

Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit

Kompetenca e të menduarit

Kompetenca digjitale

Kompetenca qytetare


Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave të fushës sipas temës mësimore: 

Nxënësi/-ja: 

• Diskuton në grup në mënyrë konstruktive mbi temën e simbolizmit.

• Dallon zhvillimin e simbolizmit dhe përfaqësuesit e tij.

• Fiton aftësitë e nevojshme për të kuptuar natyrën e letërsisë.

• Njeh, kupton dhe vlerëson personalitetin e Sh. Bodlerit

• Njeh dhe vlerëson veprën e Bodlerit përmes personalitetit të tij artistik.

• Aftësohet në analiza letrare për të kuptuar teknikat e shkrimit

• interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson vëllimin poetik “Lulet e së keqes”.


Fjalë kyç: simbolizmi, poet i nëmur, dashnor ekstravagant, antikonformist, poet satanik, lulet, e keqja, paradoks, dualizëm, splin, ideal, dehje, vdekje, femra, udhëtimi, koha.

Burimet: teksti i letërsisë, e-libri, video-projektor, vepra, fjalor i shqipes, foto, enciklopedi, kompjuter, tabelë, shkumës, fletore etj...

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: Gjuhë shqipe, gjuhë e huaj, arte, histori, filozofi.


Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve

Pema e mendimeve, metoda e bashkëbisedimit, një pyetje-shumë përgjigje, harta e koncepteve,ditari dy-tri pjesësh, leximi i drejtuar,diskutim i drejtuar, puna në grupe, punë e pavarur, rrjeti i diskutimit, pesëvargëshi, metoda e Kllasterit,  vëzhgimi.


Organizimi i orës së mësimit

a. Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme (metoda e bashkëbisedimit, harta e koncepteve)


Në fillim të orës së mësimit mes metodës së bashkëbisedimit kontrollojmë detyrat e dhëna herën e kaluar. Dy-tri nxënës lexojnë punimet e tyre. Diskutojmë mbi to. 

Mësuesi/ja shkruan në tabelë fjalën simbolizëm dhe nxënësit nxiten të rikujtojnë karakteristikat e këtij drejtimi letrar duke i ilustruar me poezitë e punuara orën e kaluar.

Minitest - Simbolistët i kushtojnë rëndësi: 

a) mesazhit b) realitetit c) formës d) analogjive  

Në këtë moment të procesit mësimor nxënësve iu drejtojmë pyetjen:


• Ç’dinë ata për Sharl Bodlerin? (shënim – Nxënësve iu është kërkuar orën e kaluar të hulumtojnë mbi vjeljen e informacioneve mbi Bodlerin)

Hedhim në tabelë informacionet që kanë nxënësit lidhur me figurën e tij dhe rolin që pati në zhvillimin e simbolizmit. Mësuesi/ja bën sistemimin dhe plotësimin e informacionit për të ndërtuar të plotë figurën e këtij personaliteti që arriti të modernizojë poezinë duke e bërë atë elitare. Mes metodës së Kllasterit prezantojmë profilin e poetit të nëmur që frymëzoi breza të tërë poetësh të rinj anembanë Europës madje edhe në Shqipëri.

• I braktisur qysh fëmijë nga familja, ai u rrit i pavarur e i vetmuar, duke ndierë t’i lindte në shpirt mllefi ndaj vetes, jetës dhe mbarë botës.

• Edhe në artin e tij ai ishte një vetmitar i madh, ndonëse romantikët parnasianë, madje edhe realistët, kërkuan sekush ta tërhiqte nga vetja.

• Bodleri pati një rol dhe një ndikim të madh në gjithë epokën e tij. Ai jetoi në një epokë kur gjenia e Vagner -it ishte e panjohur, por ai e zbuloi dhe lavdëroi veprën e tij. Po ashtu, ishte ai që adhuroi e mbrojti disa piktorë, të cilëve u përkiste e ardhmja, të tillë si : Delacroix, Courbet, Manet dhe Cézanne". 

Më poshtë mes një kllasteri pasqyrojmë veprat e këtij gjeniu të simbolizmit.

a. Ndërtimi i njohurive të reja (metoda e bashkëbisedimit, një pyetje-shumë përgjigje, metoda e kllasterit, ditari dy pjesësh, lexim i drejtuar, puna në grupe, pema e mendimeve)

Në këtë moment të orës së mësimit mësuesi/ja ndërton në tabelë mes tri njësive ( frymëzimi, e bukura, simboli ) konceptin e Bodlerit për artin. Mes teknikës së ditarit tri pjesësh ndërtojmë këtë koncept si më poshtë.

Poetika bodleriane dhe pylli i simboleve

Nxisim nxënësit që mes leximit të drejtuar të ndërtojmë pyllin simbolik të poetikës së Bodlerit. Klasa ndahet në tri grupe rastësore dhe secili grup ndërton tematikat e Bodlerit duke zbërthyer simbolikat e tij. Punët e tyre pasqyrohen mes kllasterave si më poshtë: 


Grupi i parë – Bodleri dhe dashuria

• Gjuha poetike ka mundësinë që të metaforizojë edhe dashurinë. Është, ajo e cila përçudnon pasionin sensual të poetit për të dashurën e tij Jeanne Duval (në poezitë ‘Parfum ekzotik’(Parfum exotique), ‘Flokët’ (La Chevelure) etj; ashtu si edhe dashurinë platonike për zonjën Sabatier tek ‘Agim shpirtëror’ (L'aube spirituelle), ‘Grishje për udhëtim’ ( Invitation au voyage) etj.

• Për artistin, realja paraqitet si një “pyll simbolesh”, një pus i pafundmë shenjash e formash të ndërlikuara, ku “parfumet, ngjyrat e tingujt i përgjigjen njëri-tjetrit”.


Kështu për të lexuar poetikën e Bodlerit duhet të përdorësh të gjitha shqisat.

Tek poezia “Flokët” ai vë në lëvizje duke zgjuar nga gjumi tri shqisa, për të ëndërruar gruan ideale dhe për t’u magjepsur prej saj.

Pra, mes simbolit të flokëve ai ndërton një qënie të gjallë prej mishi e gjaku. Gjithçka në krijimtarinë e Bodlerit dëshmon për shqisat e tij të tejndjeshme dhe forcën e jashtëzakonshme perceptuese e imagjinuese.


Grupi i dytë – Splin dhe ideal

• Për të dalë nga gjendja sfilitëse e ‘spleen’ - it, poeti përpiqet të gjejë shpëtim nëpërmjet gjuhës poetike, e cila është edhe e vetmja mënyrë që ka aftësinë t'u japë kuptim e të përçojë realitetet më banale e më të shëmtuara të jetës në art. 

• Fjala spleen tregon një gjendje të vazhdueshme mërzie e trishtimi, që me kalimin e kohës lë vrajën e saj në karakterin e njeriut. Ai që vuan nga splini ka zakonisht karakter të zymtë, të sertë, nopran, siç ndodh me Bodlerin, që ndihet i braktisur në një botë, e cila i duket përherë e më e huaj. 

• ... Në një univers konfuz, të padeshifrueshëm nga qeniet e vdekshme, vetëm poeti, në sajë të imagjinatës së tij ( kjo mbretëreshë e lehtësisë ! ), ka aftësinë të krijojë imazhe të tilla, të cilat mund të venë në dukje ndjenjat e të bëjnë eternele të vdekshmen.

• I dyzuar mes Zotit dhe Satanait, ai ka shkruar që nga faqet më sarkastike e të hidhura të poezisë franceze e deri tek kulmet e lirikës së saj të dashurisë.

Grupi i tretë – Paris dhe splin

Bodleri nuk përshkruan Parisin aristokratik të Balzakut e as Parisin revolucionar të Hygoit, por kryeqytetin e ankthit, mërzisë, spitaleve, bodrumeve, bordeleve e burgjeve, ku njeriu ndien një si angështi, që i lidhet për fyti e nuk i shqitet më kurrë.

Në këtë moment të orës së mësimit kërkojmë nga nxënësit pjesëmarrje në diskutim lidhur me të qenurit dendi të Bodlerit.


Dendi – Fjala dendi (dandy) e merr kuptimin nga jeta e salloneve aristokratike dhe tregon personat që kërkojnë të bien në sy nëpërmjet veshjes ekstravagante dhe sjelljes së çuditshme e të pazakontë. Një dendi afirmon kështu individualitetin e tij kundrejt masës aristokrate, duke paraqitur një “origjinal” e duke tërhequr mbi vete vëmendjen e të gjithëve.

Nxënësit nxiten të shprehin mendimet e tyre lidhur me shprehjen e mëposhtme:  


“Natyra nuk na mëson asgjë ose thuajse asgjë, domethënë ajo e detyron njeriun të flejë, të pijë, të hajë, dhe të sigurohet si të mundet kundër rrebesheve atmosferike. Natyra e nxit njeriun ta vrasë sivëllain e vet, ta hajë, ta mbajë rob, ta torturojë... Dëshira për krim, që kafsha njerëzore e fiton në barkun e së ëmës, ka zanafillë natyrore. Virtyti, në të kundërt, është artificial.”


Nxënësit ndërtojnë mendimet e tyre në kllastera individualë  mes punës së pavarur. Diskutimin e drejtojmë veçanërisht në efektet e forta që arti ka tek njeriu për të krijuar parajsën artificiale. 


Ora 2 - Mes teknikës një pyetje - shumë përgjigje ftojmë nxënësit të bëhen pjesëmarrës aktivë të orës së mësimit 


• Ç’kuptoni me titullin e vëllimit poetik “Lulet e së keqes” ?

Për të bërë zbërthimin simbolik të titullit duhet të ndalemi te të dyja fjalët më vete e së bashku.

Lulja – Le Fleur - simbolizon ngjyrat, të bukurën, të mirën, të virtytshmen.

E keqja – du Mal - simbolizon të errtën, të shëmtuarën, të pamoralshmen, sataniken.


Po ç’lidhje mund të kenë këto dy të kundërta? 

Në fakt edhe sipas ligjeve të fizikës të kundërtat gjithmonë tërhiqen. Arti është i bukur plot jetë, ndërsa sipas Bodlerit arti nuk ka moral. Titulli ‘Lulet e së Keqes’, paraqet një estetike të re ‘moderne’ ku, e bukura, sublimja (që simbolizohet nga termi ‘lule’), mund të provokojë në saje të gjuhës poetike, realitete banale të natyrës dhe sensualitetit të ‘mishit’, të ‘mëkatit’ (që simbolizohet nga e Keqja). Dhe, me këtë lloj ‘materie’, mund të nxitësh frymëzim, të bashkosh punën e imtë mbi gjuhën poetike.

Pasi sjellin zbërthimet e tyre kuptimore nxisim nxënësit të thellohen në zbërthim mes metodës së pesëvargëshit për t’i sjellë të organizuara mendimet.


Pesëvargësh

1 emër – jeta

2 mbiemra – e bukur, e shëmtuar

3 folje – ëndërron, shkatëron, frymëzon

1 fjali – Jeta është një medaljon me dy anë të kundërta.

1 sinonim – art


Shtresat kuptimore dhe simbolike të titullit janë si më poshtë:

Në këtë moment të orës së mësimit, nxënësit që kanë lexuar veprën, mes metodës së bashkëbisedimit, sjellin mendime konstruktive për të ndërtuar analizën e këtij vëllimi poetik.

Ky vëllim duket sikur është një rrëfim për shpresat, ëndrrat, dështimet dhe të keqen.  


• Lulet e së keqes tentojnë të nxjerrin ekstraktin e së mirës nga e keqja, bukurinë nga fuqia malifike. 

• Ndryshe nga letërsia e mëparshme që merrte gjërat e bukura si pikënisje për të shkruar, Bodler dëshiron që paradokset dhe dualizmat të bëhen temat e veprës së tij.

• Bodler ka thënë se detyra e tij është të nxjerrë të bukurën nga e keqja. 

• Në vëllim ka kundërvënie ndërmjet kategorisë estetike të së bukurës që ka për simbol lulet, dhe kategorisë morale të së keqes që ka për simbol satanin.

• Modernizmi qëndron në faktin se Bodler, ndryshe nga autorët klasikë të cilët shkruajnë për të bukurën si një kategori sublime dhe të pacënueshme, shkruan për të duke e parë në një këndvështrim të ri : Letërsia duhet të evokojë edhe për anën absurde dhe paradoksale të jetës dhe të bukurisë.

• Idealja arrihet nëpërmjet një shkëputjeje nga realiteti nëpërmjet verës, opiumit, udhëtimit, pasionit. Ajo nënkupton një gjendje ku koha dhe vdekja s'kanë vend. Ai përgjithësisht i referohet pasionit për të shfaqur këtë ekstazi të ndjenjave, por papritur në këtë dualitet spleen-i shfaqet befas dhe spontanisht. Autori është gjithnjë në frikë prej vdekjes, mbytjes së shpirtit të tij dhe mosrealizmit.


Në vazhdim mes metodës së kllasterit mësuesi/ja prezanton në klasë strukturën e veprës që i kushtoi gjithë jetën dhe që me plot gojë mund ta quajmë testamentin e tij poetik dhe shpirtëror të përbërë nga 6 cikle.

Mes teknikës së leximit të drejtuar nxisim nxënësit të dallojnë në tekst simbolikat e shumta të këtij gjeniu të përdorimit të simbolit. I pasqyrojmë ato më poshtë mes një kllasteri.

a. Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura (metoda e bashkëbisedimit, pema e mendimeve, rrjeti i diskutimit, vëzhgimi)

Në këtë fazë të orës së mësimit përpiqemi të ndërtojmë zbërthime kuptimore mbi koncepte të ndryshme të Bodlerit – gjeniut të simbolit.

Mes metodës së bashkëbisedimit dhe diskutimit të drejtuar  nxisim nxënësit të shprehen mbi konceptet e mëposhtme:

  • Përsa i përket anës demoniake të veprës, Bodleri sugjeron se njeriu dhe veprimet e tij kontrollohen nga Satani dhe njeriu është thjesht një mekanizëm i tij, një lodër, një monstër më e neveritshme se çdo gjë tjetër.
  • Elemente horrori dhe fantastike e shoqërojnë poezinë e tij, nisur nga macet e zeza , në krimba etj. Ai ka ndikim nga poetika e Edgar Po-së dhe në një farë mënyre i përdor për të treguar se çfarë gjendjeje tmerri dhe frike arrin të krijojë Spleen-i në mendjen dhe psikologjinë njerëzore.

Mes teknikës së rrjetit të diskutimit nxisim nxënësit të pozicionohen duke shprehur lirshëm mes argumentit mendimet e tyre.

Mësuesi/ja udhëzon nxënësit që të vëzhgojnë me vëmendje fotot që kanë shoqëruar në tekstin e tyre analizën e veprës.

Mësuesi/ja drejton pyetjen: - Çfarë ndjesish përjetoni?

Dëgjohen 2-3 mendime të nxënësve.


Vlerësimi:

Mësuesi/ja mund të bëjë një vlerësim të vazhdueshëm me gojë mbi progresin e nxënësve, me qëllim identifikimin e njohurive, interesave, aftësive apo shkathtësive që kanë fituar nxënësit në lidhje me tematikën e trajtuar gjatë mësimit. Ky vlerësim shoqërohet me shënime specifike për nivelet e të nxënit.


Detyrat dhe puna e pavarur  

• Hulumtoni – sillni në klasë thënie nga Bodleri dhe për të. (detyrë e nivelit 2) 

• Shprehni mendimet tuaja mbi Bodlerin mes një eseje – poetika bodleriane dje, sot, nesër dhe gjithmonë.... ( detyrë e nivelit 3 )  

• A mendoni se ekzistojnë të përbashkëta ndërmjet Bodlerit dhe Migjenit? Argumentoni mendimin tuaj. (detyrë e nivelit 4)


Shënim – këto detyra edhe mund të zgjaten në kohë për t’u paraqitur orën e fundit të kësaj tematike si modele detyrash të portofolit gjatë tremujorit 3.

(Portali Shkollor)

13,201 Lexime
6 vjet më parë