METODË E RE

Orë model në lëndën e anglishtes, përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie, loja “Mystery Skype”

Mësuesja Eriona Qoshi me nxënësit e klasës së 6-të të shkollës së Mesme të Bashkuar “Isak Alla”, kanë zhvilluar metodën e re mësimore të quajtur “Mystery Skype”. Një orë interaktive me në qendër nxënësin dhe përdorimin e teknologjisë në shkollë.

MËSIMDHËNIA ËSHTË ART DHE TË TILLË E BËN VETËM MËSUESI!


Kjo është një orë mësimi ndryshe në lëndën e Anglishtes. Një eksperiencë e re, sa edukative aq edhe argëtuese. Në lidhje direkte me Skype me një shkollë tjetër në shtetin Rus, nxënësit e klasës së 6-të të shkollës së Mesme të Bashkuar “Isak Alla” Zgosht, Librazhd, praktikuan njohuritë e tyre në gjuhën angleze duke zhvilluar kuice, lojëra mësimore si dhe shkëmbyen vlera të veçanta kulturore e sociale të vendit të tyre. E organizuar nga mësuesja e anglishtes Eriona Qoshi, kjo është një orë mësimi me të gjithë komponentët që e bëjnë një orë interaktive me në qendër nxënësin dhe përdorimin e teknologjisë në shkollë.



Shkolla e Mesme e Bashkuar “Isak Alla” Zgosht, Librazhd

Lënda: Anglisht

Klasa: 6-të

Mësuesja: Eriona Qoshi

Metoda:  Përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie. Loja: “Mystery Skype”

 

Çfarë është “Mystery Skype”?


“Mystery Skype” është një lojë mësimore, e luajtur nga dy klasa në vende të ndryshme të botës në lidhje direkt me Skype, ku asnjëra nga klasat nuk e di vendndodhjen e tjetrës. Qëllimi i lojës është që  të hamendësohet vendndodhja e klasës tjetër duke i bërë pyetje njëri-tjetrit. Ajo është një mënyrë tërheqëse për të frymëzuar të mësuarit duke i çuar nxënësit në një udhëtim virtual nëpër botë dhe një mënyrë fantastike për të integruar studentët në një komunitet global, për të  përmirësuar aftësitë e tyre të komunikimit  në gjuhën e huaj  dhe zgjidhjes së problemeve. Nxënësit inkurajohen gjithashtu të udhëheqin mësimin dhe të mësojnë se si të bashkëpunojnë në mënyrë efikase me bashkëmoshatarët e tyre.


Përshkrimi i lojës 


Përpara orës mësimore mësuesi duhet të ketë:

• Lidhje të sigurt me internet;

• Kompjuter ose laptop (bashkë me pajisje audio dhe video);

• Një llogari aktive në Skype;

• Harta të botës.


Pasi është siguruar një lidhje e sigurt me Skype, nxënësit, sipas roleve që u është paracaktuar nga mësuesi, fillojnë të hamendësojnë vendndodhjen e klasës tjetër duke u drejtuar me radhë pyetje po/jo të tilla si: “A ndodhet shteti juaj në Europë?” , “ A ka ngjyrë të kuqe në flamurin tuaj? “, “A kufizohet shteti juaj me…..? “ etj. 


Të dyja klasat partnere duhet të sigurojnë përgjigje të drejtpërdrejta për pyetjet e parashtruara. 


Pasi është gjetur vendndodhja e saktë nga të dyja klasat, mësimi mund te vijojë me aktivitete të tjera të planifikuara si një prezantim i shkurtër i vendit ose shkollës së tyre, kuice, etj. 


Arsyet për të përdorur Skype Mystery:

  1. Krijon një komunitet global të nxënësve
  2. Nxit te menduarit  kritik
  3. Rrit motivimin dhe vetëbesimin 
  4. Përmirëson shkathtësitë hetuese e hulumtuese në  gjeografi 
  5. Zhvillon Aftësitë e të dëgjuarit dhe të të folurit ne gjuhen e huaj
  6. Është veprimtari me në qendër  nxënësit
  7. Përdorimi i shumë burimeve për të gjetur informacion
  8. Qëllimi autentik për kërkime 
  9. Bashkëpunim
  10. Mësimi i bazuar në sfida
  11. Krijon partnerë për projektet e ardhshme
  12. Mëson mësuesit të bashkëpunojnë globalisht

 

Përgatitur nga Eriona Qoshi, mësuese e anglishtes,

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Isak Alla” Zgosht,Librazhd.

 


(Portali Shkollor)

 

2,600 Lexime
4 vjet më parë