Orë model

Orë model në lëndën e letërsisë në shkollën "Sami Frashëri"

Kjo orë model është përgatitur duke u mbështetur në materialet multimediale në tekstin digjital nga mësuesja e letërsisë në shkollën “Sami Frashëri”, Aleksandra Janaqi.

Fusha: Gjuhët dhe komunikimi

Lënda: Letërsi

Shkalla: V

Klasa: X

Tematika: Rilindja dhe Humanizmi Evropian 5 orë

Tema mësimore: Analizë “Don Kishoti” (ora 3)

Situata e të nxënit: Nxënësi kupton se si përvojat letrare ndikojnë duke ndërtuar përvoja personale, vlera dhe qëndrime që vlejnë më vonë në perceptimin e botës.

Rezultate të të nxënit sipas kompetencave kyç:

  • Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit
  • Kompetenca e të menduarit

Fjalë kyç: Roman epope, Anakronik, Donkishotizëm, Lexim në dy plane, Mulliri i veprës, Binom, Rrafsh pozitiv, Rrafsh negativ, Formë e komikes.


Rezultate të të nxënit sipas kompetencave të fushës sipas temës mësimore:

Nxënësi/-ja:

  • Diskuton në grup në mënyrë konstruktive duke dhënë dhe marrë informacion.
  • Njeh dhe vlerëson veprën e Servantesit për kontributin e saj si gur themeli i letërsisë së mëvonshme.
  • Aftësohet në analiza letrare për të kuptuar teknikat e shkrimit diskuton rreth vlerave, strukturës, filozofisë dhe rëndësisë së “Don Kishotit”.

Burimet: teksti i letërsisë, fjalor i shqipes, enciklopedi, foto, kompjuter, tabelë, shkumës, fletore etj...


Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: Gjuhë shqipe dhe gjuhë e huaj, arte, histori, Tik.

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve: Metoda e bashkëbisedimit, ritregimi, diagrami i Venit, pema e mendimeve, lexim i drejtuar, një pyetje – shumë përgjigje, vëzhgim.


Organizimi i orës së mësimit

Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme (metoda e bashkëbisedimit, ritregimi, metoda e Kllasterit)

U kërkohet nxënësve që kanë lexuar veprën të ritregojnë fabulën e romanit.

Në mesin e shekullit XVI romani kalorësiak e kishte humbur joshjen dhe qe bërë mjaft ekstravagant, plot me rrëfenja irreale dhe me heronj të përçundueshëm. Më 1605 Servantesi boton romanin Don Kishoti pikërisht për të vënë në lojë dhe për të parodizuar romanin kalorësiak. Autori zgjedh një hero grotesk dhe e lëshon rrugëve të Spanjës që të përmbushë aventura përçartëse. Don Kishoti merr vendim që të kthehet mbrapa në kohët e lavdishme të kalorësisë. Ai e merr këtë ide nga librat të cilët rrëfejnë për një botë pasionante, ku ligësia ndëshkohet siç e meriton nga kalorës që janë gjithmonë trima dhe që me bëmat e tyre u bëjnë nder damave, që janë përherë të bukura.

a.       Ndërtimii njohurive të reja (metoda e Kllasterit, një pyetje – shumë përgjigje)

Mësuesi/ja bashkë me nxënësit ndërton në tabelë mullirin e veprës.


“Mulliri i veprës”

Kuptimi i parë:

  • I shkëputur nga realiteti ( humbetorientimin)
  • I etur për aventura
  • Hero grotesk (kthimi i kohës pas)
  • I fandaksur nga librat kalorsiakë.....

Kuptime të tjera:

  • Shpresa e njeriut për të ndryshuar botën
  • E kaluara është kthyer në pikë orientuese
  • Kërkon ta rikthejë atë (të kaluarën).....

Në vazhdim të mësimit kërkohet nga nxënësit të ndërtojnë binomin Don Kishot-Sanço.

Kjo gjetje bën që autori të fshihet pas heronjve të tij, të cilët bëhen komentues të aventurave të tyre sipas këndvështrimeve të kundërta. Në planin e romanit, këta nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Te Sanço, Don Kishoti gjen një vesh që ta dëgjojë dhe një krah që ta ndihmojë. Te Don Kishoti, Sançoja gjen një zotëri që premton pasuri dhe që i mban premtimet. Midis tyre shprehet kundërshtia midis idealit të pamundur dhe realitet të vrazhdë, mes aspiratave fisnike të njërit dhe shpirtit poetik të tjetrit.

Një pyetje - shumë përgjigje:

A e keni dëgjuar termin Donkishotizëm ?

Hedhim në tabelë konceptin e donkishotizmit

Në figurën e Don Kishotit përfaqësohen tërë ata lexues që vendosin marrëdhënie patologjike me librat që lexojnë duke besuar gjithçka në mënyrë të verbër dhe pa kurrfarë fryme kriktike. Fjala donkishotizëm nënkupton një interpretim anakronik të botës, ndërsa emri Don Kishot ka kuptim të dyfishtë. 

a.     Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura (lexim i drejtuar)

Për të plotësuar tablonë e veçorive të romanit nxënësit nxiten të lexojnë në tekst materialin e dhënë mbi format e komikes në faqe 137 dhe bashkë me mësuesin/en paraqesin në tabelë karakteristikat gjuhësore.

Vlerësimi:

Përgjatë kësaj ore mësimi, mësuesi/ja mund të bëjë një vlerësim të vazhdueshëm me gojë mbi progresin e nxënësve, me qëllim identifikimin e njohurive, interesave, aftësive apo shkathtësive që kanë fituar nxënësit në lidhje me tematikën e trajtuar gjatë mësimit. Ky vlerësim mund të shoqërohet edhe me shënime specifike për nivelet e të nxënit.


Detyrat dhe puna e pavarur


Vëzhgoni pikturat në faqen 138 në tekst. Ç’mendime iu lindin kur shihni ato? Ç’simbolizon perëndimi i diellit dhe ecja e personazheve? Gjeni ndryshimet mes figurave.

Lexoni fragmentin e shkëputur nga vepra dhe ndërtoni një fjalorth me fjalët që nuk kuptoni duke u konsultuar me fjalorin e gjuhës shqipe.


(Aleksandra Janaqi, Portali Shkollor)




11,242 Lexime
7 vjet më parë