PROFIL

Osman Kraja, personalitet i shquar i arsimit shqiptar (me rastin e 90-vjetorit të lindjes)

Prof. Osman Kraja është një personalitet i jashtëzakonshëm, me kontribute shumë të rëndësishme, sidomos në arsimin e lartë shqiptar. Për këdo është një model i shkëlqyer që frymëzon.

        Nga Prof. dr. Hajrullah Koliqi  


Në janar të këtij viti (2020) prof. Osman Kraja mbushi 90 vjet. Karrierën e tij profesionale ia kushtoi, kryesisht arsimit të lartë shqiptar. Ishte ndër themeluesit e arsimit të lartë në Shqipëri, bashkë me të cilin edhe u rrit në karrierë dhe u afirmua. Ishte profesor, dekan fakulteteti, rektor universiteti, autor, bashkautor dhe redaktor tekstesh universitare etj. U shqua  sidomos për angazhimin e tij për bashkëpunimin midis Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës. 


Osman Kraja lindi më 1930 në mërgim, në Zongulldak, Stamboll, në një familje përparimtare me prejardhje nga Kraja. Pas shkollës fillore, më 1949 kreu gjimazin “Qemal Stafa” në Tiranë, ku mësimdhënës të tij ishin: Ahmet Gashi, Nonda Bulka, Vangjel Meksi, Qazim Turdiu, Abdurrahim Buza, Konstandin Trako etj, personalitete të shquara të arsimit, shkencës dhe artit shqiptar. Studimet e larta për matematikë i bëri në Universitetin e Varshavës, Poloni, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin “Lomonosov”, në Moskë. 


Karrierën e mësimdhënies e filloi në gjimnazin “Qemal Stafa”, në Tiranë. Më pas emërohet mësimdhës në Institutin Pedagogjik të Tiranës, i cili ishte institucioni i parë i arsimit të lartë në Shqipëri. Në këtë institucion filloi  kontributi i tij në këtë fushë të rëndësishme të arsimit kombëtar. 


Gjatë rreth 45 vjetëve në vijim ai ishte mësimdhënës, përkatësisht përgjegjës i Katedrës së matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, më pas edhe dekan i këtij fakulteti. Në këtë fakultet prof. Osman Kraja u shqua si mësimdhënës i matematikës dhe drejtues shembullor. Punoi me pasion, përkushtim dhe me profesionmalizëm.  Kontribuoi shumë për zhvillimin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe për ngritjen e autoritetit të profesorit universitar, si mësimdhënës dhe si punonjës shkencor. Titullin e lartë “Profesor” e afirmoi dhe e mbajti me dinjitet dhe me nder, si rrallë kush tjetër. 


Si profesor universiteti, Osman Kraja u shqua, kryesisht  si bashkautor dhe redaktor tekstesh universitare, nga fusha e matematikës, siç është p. sh. “Analiza matematike”, I, II, III (1974) dhe disa tekste të tjera universitare. Ai edukoi dhe arsimoi me dhjetëra gjenerata mësuesish dhe profesionistësh të tjerë, të shpërndarë anë e kënd Shqipërisë. Të gjithë ata e kujtojnë me respekt profesorin e tyre të matematikës, Osman Krajën, që ishte aq kërkues ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, duke përfshirë edhe studentët. 


Prof. Osman Kraja ushtroi edhe funksione të larta në Universitetin e Tiranës. Fillimisht ishte  zëvendësrektor, pastaj  edhe rektor i këtij universitetit, si rrallë kush, në dy mandate (1981- 1988). Gjatë kësaj periudhe ai dha ndihmesë të veçantë në zhvillimin dhe reformimin e Universitetit të Tiranës, në kuadër të përpjekjeve “për ngritjen e mëtejshme të cilësisë së punës mësimore-edukative të shkollës”, të nivelit shkencor të përmbajtjes mësimore të saj  etj. Në këtë kuadër ai, ndër të tjera, shkroi dhe botoi veprën “Arsimi i lartë në RPSSH para detyrash të rëndësishme” (1987). Gjithashtu, ai është bashkautor i monografisë “Universiteti i Tiranës 1957-2007” (2007). Shkroi me respekt dhe me përkushtim për profesorët e shquar dhe kolegët e tij Kolë Popa dhe Shaban Baxhaku. 


Si drejtues i Universitetit të Tiranës, prof. Kraja mori pjesë në konferenca e takime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Osman Kraja kontribuoi shumë edhe për vendosjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës. Me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, sistemi kosovar i arsimit, duke përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës, fitoi njëfarë autonomie. U krijuan mundësi edhe për bashkëpunim midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës. Për vendosjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin midis këtyre dy universiteteve prof. Osman Kraja, ishte i pranishëm dhe shumë aktiv qysh në kontaktet e para midis përfaqësuesve të këtyre dy institucioneve. U përpoq shumë për bashkëpunimin ndërshqiptar. Në këtë kuadër, shumë profesorë të Universitetit të Tiranës mbajtën mësim në Universitetin e Prishtinës, sidomos në vitet 1978-1981. Prof. Osman Kraja do të mbajë lidhje të ngushta edhe më vonë, jo vetëm me Universitetin e Prishtinës, por dhe me shumë kolegë të tij matematikanë e me shumë miq e shokë të tjerë, jo vetëm nga Kosova.


Prof. Osman Kraja u mor edhe me diplomaci. Në vitet 1997-2002, ishte ambasador fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Poloni, Lituani, Letoni, Estoni dhe Ukrainë. Për kontributin e tij në këtë fushë, nga autoritetet polake emërohet edhe president nderi i Shoqatës Poloni-Shqipëri.


Bashkë me zonjën e tij doktoreshë Mirën, ai mori pjesë në evente të ndryshme në Krajën e farefisit të tij, në Shkodër, Prishtinë, Gjakovë, Ulqin etj. Ndjente dhe ndjen gjithnjë mall, nostalgji, krenari  dhe detyrim të përjetshëm ndaj të parëve, shokëve, bashkëpunëtorëve dhe ish-studentëve të tij të kudondodhur.  


Gjatë tërë jetës dhe punës së tij, Osman Kraja u shqua si profesor emblematik dhe punëtor, intelektual atdhetar, qytetar fisnik, bashkëshort dhe prind i devotshëm. 


Për veprën dhe kontributin e tij, ai u nderua edhe me dekorata e urdhra prestigjiozë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe urdhrat “Naim Frashëri” i klasit të parë, “Flamuri i Kuq i Punës” etj. 


Prof. Osman Kraja, ky personalitet i jashtëzakonshëm, me kontribute shumë të rëndësishme, sidomos në arsimin e lartë shqiptar, ku zë një vend nderi, kujtohet dhe do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe me konsiderata të veçanta. Është një vlerë e veçantë kombëtare. Për këdo është një model i shkëlqyer që frymëzon. Ka shumë vite që gëzon pensionin, por ai është aktiv dhe ndjek me interes zhvillimet politike në Shqipëri, në Kosovë  dhe më gjerë. Me rastin e 90-vjetorit të tij, Profesorit Osman Kraja i urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe pleqërim të mbarë!




(Portali Shkollor)

4,293 Lexime
4 vjet më parë