Personaliteti i fëmijës

Pak nga pedagogjia humane e mësuesit të madh sovjetik Amonashvili

Kjo është një histori e shkurtër e cila na njeh me konceptin e trajtimit të nxënësit nëpërmjet pedagogjisë humane, e zhvilluar nga mësuesi i madh sovjetik Shalva Aleksandrovich Amonashvili.

Amonashvili, autori i konceptit të pedagogjisë humane, dikur u bëri një pyetje mësuesve që ishin mbledhur në leksionin e tij. 


“Imagjinoni një situatë sikur ju jeni duke dhënë mësim në klasën e katërt, dhe një nxënës hyn 20 minuta me vonesë. Cili do të jetë veprimi juaj?” ‒ i pyet mësuesi Shalva. 


Mësuesit në sallë filluan të jepnin mundësi të ndryshme: 


“Do ta nxirrja nga klasa", ‒ tha një mësues. 

"Do vazhdoja me shpjegimin", ‒ tha një tjetër. 

"Do ta urdhëroja të ulej në vendin e tij. Pas orës së mësimit, do të flisja me të”, ‒ ia priti një tjetër.

Por Shalva Aleksandrovich nuk u duk i kënaqur. 


Ai tha: “Kur nxënësi të hynte brenda, unë do t’i thosha me mjaft dashamirësi: ‘Përshëndetje, fëmija im i dashur! Të lutem, hyr dhe ulu. Ne nuk mund ta fillonim mësimin pa ty. Po të prisnim.’’’ 

Kjo quhet dashuri e pakushtëzuar, nuk mund të imitohet.


“Nëse ai do të vinte me vonesë edhe ditën e dytë, unë do t’i thosha përsëri me dashuri edhe më të madhe: ‘Përshëndetje, fëmija im i dashur, ju kam pritur aq shumë. Hyni shpejt, uluni! Ne nuk mund ta fillonim mësimin pa ty.’


“Dhe e dini! Nëse e bëni këtë tri, katër ose pesë herë, fëmija nuk do të vijë më me vonesë në klasë! Sepse ai i përgjigjet vetëm impulsit të pastër të dashurisë. Dhe nëse e ndien, pra, se për të tjerët është i dashur, nuk do të vonohet për të shkuar tek ta.


“Kjo është psikologjia e një fëmije: nëse ai ndien se është i dashur pa kushte, nëse ai gjen ngrohtësi, është i vlefshëm, është i respektuar si një person, ai nuk do të vonojë më kurrë për të shkuar në shkollë dhe në klasën e tij.” 


Vetë Shalva Amonashvili, deri në klasën e shtatë, ishte një student i dobët, por më vonë ai e mbaroi shkollën me një medalje të artë. Qëndrimi i tij ndaj studimeve u ndryshua nga një mësues i ri gjeorgjian, i cili i trajtoi fëmijët me interes dhe respekt. 


“Personaliteti i fëmijës” u bë koncepti qendror i konceptit të pedagogjisë humane, që u zhvillua nga Amonashvili.



Përkthyer nga Aberi Kajo

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

1,367 Lexime
3 muaj më parë