Historia e lapsit

Për çdokënd që mpreh lapsin dhe shkruan...

“Gjithçka varet nga mënyra se si i sheh gjërat”, ky është mesazhi që përcjell kjo histori e shkurtër me të cilën preferojmë ta nisim ditën e sotme. Me të drejtë disa nga ju mund të pyesin “E çfarë mund të mësojmë ne prej një lapsi?”.

Vogëlushi vështronte gjyshen ndërsa ajo shkruante një letër. Në një çast, e pyeti:


-“Po shkruan ndonjë ndodhi që na ka ngjarë neve? Dhe që me gjasë flet për mua!”


Gjyshja ndërpreu së shkruari, vuri buzën në gaz dhe iu drejtua nipit:


-“Është e vërtetë, po shkruaj diçka për ty. Megjithatë, lapsi me të cilin po shkruaj është më i rëndësishëm se vetë fjalët. Do të dëshiroja ta përdorje ti kur të rritesh”.


Vogëlushi, kureshtar, vështroi lapsin, pa gjetur asgjë të veçantë në të.


-“Po ky është njëlloj si gjithë lapsat e tjerë që kam parë në jetën time!”.


-“Gjithçka varet nga mënyra se si i sheh gjërat. Ky laps ka pesë cilësi: nëse do mundesh t’i mbartësh gjatë jetës do të jesh një njeri në paqe me botën":


Cilësia e parë: mund të bësh gjëra të mëdha, por kurrë mos harro se është një Dorë që udhërrëfen hapat e tu. ‘Zoti’: ja se si e quajmë këtë dorë! Ai duhet përherë të të udhëheqë drejt vullnetit të tij.


Cilësia e dytë, herë pas here më duhet të ndaloj së shkruari dhe të përdor briskun. Ky është një veprim që i shkakton një farë dhimbje lapsit por, në fund, lapsi do të jetë me majë më të mprehur. Ja përse duhet të mësosh të durosh disa dhimbje: do të të bëjnë njeri më të mirë.


Cilësia e tretë: vija e lapsit na lejon të përdorim gomën për të fshirë atë çka është e gabuar. Të korrigjosh një veprim apo sjellje jo nevojshmërisht është diçka negative: përkundrazi, është e rëndësishme për t’ia dalë të mbash rrugën e ndershme të drejtësisë.


Cilësia e katërt: ajo që është në të vërtetë më e rëndësishme tek lapsi nuk është druri apo forma e jashtme, por plumbi brenda tij . Pra, bëj gjithmonë kujdes me atë që ndodh brenda teje.


Dhe ja cilësia e pestë e lapsit: ai lë përherë shenjë. Po në të njëjtën mënyrë, çdo që që do të bësh në jetë do të lërë gjurmë: për rrjedhojë, rreku fort që çdo veprim tëndin ta bësh me ndërgjegje të plotë”.



(Paolo Coelho, shqip K.D)


Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,862 Lexime
3 vjet më parë