Kurrikula e re

Përdorimi i evidencave për vlerësimin e nxënësit

Gama dhe shumëllojshmëria e qasjeve të vlerësimit duhet të marrë parasysh rëndësinë e konteksteve dhe të përvojave të mëparshme, interesat dhe aspiratat e nxënësve duke vendosur lidhje me të gjithë të nxënit.

Si vlerësojmë?

Siç e kemi përmendur edhe më lart, vlerësimi përfshin mbledhjen, reflektimin dhe mbajtjen e evidencave mbi të nxënit e nxënësve për t’u mundësuar mësuesve kontrollin e përparimit të tyre. 


Përdorimi i evidencave për vlerësim 

Mësuesit duhet të përdorin mënyra të ndryshme të matjes së arritjeve të nxënësve, pasi kështu u krijohet mundësia nxënësve për të treguar atë që dinë, kuptojnë dhe mund të bëjnë. Gama dhe shumëllojshmëria e qasjeve të vlerësimit duhet të marrë parasysh rëndësinë e konteksteve dhe të përvojave të mëparshme, interesat dhe aspiratat e nxënësve duke vendosur lidhje me të gjithë të nxënit.


Është thelbësore që mësuesit të përdorin evidenca për të nxënit për t’u siguruar nëse nxënësit po përparojnë. Evidencat janë të ndryshme në varësi të llojit të të nxënit që do të vlerësohet dhe plotësohen në mënyrë të vazhdueshme, periodike për detyra specifike, punë të nxënësve, aktivitete, teste etj.


Vlerësimi duhet të planifikohet si pjesë e aktiviteteve mësimore dhe e mësimdhënies. Në planifikimin e aktiviteteve me nxënësit, mësuesit: 

• duhet të marrin parasysh dhe të paraqesin rezultatet e të nxënit, për të cilat nxënësit janë duke punuar; 

• duhet të japin shembuj që ilustrojnë rezultatet e pritshme; 

• duhet të përcaktojnë kriteret e suksesit përmes diskutimeve ndërmjet tyre dhe me nxënësit; 

• duhet të krijojnë mundësi që nxënësit të demonstrojnë njohuritë, të kuptuarin, aftësitë dhe qëndrimet e tyre.


Mësuesit duhet të marrin në konsideratë balancën ndërmjet njohurive, të kuptuarit, shkathtësive, qëndrimeve, kompetencave, ashtu siç përshkruhet në rezultatet e të nxënit. 


Përshtatshmëria e vlerësimit me rezultatet që synohen

Gjykimet rreth të nxënit duhet të jenë të vlefshme dhe të besueshme.


Vlefshmëria e vlerësimit varet nga vlerësimi i gjerësisë së të nxënit të programit mësimor dhe nga gama e evidencave të përdorura për mbledhjen e konkluzioneve. Vlerësimet duhet të jenë të drejta, të arsyeshme, të përshkruajnë të nxënit e synuar dhe të bazohen në kritere të shëndosha. Vlefshmëria përmirësohet, kur detyrat dhe aktivitetet e vlerësimit masin rezultatet e synuara dhe lejojnë nxënësit të tregojnë dhe demonstrojnë njohuritë e tyre, të kuptuarit, shkathtësitë dhe qëndrimet. Aktivitetet e vlerësimit duhet t’u mundësojnë nxënësve që të tregojnë “sa mirë” dhe “sa shumë” kanë mësuar gjatë zhvillimit të programit mësimor. 


Besueshmëria është shkalla në të cilën vlerësimi, nëse përsëritet, do të japë të njëjtin rezultat. Vlerësimet janë të besueshme nëse ofrojnë evidenca me cilësi të lartë dhe informacione që janë  të krahasueshme (d.m.th., vlerësimi ka besueshmëri, kur gjykimet e të gjithë nxënësve, konteksteve, departamenteve apo shkollave janë të krahasueshme). Në besueshmërinë e një vlerësimi ndikojnë shumë faktorë, si p.sh., qartësia e udhëzimeve se si nxënësit të demonstrojnë të nxënit e tyre etj. Besueshmëria dhe qëndrueshmëria e vendimeve të mësuesve rritet nëse mësuesit bashkëpunojnë njeri me tjetrin për standardet dhe rezultatet e pritshme. 


Gjithashtu, e rëndësishme është që vlerësimi të jetë proporcional. Proporcionaliteti shmang mbingarkesën e nxënësve dhe të mësuesve dhe u krijon atyre mundësitë që ta përdorin me efikasitet kohën për mësimdhënie dhe të nxënë. Të gjitha vlerësimet duhet të jenë të vlefshme, të drejta për të gjithë nxënësit dhe të mbështesin progresin në të nxënit e tyre. Vlerësimi mund të përdoret: 


• për të ndërtuar të kuptuarit tek nxënësit “si pjesë e të nxënit dhe e mësimdhënies”; 

• për të monitoruar dhe ndjekur progresin e të nxënit në shkollë; 

• për të dhënë informacion mbi arritjet e nxënësve; 

• për t’u dhënë informacion aktorëve të tjerë jashtë shkollës (p.sh., në raste të dhënies së çmimeve).


Të gjitha vlerësimet që sigurojnë përmbledhje të progresit dhe arritjeve të nxënësve për aktorë jashtë shkollës kërkojnë kredibilitet dhe për këtë arsye duhet të kenë vlefshmëri dhe besueshmëri të lartë. Si pjesë e planifikimit, mësuesit duhet të diskutojnë dhe të ndajnë me kolegët qasjet vlerësuese për të siguruar përshtatshmërinë e tyre për rezultatin e synuar (vlefshmërinë), si dhe nëse këto vlerësime zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë nxënësit (besueshmëria).


Diskutime, detyra dhe aktivitete

Vlerësimi është pjesë e procesit të të nxënit dhe e mësimdhënies dhe duhet planifikuar si i tillë. Mësuesit duhet të planifikojnë diskutime efektive, detyra dhe aktivitete në mënyrë që nxënësit të demonstrojnë të nxënit e tyre. Ata duhet të sigurohen që vlerësimi është i përshtatshëm me rezultatet e synuara, duke konsideruar me kujdes faktorët kryesorë të vlerësimit. Mësuesit duhet ngrenë çështjet e mëposhtme dhe të diskutojnë rreth tyre:

Diskutimet, detyrat dhe aktivitetet e përzgjedhura nga mësuesit, që nxënësit të dëshmojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre, mund të kryhen brenda shkollës dhe jashtë saj. Mësuesit duhet të bashkëpunojnë me nxënësit për përcaktimin e qasjes më të përshtatshme të vlerësimit për një ose disa rezultate të nxëni. 


Si burime për evidencat dhe për dosjen e nxënësit mund të shërbejnë: 

- formate vëzhgime të nxënësve që kryejnë detyra dhe aktivitete, si p.sh., hulumtime praktike, shfaqje, prezantime, diskutime etj.;

- dokumente, materiale, të dhëna (me gojë, shkrim, audio-vizuale) të krijuara nga nxënësit, të cilat mund të përfshijnë vetëvlerësim dhe/ose vlerësim ndërmjet nxënësve ose mund të vlerësohen nga mësuesit; 

- informacion i marrë nëpërmjet pyetësorëve me cilësi të lartë ndërveprimi dhe dialogëve; 

- përgjigje me shkrim; 

- një krijim artistik, krijim letrar, projekt, raporte etj.; 

- raportime të siguruara nga të tjerë (prindërit, nxënës të tjerë, mësues të tjerë) për atë që kanë bërë nxënësit.


Mësuesit duhet të përdorin mënyra vlerësimi, të cilat shmangin ndonjë pengesë të panevojshme si p.sh., vështirësitë në nivelin e gjuhës së përdorur etj. Ata duhet të zgjedhin të dhënat e përshtatshme që masin arritjet, si dhe formatet përkatëse, të hartuara nga agjenci të posaçme për këtë punë, të cilat përmbajnë atë që nxënësit duhet të dinë, të shkruajnë, të bëjnë, të prodhojnë për të treguar sukses, si p.sh: përgjigjet e pritshme të pyetjeve, shkathtësitë dhe qëndrimet që duhet të demonstrojnë, kriteret e suksesit për prezantimet dhe produktet etj.


Mësuesi duhet të sqarojnë nxënësit se çfarë duhet të bëjnë për detyra ose teste vlerësimi specifike. Atyre duhet t’u krijohen mundësitë që të demonstrojnë një sërë kompetencash, për shembull një shkallë të lartë të të menduarit, aftësi për të punuar me të tjerët, sipërmarrje etj. 


Vlerësimi i të nxënit ndërkurrikular

Planifikimi i kujdesshëm i të nxënit ndërkurrikular krijon mundësi për kuptimin dhe zbatimin e njohurive dhe të shkathtësive në situata të panjohura duke marrë përsipër sfida të reja. Ai mund të realizohet jo vetëm në klasë, por edhe në kontekste të ndryshme, me përfshirjen e partnerëve nga komuniteti. Vlerësimi i të nxënit ndërkurrikular duhet të planifikohet me kujdes me qëllim që të sigurohet vlefshmëria dhe besueshmëria e tij. Ai duhet të përqendrohet në përvojat dhe rezultatet e identifikuara brenda dhe nëpër fusha të caktuara kurrikulare, me fokus të veçantë sigurimin e progresit në njohuri dhe kompetenca.


Regjistrimi i progresit dhe i arritjeve

Është e rëndësishme që mësuesit të mbajnë të dhëna të përditësuara rregullisht për progresin dhe arritjet e nxënësve. Këto duhet të bazohen në evidencat e të nxënit. Nxënësit dhe mësuesit duhet të zgjedhin shembujt më të mirë (“më e fundit” dhe “më e mira”) të arritjeve të tyre. Pjesa më e madhe e regjistrimeve (mbajtjeve shënim) duhet të bëhet gjatë aktiviteteve të përditshme mësimore. Përveç kësaj, mësuesit duhet të plotësojnë periodikisht profilet e plota të nxënësve, edhe kur ata janë duke kryer një hulumtim në një aspekt të veçantë të të nxënit. Si qasje për regjistrimin e progresit dhe të arritjeve mund të jenë: 


- Dëgjimi dhe demonstrimi i përditshëm i të nxënit dhe i mësidhënies; 

- Regjistrimi selektiv dhe i fokusuar në karakteristika thelbësore të performancës.


Regjistrimi efektiv mund të përdoret si fokus i diskutimeve gjatë planifikimit të mësimit për të identifikuar hapat e ardhshëm të të nxënit. Ai, gjithashtu, ndihmon mësuesit për të siguruar ndihmën e duhur në të nxënit e secilit prej nxënësve, si dhe mund të përdoret për të prezantuar arritjet me stafin, nxënësit dhe prindërit.


(Portali Shkollor)

28,038 Lexime
6 vjet më parë