RREGULLA

Përmbajtja e portofolit të praktikantit dhe vlerësimi i tij nga komisioni dhe mësuesi mentor

Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikanti plotëson portofolin e tij me përvojat më të mira. Duke qenë se ju tashmë mund të keni nisur stazhin ne ju sjellim një pasqyrë se çfarë përmban ku portofol.

Duke u bazuar te rregullorja e MASR për “Organizimin dhe zhvillimin e praktikave profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit”, ne ju sjellim një pasqyrë të përmbajtjes së portofolit që i duhet praktikantit dhe më pas ju paraqesim edhe vlerësimin që i bëhet punës së tij nga mësuesi mentor dhe komisioni i vlerësimit. Shumë prej jush tashmë kanë nisur praktikat profesionale dhe ky material ju shërben në bërjen e punës tuaj. 


Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikanti plotëson portofolin e tij me përvojat më të mira. 


                                                                PORTOFOLI PËRMBAN:

1. planin lëndor vjetor;

2. objektiva të arritjeve të nxënësve për një kapitull;

3. plane ditore të orëve mësimore (2-3 modele);

4. teste të orëve mësimore dhe të kapitujve (2-3 modele);

5. projekte kurrikulare të zhvilluara me nxënësit (1-2 modele);

6. shembuj të përdorimit nga praktikanti të burimeve të mësimdhënies, përveç tekstit të

nxënësit;

7. shembuj të metodave që ka përdorur praktikanti, për të formuar te nxënësit aftësitë e:

  • komunikimit me gojë dhe me shkrim;
  • të menduarit kritik;
  • të menduarit krijues;
  • të punuarit në grup;
  • të menaxhimit nga nxënësit, të informacionit mësimor nga burime të ndryshme;
  • të përdorimit të TIK-ut në mësimdhënie;
  • të përdorimit të matematikës e gjuhës shqipe në mësimdhënie;
  • të punës me nxënësit me vështirësi në të nxënë;
  • të punës me nxënësit me prirje të veçanta;

8. “Raportin e praktikantit” me reflektime mbi përvojat e tij gjatë praktikës profesionale, me sukseset më të spikatura dhe vështirësitë kryesore.



                                                           VLERËSIMI I PRAKTIKANTIT

Vlerësimi i praktikantit nga mentori


1. I nënshtrohet vlerësimit, praktikanti që ka munguar jo më shumë se 20% të orëve mësimore vjetore.

2. Praktikantit që ka munguar më shumë se 20% deri në 30% të orëve mësimore vjetore, i shtyhet praktika 3 muaj. Praktikanti që ka munguar më shumë se 30% të orëve mësimore vjetore, përsërit të plotë praktikën profesionale.

3. Mentori vlerëson praktikantin në mbarim të praktikës duke u mbështetur tek vëzhgimet e tij, në intervistat që realizon me praktikantin dhe në portofolin e praktikantit.

4. Mentori vlerëson praktikantin për secilën kompetencë, të përshkruara në një format standard (sipas shtojcës 3 “Vlerësimi i praktikantit”, bashkëlidhur kësaj Rregulloreje).

5. Vlerësimi për secilën kompetencë është në katër nivele:

  • Niveli “Shumë mirë”, kur praktikanti ka një nivel shumë të mirë në realizimin e
  • kompetencës.
  • Niveli “Mirë”, kur praktikanti ka një nivel të mirë në realizimin e kompetencës.
  • Niveli “Mjaftueshëm”, kur praktikanti ka vështirësi në realizimin e kompetencës.
  • Niveli “Dobët”, kur praktikanti nuk e zotëron kompetencën.

6. Dokumenti i vlerësimit të praktikantit firmoset nga mentori dhe drejtori i institucionit.


Komisioni i vlerësimit të praktikantëve


1. Komisioni i vlerësimit të praktikantëve ngrihet me vendim të drejtuesit të DAR/ZA- së, kryesohet nga përgjegjësi i sektorit të kurrikulës dhe cilësisë dhe përbëhet nga: një specialist i sektorit të kurrikulës dhe cilësisë, një specialist i sektorit të programeve të zhvillimit të DAR/ZA-së, një drejtor i një institucioni arsimor të praktikës profesionale dhe një kryetar i ekipit lëndor përkatës.

2. Komisioni:

  • shqyrton dosjen e praktikantit që përmban dokumentin “Vlerësimi i praktikantit” nga mentori dhe portofolin e praktikantit;
  • interviston praktikantin.

3. Komisioni vlerëson “Dobët” praktikantin, kur në të paktën një kompetencë ka vlerësimin “Dobët”. Në këtë rast komisioni shtyn afatin e zhvillimit të praktikës profesionale në tre muaj. Shtyrja prej tre muaj mund të përsëritet tre herë. Në këto raste, praktikanti mund të zhvillojë praktikën profesionale në të njëjtin institucion arsimor.

4. Komisioni vlerëson “Dobët” praktikantin, kur në vlerësimin tërësor ka vlerësimin “Dobët”. Në këtë rast komisioni shtyn afatin e zhvillimit të praktikës profesionale në 1 vit mësimor.

5. Kur praktikanti nuk e kalon me sukses praktikën profesionale edhe pas shtyrjes së afatit, nuk ka të drejtë për ta zhvilluar më atë.

6. Komisioni vendos certifikimin e praktikantit në bazë të shqyrtimit të dosjes dhe intervistës së tij. Komisioni i merr vendimet me shumicën e votave.

7. Certifikata e praktikës profesionale përgatitet nga DAR/ZA, firmoset e vuloset nga drejtuesi i DAR/ZA-së përkatëse dhe i dorëzohet praktikantit. Një fotokopje e certifikatës ruhet në arshivën e DAR/ZA-së.




(Portali Shkollor) 

24,304 Lexime
4 vjet më parë