Profil

“Përpiqem që secilit nxënës t’i kushtoj vëmendje maksimale”

Pranvera Kotollaku, thotë se mësimdhënia për të është përgjegjësi jo vetëm para nxënësve, por edhe përpara prindërve të cilët i besojnë edukimin e fëmijës së tyre.

Java e parë e vitit të ri akademik shoqërohet me emocione për mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Për të gjithë është një fillim i ri, objektiva të reja, synime e qëllime të reja. Në qendër është mësuesi i cili duhet të kujdeset për të gjithë nxënësit, të bisedojë me prindërit dhe të krijojë “strategjinë” e suksesit në mënyrë që të tre, mësues, nxënës dhe prindër të jenë të lumtur në përfundimin e vitit shkollor.


Kështu edhe në shkollën 9-vjeçare B.Curri në kryeqytet ditët e para të shkollës janë shoqëruar me entuziazëm dhe emocione pozitive. Mësuesja e klasës së dytë, Pranvera Kotollaku, thotë se çdo fillim viti është një fillim i ri për të ku i duhet të marrë masa që gjithçka të shkojë sipas planit të saj dhe të arrijë objektivat në fund. Mësimdhënia për të është përgjegjësi jo vetëm para nxënësve, por edhe përpara prindërve të cilët i besojnë edukimin e fëmijës së tyre.


“Pas një shkëputjeje me nxënësit ne takohemi sërish, sigurisht që bisedojmë për pushimet verore. Pres me shumë kënaqësi të ndajmë së bashku emocionet e rrëfimit të pushimeve të gjithsecilit nxënës. Përpiqem shumë që gjithsecilit nxënës t’i kushtoj vëmendje maksimale”, shprehet mësuese Pranvera.


Mësuesja shikon me vëmendje çdo hap, çdo veprim të nxënësve të saj aq sa arrin që në fëmijërinë e tyre të shikojë pjesë nga fëmijëria e saj. Viti i kaluar ishte më i vështirë se ky vit shkollor pasi nxënësit e saj sapo u prezantuan me shkollën. Ndërsa këtë vit i presin sfida të tjera, të panjohura për nxënësit e saj.


Ka programuar dhe ideuar në mendje se si do të jetë ky vit, cilët janë nxënësit nga të cilët pret rezultate akoma më të larta. Koha e pushimeve i ka mjaftuar që të hartojë në mendje objektiva të reja për secilin nxënës të klasës. Ajo ndjehet përgjegjëse për arritjet dhe dështimet e secilit nxënës, prandaj bën të pamundurën që të mos dështojë, por të arrijë vetëm suksese.


Mësuese Pranvera ju uron kolegëve që të falin sa më shumë dije dhe dashuri, ndërsa nxënësve ju uron suksese në rrugën e gjatë të dijes.

(Portali Shkollor)

4,011 Lexime
7 vjet më parë