"Tri lëndë në gjashtë orë"

Plani mësimor, anglisht, klasa e III

Plani mësimor për lëndën gjuhë e huaj, anglisht, klasa e tretë është përgatitur nga mësuesja Odensa Kraja. Ftojmë të gjithë mësuesit që na ka në shkruar duke kërkuar një model plani për këtë lëndë të shikojnë materialin në vijim.

Rezultatet e të nxënit të kompetencave kyçe që realizohen nëpërmjet lëndës “Gjuhë e huaj e parë”. 


Në kurrikulën bërthamë janë përcaktuar rezultatet e të nxënit për kompetencat kyçe. Këto rezultate përmbushen nëpërmjet fushave të të nxënit.

Natyrisht, secila fushë dhe lëndë mund të kontribuojë në disa rezultate të nxëni. Fusha “Gjuhët dhe komunikimi” ndihmon realizimin e të gjitha kompetencave, por më së shumti në kompetencën e komunikimit dhe të shprehurit. Tabela e mëposhtme paraqet rezultatet e të nxënit të kompetencave kyçe që realizohen nëpërmjet lëndës së gjuhës së huaj në këtë klasë.


Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit

Nxënësi:

• shpreh përjetimet që e kanë shoqëruar gjatë shikimit dhe dëgjimit të një dialogu, tregimi të shkurtër në njërën nga format shprehëse (me gojë, me shkrim, vizatim, mimikë, lëvizje etj.);

• pyet dhe përgjigjet për emrin , moshën, pjesëtarët e familjes etj.;

• shkruan fjalë të shkëputura që identifikojnë figura të ndryshme;

• identifikon personazhet kryesore të një tregimi kur ndihmohet nga figurat dhe animacioni;

• shpreh me gojë dhe me shkrim fjali të thjeshta në gjuhën e huaj dhe i përkthen në gjuhën amtare;

• shkruan një kartolinë të shkurtër e të thjeshtë urimi.


Kompetenca e të menduarit

Nxënësi:

• përgjigjet me fjalë, fjali të mësuara përmendësh ose veprime pyetjeve që i drejtohen;

• identifikon për një temë/ngjarje, personazhet kur ndihmohet nga figurat dhe filmimet;

• krijon lidhjet midis fjalëve dhe figurave, simboleve, numrave, bashkësive etj.


Kompetenca e të nxënit

Nxënësi: 

• ndjek udhëzimet e thjeshta të dhëna nga mësuesi për të realizuar një veprim që kërkohet;

• pyet dhe përgjigjet lidhur me tematika nga jeta e përditshme, me fjalë të shkëputura dhe fjali shumë të shkurtra;

• zgjidh me ndihmën e mësuesit ushtrimin, detyrën e dhënë;

• grumbullon materialet e performancës së vet, për përgatitjen apo pasurimin e portofolit personal;

• punon në çift ose në grup për realizimin e detyrës së dhënë;

• prezanton veten, shkollën, familjen, dëshirat, etj., me fjali të mësuara paraprakisht.


Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin

Nxënësi:

• përgatit postera të thjeshtë me vizatime dhe fjalë të shkëputura përshkruese për mjedisin, jetën në shkollë dhe familje;

• gjen të përbashkëtat dhe ndryshimet ndërmjet figurave,personazheve në një tregim shumë të thjeshtë;

• jep të dhëna personale.


Kompetenca personale

Nxënësi:

• bashkëpunon me të tjerët për arritjen e një qëllimi të përbashkët në aktivitetet në klasë, shkollë apo jashtë saj;

• bashkëpunon në mënyrë aktive me të gjithë moshatarët (pavarësisht prejardhjes së tyre, aftësive dhe nevojave të veçanta) drejt arritjes së një qëllimi të përbashkët (projekti/ aktiviteti në bazë klase).


Kompetenca qytetare

Nxënësi:

• ndjek rregullat e punës në grup në bashkëpunim me anëtarët e grupit;

• shpreh mendimin duke kërkuar paraprakisht leje nga grupi, respekton mendimin e secilit anëtar të grupit, duke i dëgjuar në mënyrë aktive;

• bashkëpunon me të gjithë anëtarët, për mënyrat që çojnë drejt përfundimit të një aktiviteti të caktuar;

• shpreh, dëgjon dhe respekton mendimin e secilit anëtar;

• përdor fjalët e mirësjelljes.


Kompetenca digjitale

Nxënësi:

• identifikon personazhet, kohën, vendin e një teksti të shkurtër të dëgjuar (nga mjetet audio-vizuale), të shprehur qartë dhe ngadalë;

• realizon punime origjinale, vetjake duke përdorur figurat e gjetura nga burime informacioni, si një formë për të shprehur emocionet e tyre.

(Portali Shkollor)

12,045 Lexime
6 vjet më parë