Planifikimi

Plani vjetor, gjeografi klasa VII

Gjeografia i ofron nxënësit mundësi të kuptojë veçoritë natyrore e shoqërore të mjedisit gjeografik; diversitetin e vendeve dhe rajoneve në botë, të njerëzve e kulturave; ndërvarësinë e ndërveprimin si dhe marrëdhëniet e njeriut me mjedisin.

Gjeografia është shkenca e vendit, hapësirës dhe mjedisit. Ajo është një mënyrë e strukturuar e zbulimit, analizës dhe shpjegimit të dukurive dhe karakteristikave të Tokës, banorëve të saj dhe marrëdhënieve të ndërsjella midis tyre. Mësimi i gjeografisë i ofron nxënësit mundësi të kuptojë veçoritë natyrore dhe shoqërore të mjedisit gjeografik; diversitetin e vendeve dhe rajoneve në botë, të njerëzve dhe kulturave; ndërvarësinë dhe ndërveprimin si dhe marrëdhëniet e njeriut me mjedisin në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe botëror. Ndryshimet e shumta që po përjeton shoqëria e sotme kanë modifikuar marrëdhënien tonë me mjedisin. Shumëllojshmëria e informacionit dhe shpërndarja e tij marramendëse, shtimi i shkëmbimeve të llojeve të ndryshme, globalizimi i ekonomisë dhe lëvizjet e popullsisë, i bëjnë largësitë më të vogla dhe ndikojnë mënyrën sipas së cilës ne shohim botën. Në këtë kuptim, lënda e gjeografisë ka një rëndësi të veçantë për përgatitjen e nxënësit për të jetuar dhe për t’u integruar në shoqëri, për kultivimin e identitetit personal, shoqëror, kombëtar dhe edukimin për të jetuar së bashku për një zhvillim sa më të qëndrueshëm. Programi i gjeografisë ndihmon në zhvillimin e kompetencave kyçe në funksion të të nxënit gjatë gjithë jetës. Zhvillimi i kompetencave është pikënisja dhe parimi bazë organizativ i këtij programi. Përmbajtja lëndore konceptohet si mjet për realizimin e tyre nëpërmjet zhvillimit të situatave të të nxënit. Nxënësi përvetëson mjetet dhe “gjuhën” gjeografike teksa hulumton marrëdhënien e njeriut me vendet dhe mjedisin, njëkohësisht zbulon rolin që duhet të përmbushë për zhvillimin e qëndrueshëm. Ai mëson t’u përgjigjet problemeve gjeografike duke përdorur prezantimet hapësinore që ka përdorur më parë, të cilat tashmë i modifikon dhe i zhvillon. Vëzhgimet dhe puna në terren, puna me hartën, interpretimi i shpërndarjes hapësinore të veçorive natyrore dhe shoqërore në Tokë dhe ndërvarësitë midis tyre, zhvillojnë shkathtësitë themelore gjeografike në këtë nivel shkollimi. 

ENIDA BASHALLIU

z/drejtore 

Shkolla 9-vjeçare “Mark  Dashi” Fier


(Portali Shkollor)

4,301 Lexime
5 vjet më parë