Model

Planifikimi i orës mësimore, gjuhë shqipe VII

Ditari për dy temat mësimore është realizuar nga mësuesi Ilir Braçja, shkolla 9-vjeçare “28 Nëntori” Pekisht-Peqin, lënda gjuhë shqipe, klasa VII. Ditari u hartua sipas nismës “tri lëndë në gjashtë orë”.

Planifikimi ditor

Datë: __________________________

Fusha: Të lexuarit e teksteve.

Lënda: Gjuhë shqipe

Shkalla: III

Klasa: VII

Rubrikat: Teksti dramatik (Komedia). 

Temat mësimore:

Ora e parë:  Pas vdekjes. A. Z. Çajupi.

Ora e dytë:  Pas vdekjes. A. Z. Çajupi.

Situatat e të nxënit:

- Komedia

- Jeta në skenë


Rezultatet e të nxënit për njësinë mësimore 1:

Nxënësi:

• Diskuton për jetën dhe veprën e A. Z. Çajupit.

• Dallon komedinë, si lloj i tekstit letrar.

• Formulon mesazhin e tekstit dramatik, e lidh atë me aktualitetin, dallon ironinë.

Rezultatet e të nxënit për njësinë mësimore 2 

Nxënësi:

- Analizon karakterin e personazheve nëpërmjet fjalëve që thonë, dallon veçoritë e dialogut.

- Zbulon gjuhën e komedisë (mjetet e realizimit të humorit)

- Gjykon, jep vlerësimin rreth ideve te ndryshme.

Fjalët kyç: dramë, komedi, dialog, personazh komik, personazh kryesor, ironi, humor, dialog etj. 

Lidhja me fushat e tjera ose temat ndërkurrikulare: Letërsinë, Historinë e kulturës shqiptare, Artin skenik, Kinematografinë.

Burimet: Teksti i nxënësit, komedia “Pas vdekjes”, material nga internet për A. Z. Çajupi. Video-projektor.

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve: Stuhi mendimesh, Lexim ne role, Diskutim, Sekuenca filmike, Interpretim në role, Punë në grupe.


Organizimi i orës së parë të mësimit ( 45 minuta )

1. Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme të nxënësve: Stuhi mendimi (koha 10 minuta)

Mësimi fillon duke u kërkuar nxënësve të thonë çfarë dinë lidhur me komedinë. Plotësohet me përgjigjet nxënësve skema:

Nëse nxënës, sipas niveleve të ndryshme kanë vështirësi për t’u përgjigjur, ndihmohen me anë të pyetjeve: Komedia

- A e dini se çfarë është komedia?

- A keni ndjekur ose parë ndonjëherë ndonjë komedi?

- Çfarë ju ka bërë për të qeshur?

- A ju pëlqen ndonjë komedi? Cila është ajo?

2- Ndërtimi i njohurive të reja. Prezantimi i pjesës së re: (koha 15 minuta ) Prezantoj titullin e pjesës së re dhe autorin (i shkruaj në dërrasën e zezë). Flitet shkurtimisht për jetën dhe veprën e autorit.


3. Lexim me role dhe shpjegimi i fjalëve të reja. ( koha 10 minuta)

- Ndaj rolet dhe u kërkoj nxënësve të nënvizojnë pjesën që ju pëlqen më shumë, ose që i bën për të qeshur.

Nxënësit njihen me “Ironinë”:

Ironia është tallje e hollë e fshehur, një nga llojet e humorit. Kemi ironi edhe kur përdorim një fjalë me kuptimin e saj të kundërt. P.sh, duke mbajtur seriozitetin themi të kundërtën e asaj që mendojmë në të vërtetë, për ndonjë dukuri apo njeri.

- U kërkohet nxënësve të nënvizojnë fjalët e reja. Shkruhen fjalët në dërrasën e zezë, zbërthehet kuptimi i tyre dhe nxënësit formojnë fjali me to.


4. Pyetje rreth të kuptuarit, ritregimi i brendisë e tekstit dhe mesazhi ( koha 5 minuta)

- Cila është tema e bisedës mes dy personazheve?

- Pse janë të shqetësuar ata?

- Ç’përmbajtje kishte nekrologjia e Lulushes?

- Cila është arsyeja e pakënaqësisë dhe zemërimit të Adham-Utit?

- Një nxënës thonë me fjalët e tij brendinë e tekstit.

- Cili është mesazhi që merrni nga kjo komedi? Mesazhi është: “ Njerëzit me kokë të zbrazët (përsa u përket dijeve që mbartnin dhe që reklamonin në të vërtetë) dhe shpirt të varfër, me mendjemadhësinë e tyre dëmtuan rëndë aspiratat e popullit tonë për liri dhe pavarësi, duke u shërbyer në një mënyre a një tjetër pushtuesve të kohës për të cilën flet komedia. Këta njerëz, megjithëse u vunë në lojë nga mençuria popullore, përsëri mendonin dhe donin të dinin se edhe pas vdekjes ishin gjoja të vlefshëm për popullin, dhe sipas tyre populli duhet t’i respektonte. Por me veprat e tyre prej sharlatanësh ata demaskuan vetveten”.


5- Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura. Pyetje dhe Diskutim. ( koha 5 minuta)

U drejtoj nxënësve pyetjet:

- A njihni njerëz me vese të tilla?

- Çfarë mendoni për ta? Ç ‘këshillë do t’u jepnit?

- A ju pëlqen ky tekst? Pse?

- Çfarë ju pëlqeu më shumë?

- Çfarë përjetuat ju kur lexuat këtë pjesë?


Organizimi i orës së dytë të mësimit (45 minuta)


1- Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme të nxënësve. (10 minuta)

- Interpretim në role

Me anë të video-projektorit shfaqim sekuenca të komedisë “Pas vdekjes”, ku në rolet kryesore janë aktorët Kadri Roshi; Robert Ndrenika; Pavlina Mani; Shpëtim Shmili etj. Filmi shkarkohet në linkun: https://youtu.be/P1D_Lzq-4t0.

Pasi kanë parë sekuenca të ndryshme të komedisë “Pas vdekjes”, dy nxënës interpretojnë në role pjesën

“Pas vdekjes”. Bashkë me nxënësit e tjerë vlerësoj interpretimin e tyre.


2- Ndërtimi i njohurive të reja (15 minuta)

Analizojmë tekstin:

U drejtoj nxënësve pyetjet:

- Si i përshkruan autori personazhet? Bëhet nga nxënësit analiza e personazheve.

- A mendoni se është qesharak shqetësimi i personazheve? Interpretoni duke argumentuar. Kujdesem që nxënësit të shprehen qarte, dhe te përfshihen nxënës të të gjitha niveleve.

Për të shkaktuar të qeshurën dhe humorin, Çajupi:

- krijon karaktere komike?

- krijon situata komike?

- përzgjedh fjalët?

- analizon ngjarjet?

- kritikon sjelljet?


Nxënësit njihen me humorin si përkufizim: “HUMORI është aftësia ose cilësia e njeriut për të shkaktuar të qeshurën duke paraqitur anët komike të realitetit. Teknikat humoristike përfshijnë: përshkrimin e situatave dhe të personazheve me karakteristika komike, lojërat e fjalëve, batutat, si edhe shprehjet e ekzagjeruara”. 


3- Reflektim rreth tekstit. ( 10 minuta )

Kërkoj nxënësve të komentojnë thënien e mëposhtme:

“Shqetësimi për gjëra të kota të bën qesharak”.

Udhëzoj nxënësit të argumentojnë shpjegimet e tyre me raste nga aktualiteti, të ngjashme me temën diskutimit.


4- Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura. ( 5 minuta )

Të ndarë në grupe, udhëzoj nxënësit gjejnë pjesët që u pëlqejnë m ë shumë dhe që i bëjnë për të qeshur. Në diskutim marrin pjesë nxënës të niveleve të ndryshme për gjetjen e këtyre pjesëve.


5- Vlerësimi:  ( 5 minuta )

(Vlerësim përmbledhës për 90 minuta) Vlerësohen nxënësit për dallimin e komedisë, si lloj i tekstit letrar; për zbërthimin dhe rrëfimin e brendisë të tekstit dramatik; për formulimin e mesazhit të tekstit dramatik ; për gjykimin dhe vlerësimin e mesazhit të komedisë, për interpretimin e komedisë. Vlerësohen 3-4 nxënës me note.

Detyrë shtëpie: Krahasoni gjuhën e përdorur nga Çajupi në komedi. (Referojuni edhe asaj të përdorur në komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” të trajtuar në klasën e gjashtë). Përzgjidhni fjalët dialektore dhe ato që mendoni se kanë një formë të ndryshme nga gjuha standarde. Nxirrni konkluzione dhe prezantojini ato, duke përdorur një program kompjuterik, p.sh.: Powerpoint. (Sqarohet detyra e shtëpisë).

Punoi: Ilir Braçja

Shkolla 9-vjeçare “28 Nëntori” Pekisht-Peqin.

Lënda: Gjuhë shqipe & Letërsi, Klasa e VII.

(Portali Shkollor)

10,864 Lexime
6 vjet më parë