SHKRIM KRITIK

Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!

Mësuesi ka nevojë të shkojë i sigurtë në vendin e punës dhe të ndihet i mbrojtur. Katra apo pesa e një nxënësi nuk duhet të jetë pjesë e urrejtjes ndaj mësuesit, për duhet të ngulitet në mentalitet, që nota është plotësisht një meritë e vetë nxënësit.


Klishe, klishe dhe vetëm klishe fraza: “Shkolla dhe mësuesit kanë nevojë për prindërit”. Në fakt  e parë një një planvështrim është i drejtë ky bashkëpunim. Prindërit bëjnë fëmijë e i sjellin ata në shkollë, drejtuesi, mësuesi, roja, sanitarja janë pala pritëse, ata kujdesen për të vegjlit e tyre edhe kur nuk janë më të vegjël pra, adoleshentë. Prindërit i lënë fëmijët e tyre gjithë mirëbesim në një institucion si shkolla. Deri këtu situata duket perfekte. Mësuesit i veshin vetes një buzëqeshje të zorshme gjithë siklet e prindërit buzëqeshin kërcënueshëm se po nuk i vure  dhjetë fëmijës tim puna është “pisk”.


Marrëdhënia prind–mësues nënkupton një bashkëpunim në formim dhe në ndërtim të një sistemi, ku prindi nuk përjashtohet nga burimet informuese shkollore. Pra, prindi njeh programet prezantohet me to në këtë  mënyrë që të dijë se çfarë mëson fëmija i tij. Deri këtu jemi të gjithë dakord, prindërit vazhdojnë të buzëqeshin përballë mësuesit  e mësuesi i gëzohet kohës ku ndihet pak i qetë edhe pse në ndërgjegje  e di që “fortuna” mbledhje me prindër po afron dhe notat e para sapo kanë dalë. I shkreti mësues që mendon ku të shtojë pikë e të motivojë ose  thënë më mirë të shpëtojë.


“Jam shumë e pakënaqur”, “Nuk jam dakord me vlerësimin tuaj” “Ju nuk jeni e aftë” ,“E kam djalin për jashtë shtetit nuk mund t’i vini notë të ulët” ,“Dua  rikorrigjim” ,“Djali im/vajza ime  është gjeni”, “Unë jam gjithë ditën në punë nuk kam kohë të merrem me të, ju duhet të na i edukoni”...


Asnjë mësues në republikën e Shqipërisë nuk mund të mos jetë përballur me akuza të tilla.


Ne mësuesit  nuk  mund të  vazhdojmë të edukojmë sjellje, t’i mësojmë fëmijës se t’i kthesh fjalën mësuesit  nuk është korrekte, se të vendosësh këmbët sipër bankës është një formë jo e këndshme për t’u ulur, se të përdorësh fjalor banal është një akt i papranueshëm. Stop! Mësuesi nuk mund të merret më me të tilla gjëra. Fajin nuk e ka qendrën në shkollë, faji është i këtyre prindërve që shqyejnë dyert e drejtorive duke u ankuar për mësuesit, e për çfarë? Se djali nuk po arrin pritshmëritë e ëndrrave të tyre. E papërshtatshme është sjellja e disa prindërve, të cilët kanë pritshmëri shumë të larta nga fëmijët e tyre, dhe nuk vlerësojnë maksimalisht punën e palodhur të mësuesve të cilët synojnë që këta nxënës t'i realizojnë objektivat e tyre. Është e thjeshtë, disa fëmijë e duan shkollën disa jo. Dreqi e mori lexo dëshirën e fëmijës tënd, por sigurisht prindi avokat e ka projektuar tashmë se djali do të bëhet gjykatës. Nuk janë të pakta rastet gjatë mbledhjeve me prindër ku mësuesi edhe ofendohet.


Mësuesi është kategoria më e prekur në të gjithë këtë. Ditar për të bërë, objektiva për t’u arritur, regjistra për t’u plotësuar, kolegë që përshpërisin në  vesh “filanin  e kam timin shikoje një çikë”. Presioni duhet të marrë fund, duhet të denoncohen raste të tilla, duhen ngritur mekanizma që i dalin në krah mësuesit nuk mund të lihemi kështu. Mësuesi ka nevojë të shkojë i sigurtë në vendin e punës dhe të ndihet i mbrojtur. Katra apo pesa e një nxënësi nuk duhet të jetë pjesë e urrejtjes ndaj mësuesit, për duhet të ngulitet në mentalitet, që nota është plotësisht një meritë e vetë nxënësit.


Sindikatat, organet për çështje arsimore duhet të hartojnë mekanizma mbrojtës ndaj figurës së mësuesit, përndryshe do filloni të dëgjoni antentate të tipit “U qëllua mësuesi se i vuri vlerësim dobët më të drejtë nxënësit”.



(Qasje kritike e Erisa Sipri)

16,125 Lexime
5 vjet më parë