Të menduarit kritik

Projekt: Të mposhtim frikën! Brunilda Xhemo, mësuesja që u gjendet pranë maturantëve

Mësues si po i ndihmoni ju maturantët? Brunilda Xhemo në fakt ka hartuar një projekt për t’i ardhur në ndihmë jo vetëm nxënësve të saj, por të gjithë atyre të rinjve të cilët duan të mposhtin frikën dhe pasiguritë ndaj sfidave të maturës dhe të përzgjedhjes së degës së studimeve.

Projekt i realizuar me nxënësit e mi maturantë

Nxënësit e mi janë të frikësuar! I tremb e sotmja, por më tepër e ardhmja!  


  • Pandemia rrezikoi jetën dhe akoma kërcënon shëndetin e tyre sikurse të miliona njerëzve në botë.
  • Adoleshencës, kësaj faze të jetës sa të bukur po aq komplekse iu shtuan problematikat e shëndetit , dhe jo vetëm. 
  • Mësimi online sprovoi jo vetëm ne mësuesit, por edhe nxënësit. Rruga e re e pashkelur përveçse na mësoi mjaft, la dhe pasojat e veta. 
  • Një maturat ndjehet i frikësuar sepse humbi disa gurë nga kalaja e dijes që po ndërtonte me aq kujdes në vitet e gjimnazit. 
  • Një maturant ndjehet i frikësuar sepse pas pak duhet të bëjë zgjedhjen madhore të jetës së tij në një moshë relativisht të vogël.
  • Një maturant ndjehet konfuz, me plot ëndrra për të ardhmen, por jo me këmbë në tokë për t’i realizuar ato. 


A janë të rinjtë tanë të përgatitur mendërisht për të përballuar një sfidë të tillë? Në këtë situatë përgjegjësia ime si mësuese e tyre është e madhe: 


  1. Si mund t’i ndihmoj nxënësit e mi që të dalin nga kjo situatë pasigurie?
  2. Si mund t’i ndihmoj të mposhtin frikën?
  3. Si mund t’i ndihmoj të ndërtojnë metoda studimi të përshtatura me kushtet e reja?
  4. Si të ndez tek ata shkëndijën e të jetuarit bukur edhe pse në këto kushte?


E gjendur mes pikëpyetjesh të tilla, por edhe me vullnetin dhe dëshirën e madhe për t’i ndihmuar ata dhe njëkohësisht edhe veten, iu drejtova të menduarit kritik: - Reflektim që nga vetja ime, analizë të plotë të situatës, ballafaqim me faktet që tashmë nuk kanë dyshim, kërkim i rrugëve origjinale të zgjidhjes. 


Kisha dëgjuar të flitej për mendimin kritik, madje jo pak herë e kisha aplikuar në procesin mësimor, por këtë herë është ndryshe, nxënësit e mi maturantë kanë nevojë për mbështetjen time, si udhërrëfyese e momentit më të rëndësishëm të jetës së tyre: Dalja në jetë.


E nisa me Bloom , Ennis, Paul e Elder, Lipman e Daniel etj, duke i kushtuar vëmendje rolit të mësuesit në kauzë.


“Një mendimtar kritik nuk mund të ketë procese të organizuara të të menduarit, por të jetë i vetëdijshëm për të shfrytëzuar mundësitë”. 


Por cilat ishin mundësitë e mia për t’i ndihmuar nxënësit e mi të mposhtin frikën e tyre?


Misioni im në shkollë veç të tjerash synon edhe ofrimin e instrumenteve që i lejon nxënësve pjesëmarrjen dinjitoze, aktive në jetën sociale, ekonomike e politike. Roli im si mësues është udhëheqja e tyre drejt një vendimmarrje sa më të drejtë, kthjellimin e mendimeve, stimulimin e vetëreflektimit, të analizimit të situatës, interpretimit, shqyrtimit të burimeve dhe rezervave, zbulimin e pikave të forta dhe të dobëta, njohjen e këndvështrimeve të ndryshme për zgjidhjen e problemit. 


1. Njohja me problemin


Problemi ishte i qartë dhe pyetjet ishin tashmë mbi tavolinë. 

Mendova që me nxënësit e mi maturantë të zhvilloj një laborator, dhe zgjodha debatin, si forma më e mirë për të vënë në lëvizje  zhvillimin e  reflektimit dhe mendimit kritik, nëpërmjet një didaktike të tillë që merr shkak nga kjo situatë problemore e parashtruar. 

Tashmë një maturant nuk është vetëm një nxënës që po mbaron studime të mesme shkollore, por një individ i të nesërmes, i cili duhet të  jetë i vetëdijshëm për t’u përballur me sfidat e jetës,  i aftë në vendimmarrje dhe i pajisur me aftësi vlerësimi e  gjykimi. 

Aksioni i parë në realizimin e këtij laboratori ishte krijimi i tre grupeve të nxënësve: debati do të zhvillohej nga dy grupe nxënësish dhe grupi i tretë i tyre ishte publiku. 

  • Ekziston frika brenda nesh? 
  • Ndaj kujt kam frikë?
  • Çfarë më tremb në jetë?

Gjatë kësaj faze të laboratorit nxënësit zhvilluan kapacitetet e tyre për analizimin e situatave dhe argumenteve, sikurse u parashtruan më lart për të ndezur shkëndijën e replikës, motiv ky për të cilin debati shpesh është konsideruar si metodë e përkryer e mendimit kritik.


2. Analizojmë 

  • Pandemia ndryshoi ritmin e të studiuarit në shkollë. Për një kohë të gjatë u studiua online. Çfarë fituam? Çfarë humbëm? 
  • Jemi maturantë, mosha më e bukur për njeriun, por dhe me plot problematika. 
  • Na frikësojnë problemet e moshës? Si të përballemi me to?
  • Matura në fundin e saj matet me rezultate të arritura. Na frikëson një mesatare jo e kënaqshme?
  • Çdo të ndodhë me të ardhmen tonë?

Kështu nëpërmjet debatit midis grupeve dhe pyetjeve nga publiku “nxënës” u vunë në lëvizje një seri aftësish që ndihmojnë në fitimin e kompetencave për të gjykuar drejt situatat. Nxënësit shohin problemin në këndvështrime të ndryshme, konfrontohen midis tyre, japin ide, fokusohen tek argumentet bazë:

  1. Situata shëndetësore, pasojat në ritmin shkollor
  2. Adoleshenca dhe problematika
  3. Rezultate akademike në këtë kuadër
  4. E ardhmja

 

3. Reflektojmë- vetëreflektojmë:


  • Cilat janë pikat e mia të forta për të përballuar situatat? Po pikat e dobëta?
  • Si do të përdor pikat e forta për zgjidhjen e problematikave të mësipërme?
  • Në fund nxënësve ju kërkua:- Jam në gjendje të mposht frikën brenda vetes? Kam potenciale mjaftueshëm?
  • Po të gjithë së bashku mund të mposhtim frikën?

Secili grup sjell argumentet përkatës. 


4. Ballafaqim mendimesh


Përveç të tjerash nxënësit zhvillojnë aftësinë e të dëgjuarit të tjetrit, interpretimin e komentit të replikës bazuar në argumentimin e saktë. 

Së fundmi , debati i detyroi nxënësit të përballen me opinionin e njeri- tjetrit, duke konfrontuar ide, nga ku hynë në lojë aftësi për të vlerësuar argumentin e tjetrit dhe për të replikuar pastaj. 

Mbi të gjitha të mposhtim frikën e të gabuarit. Me guxim identifikojmë gabimin, analizojmë, reflektojmë dhe gjejmë shtigje, mënyra të reja për ta zgjidhur. 


5. Faza finale


Nga një përfaqësues i secilit grup përmbledh mendimin kolektiv të grupit të tij. Së fundmi, unë si mësuese sintetizoj gjithçka ndodhi gjatë laboratorit, duke i dhënë së bashku me nxënësit përgjigje pyetjeve të shtruara fillimisht. 


6. Përfitimet e mendimit kritik në shkollë


  • Mendimi kritik e bën mësimin më pak pasiv dhe më shumë interaktiv.
  • Mendimi kritik i bën nxënësit aktiv dhe pjesëmarrës novator brenda orës së mësimit.
  • Arsyetimi sipas të menduarit kritik në zgjidhjet problemore rritin rezultatet akademike, nxënës me aftësi të tilla janë të pavarur nga shumica e klasës dhe orientohen lehtësisht.
  • Nëpërmjet të menduarit kritik nxënësit përfitojnë aftësi për reflektim, marrin vendime efektive, janë kreativë dhe bashkëpunues.


7. Çfarë synojmë të bëjmë për të inkurajuar zhvillimin e mendimit kritik te fëmijët e rrjedhimisht te të rinjtë?


Vetëm mendimi kritik mund të gjenerojë ndjenjat e “humbura” të përgjegjësisë, për të cilën flasim shpesh për të rinjtë sidomos nëpër shkolla.

Në realitet sot, diskutimet pedagogjike vlojnë rreth temës. Këto diskutime ofrojnë ide dhe nxitin fuqishëm ndryshimin. Megjithatë ka pengesa, ato i referohen modelit të transmetimit të njohurive. Ndërhyrja para së gjithash kërkon aftësi të gjera nga mësuesit së pari, por është një investim që vërtetë ia vlen të bëhet.


Forcimi i mendimit kritik mund të jetë e vetmja armë ndaj aspekteve negative të shoqërisë, dhe rruga që të çon aty kalon nëpërmjet  një revolucioni të vërtetë shkollor që shfrytëzon përveç të tjerash  edhe mundësitë që ofron TIK dhe gjuhët digjitale. 

Kështu, mendimi kritik nxit krijimin e hapësirave të reja, me dinamikë dhe fleksibilitet të të mësuarit. Ai kërkon një rilidhje mes njohurive të shkollës dhe përvojës jetësore, duke kapërcyer një hendek që po bëhet gjithnjë dhe më alarmant.  

Në këtë mënyrë forcimi i mendimit kritik në masë kthen fokusin tek kapitali njerëzor, duke e nënkuptuar atë si pasuri sociale dhe ekonomike për të ardhmen e vendit tonë. 




Nga Brunilda Xhemo

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

3,260 Lexime
2 vjet më parë