MATURA SHTETËRORE

Prometeu (Dy fragmente) – Eskili, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe

Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohen dy fragmente nga Prometeu– Eskili.

TEST 

Prometeu – Eskili


Fragment 1


PROMETEU

U lidhëm me dëshirën tonë. 

Po, me ndihmën time në humner’të thellë  

mbuloi përjetë Kronin plak 

me shokët e tij besnikë nat’ e zez’ e ferrit.

Ja ndihma  që i dhash’ e si shpërblim 

tani sundues’ i ri i perëndive 

krejt pa mëshirë po më torturon. 

Sepse nuk ka asnjë tiran në botë, 

që të mos vuaj’ nga sëmundj’ e tillë: 

të mos u zërë besë shokve kurrë. 

Tani dhe pyetjes suaj përse më dha

 këtë dënim mizor, po i përgjigjem 

pa fshehur gjë. Në fronin prindëror 

ai me të hipur, nisi në mes të hyjve 

të ndante pasuri, pushtet e ndere. 

Për njerëzit e vdekshëm krejt harroi.

 Ai donte t’i faronte, që një racë krejt 

tjetër të krijonte përmbi dhe. 

Asnjë nuk desh t’i mbronte ditëzinjtë. 

Guxova vetëm unë! Dhe shpëtuan! 

Nuk u përmbysën nga rrufet’ e Zeusit 

në ferr të zi! Prandaj po heq e vuaj 

sa po të ngjethet mishtë. Syt’ të dhembin,

 kur më shikon, dhe të durosh ndjen tmerr. 

Por dhembje nuk po ndjen asnjë për mua...


Fragment 2


PROMETEU

...se vodha zjarrin, fshehur në kallam. 

Dhe njerëzve ua dhash’ si dhuratë të çmuar 

q’u bë për ta mësues i arteve, 

i çdo mjeshtërie e mjet për të jetuar. 

………………………………………

si hije ëndrrash krejt të mjegulluara,

 të turbullta, të mjera zvarriteshin

 nga njeri brez, në tjetrin. 

Nuk dinin as shtëpi qerpiçi të ndërtonin,

 se punimin e drurit nuk e njihnin.

 Nëpër shpella nën dhè 

ku s’futej dielli kurrë dergjeshin si milingonat. 

Nuk i njihnin shenjat që stinët

i dallojnë në mes tyre

..............................................

Eh, të rinj në moshë

Të rinj e në pushtet, mos ju pandehni 

Se tërë jetën  e jetës pa trazime 

Do të banonit në pallat qiellor?

S’i pashë unë dy tiranët e tjerë

Se si u rrokullisën posht’nga froni?

Dhe shoh si do përmbyset dhe të tretin  



1. Në këtë tragjedi konflikti tragjik zhvillohet: 

a. midis njerëzve dhe hyjnive,

b. midis vetë hyjnive,

c. midis vetë njerëzve,

ç. apo të tria bashkë.


2. Për çfarë e ka ndihmuar Prometeu Zeusin?

a. për të ndihmuar njerëzit, 

b. për të ardhur në pushtet,

c. për të luftuar hyjnitë e tjera,

ç. për të ushtruar pushtetin ndaj njerëzve?


3. Pse është dënuar Prometeu?

a. se u vodhi zjarrin Perëndive për t’ua dhënë njerëzve;

b. se ka dalë kundër vullnetit, diktatit të tij; 

c. se nuk i tregon se kush do ta rrëzojë nga froni;

ç. ka frikë nga rebelimi i perëndive të tjera;

d. të gjitha së bashku.


4. Në fragmentin e fundit Prometeu pohon që:

a. njerëzit ishin të pazhvilluar,

b. ai është shpëtimtari i njerëzve,

c. zjarri është simbol i përparimit dhe i iluminizmit,

ç. të tria së bashku.


5. Në fjalinë : Ai donte t’i faronte, që një racë krejt tjetër të krijonte përmbi dhè, autori:

a. aludon krijimin e një bote të re;

b. aludon e dënon diktatin e tiranëve;

c. asnjëra nga të dyja.


6. Në cilin prej vargjeve Prometeu shfaqet hero i vetmuar:

a. guxova vetëm unë;

b. por dhembje nuk po ndjen asnjë për mua;

c. ja ndihma që i dhashë e si shpërblim...;

ç. prandaj po heq e vuaj  sa po më ngjëthet mishtë...


7. Ç’figurë të shprehjes përmbajnë vargjet: Po heq e vuaj sa po të ngjethet mishtë. Syt të dhembin kur më shikon, dhe të durosh ndjen tmerr?

a. Metonimi,

b. apostrofë,

c. hiperbolë,

ç. shkallëzim artistik. 


8. Eskili kalon në plan përgjithësues për të gjithë diktatorët. Cili nga vargjet e mëposhtme është  vargu që shpreh këtë ide?

a. Tani sundues i ri i perëndive/ krejt pa mëshirë po më torturon;

b. Nuk ka asnjë tiran në botë, / që të mos vuaj’ nga sëmundj’ e tillë;

c. Guxova vetëm unë! Dhe shpëtuan! /Nuk u përmbysën nga rrufet’ e Zeusit.


9. Figura  letrare në vargun nuk ka asnjë tiran në botë, / që të mos vuaj’ nga sëmundj’ e tillë  është: 

a. metaforë,

b. metonimi,

c. krahasim,

ç. hiperbolë.


10.   Funksioni i kësaj figure është: 

a. të nxisë përjetimin artistik;

b. të bëjë konkret një koncept abstrakt;

c. lexuesi të përfytyrojë imazhin;

ç. të gjitha së bashku.


11. Shpërblimi që mori Prometeu si rezultat i ndihmës që i dha Zeusit shprehet në vargjet:

a. dhe njerëzve ua dhash’ si dhuratë të çmuar; 

b. krejt pa mëshirë po më torturon;

c. të ndante pasuri, pushtet e ndere. 


12. Mjeti gjuhësor që shpreh fjalën kyç të këtij shpërblimi, është:

a. emër,

b. folje,

c. mbiemër,

ç. përemër. 

 

13. Në fragmentin 2, Prometeu flet për mënyrën si jetonin njerëzit. Vargjet që shprehin dy gjendje të njerëzimit janë? 

a. Nuk dinin as shtëpi qerpiçi të ndërtonin,/ se punimin e drurit nuk e njihnin;

b. si hije ëndrrash krejt të mjegulluara,/ të turbullta, të mjera zvarriteshin;

c. Nëpër shpella nën, dhè /ku s’futej dielli kurrë dergjeshin si milingonat; 

ç. të gjitha së bashku.  


14. Prometeu ishte parashikues i fatit. Cili nga vargjet e mëposhtme e shpreh këtë ide?

a. Po, me ndihmën time në humner’ të thellë mbuloi përjetë Kronin plak; 

b. Dhe njerëzve ua dhash’ si dhuratë të çmuar;

c. Dhe shoh si do përmbyset dhe të tretin.

  

15. Paracaktimi i fatit të qenieve njerëzore nga hyjnitë është pjesë e kulturës në Antikitetin grek. Në cilën prej veprave të përmendura më poshtë e keni hasur si koncept?

a. Hamleti, 

b. Iliada,

c. Fausti, 

ç. Komedia Hyjnore.


16. Çfarë e bën hero tragjik personazhin e Prometeut?

a. fundi i tij,

b. fati i paracaktuar, 

c. veprimi i tij,

ç. qëndresa e tij.


17. Cila është figura e cila u flijua në emër të drejtësisë njerëzore, së cilës  i paraprin Prometeu?

a. Muhamedi,

b. Krishti. 


18. Në vargun: Askush nuk desh t’i mbronte ditëzinjtë,  epiteti ditëzinj është ndërtuar me:

a. parashtesë,

b. përbërje,

c. parashtesë dhe prapashtesë,

ç. përngjitje.


19. Konflikti mes Prometeut dhe Zeusit ka kuptim filozofik dhe simbolizon:

a. arbitraritetin e pushtetit ndaj njeriut të dobët;

b. goditjen kundrejt errësirës, pushtetit dhe dhunës në të gjitha kohërat;

c. heroin e vetmuar që lufton në të mirë të njerëzimit; 

ç. të gjitha së bashku. 


20. Vepra Prometeu i përket tekstit:

a. poetik,

b. dramatik,

c. rrëfimtar.


21. Atmosfera në fragment është:

a. dramatike,

b. e çlirët,

c. e ngrirë, 

ç. optimiste. 


22. Cili tipar i tekstit dramatik është i dukshëm në fragment

a. ngjarja rrëfehet përmes dialogimit dhe veprimit të personazheve;

b. kemi prezencën e didaskalive; 

c. është i ndarë në skena e akte;

ç. mungon rrëfimi nga perspektiva e rrëfimtarit. 


23. Ky monologu i Prometeut karakterizohet tensioni dramatik, i cili vjen si rezultat i:

a. vuajtjes fizike;

b. zhgënjimit shpirtëror e guximit;  

c. mashtrimit; 

ç. përçmimit.



 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,346 Lexime
1 javë më parë