Provimi i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë - Strategji dhe këshilla thelbësore për maturantët

Ky shkrim nga Evans Drishti ofron orientime praktike për maturantët që do të japin provimin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë më 10 qershor 2025. Ai trajton strukturën e testit, mënyrat e leximit, analizës dhe interpretimit të teksteve letrare e joletrare dhe eseve.

Nga Evans Drishti  


Më 10 Qershor 2025 zhvillohet provimi i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë për maturantët e këtij viti. Tashmë në përmbyllje e gjejmë me vend të japim disa orientime praktike, në mënyrë që secili nga maturantët të arrijë në pritshmëritë e veta. 


Sikurse dihet, testi i maturës shtetërore ofron tri aspekte: 

a- Teskti joletrar 

b- Teksti letrar 

c- Ese 


Nisur nga kjo: 


1- 15 minutat e para është mirë të rezervohen vetëm për leximin e tekstit të dhënë. Pa kuptuar temën e tekstit dhe kontekstin që jepet të mos kalohet në zgjidhje të ushtrimeve, pasi do hasen vështirësi në të kuptuar. 

P.sh: Në testin provë është dhënë tema: “Ndiq ëndrrat”, që tregon se në thelb dhe fjala kyçe është “ëndrrat”. Nënkuptohet se në fokus janë ëndrrat dhe teksti është argumentues duke u dëshmuar të rinjve përse duhet t’i ndjekin ëndrrat. 


2- Tekstet kanë një hyrje, një zhvillim dhe një përfundim. Për rrjedhojë ka shumë rëndësi të kuptohet lloji i tekstit, nëse është “përshkrues”, ”argumentues”, “rrëfyes” apo “informues”. 

P.sh: Në testin provë, sikurse thamë më sipër, kemi të bëjmë me një tekst argumentues, ndërsa në tekstin e dytë, ku është dhënë poezia “Kashelashë për atdheun” e autorit Azem Shkreli, kemi të bëjmë me një tekst poetik. 


3- Fjalët kyçe janë orientimi më i duhur për ju. Por duhet kuptuar se fjalët kyçe s’janë vetëm fjalët e panjohura, por ato fjalë që ju ndihmojnë të zbërtheni kuptimin e tekstit. Ndaj mbani një laps me të cilin të shënjoni pikërisht këto fjalë dhe fraza kyçe, në mënyrë që ta keni më të lehtë zbërthimin e tekstit. 

P.sh: Teksti “Ndiq ëndrrat” nis me fjalinë: “Në jetë, ëndrrat janë më shumë se thjesht dëshira për të arritur diçka, ato janë fuqia që na shtyn përpara, ....” fjalët kyçe këtu janë: jetë, ëndrrat, dëshira, fuqia, shtyn përpara. 


4- Për “tekstin përshkrues” ka shumë rëndësi të zbërtheni detajet e objektit, personazhit apo mjedisit që përshkruhet. Nënvizoni të paktën mbiemrat, metaforat dhe krahasimet e përdorura. 

P.sh: Në tekstin me titull “Pëshpërima e tokës” dalë në Maturën 2018, fjalia “Në mbrëmje horizonti perëndimor, i veshur me ngjyrë të trëndafiltë, të artë dhe vjollcë me të tëra nuancat e vjollcës fillon dhe lëviz.” na jepen detaje të horizontit. 


5- Në rast se keni një “tekst argumentues”, zbuloni fillimisht “tezën” e dhënë në tekst, e më pas gjeni argumentet dhe kundra argumentet, që do ju ndihmojnë të zbërtheni temën në fjalë. 

P.sh: Në tekstin “Ndiq ëndrrat” teza është: “Në jetë, ëndrrat janë më shumë se thjesht dëshira për të arritur diçka.” 


6- Kur keni të bëni me një “tekst rrëfyes”, nënvizoni veprimet e ngjarjes që jepen në mënyrë që të përfshiheni menjëherë në subjektin e dhënë. 

P.sh: Në tekstin “Evgjeni Grande” të Balzakut (Matura 2011) kemi fjalinë “Evgjeninë e kishte regjur vetmia. Ajo ishte në gjendje t’i shikonte dhe t’i vështronte me sy të mprehtë ngjarjet rreth saj…” 


7- Në lidhje me “tekstin informues”, keni parasysh se tema që jepet do ofrojë të dhëna të shumta në: emra personazhesh, shifra, data, informacione studimesh të ndryshme etj. 

P.sh: Në tekstin “Gjuha shqipe dhe interneti” kemi fjalinë: “Vlen të përmendet qysh në fillim se vendimi i Kongresit të Manastirit (1908) për të përdorur alfabetin latin për shkrimin e shqipes ka pasur ndikim vizionar.” 


8- Ndani që në fillim elementet “objektive” nga “subjektive”. Kini parasysh! Kur thuhet objektiv tregohet për elemente konkrete me saktësi të duhur. Kur thuhet subjektiv nxirren në pah mendime dhe përshtypje të autorit në lidhje me temën e dhënë. 

P.sh: Në tekstin “Gjuha shqipe dhe interneti” kemi fjalinë objektive: “Ndonëse sot sistemi i kodimit UNICODE ka përparuar mjaft dhe mundëson shkrimin e mbi 65 000 karaktereve...”.


9- Në tekste jepen zakonisht fjalë apo fraza, të cilat nuk i hasni në të folurën e përditshme. Pikërisht ju kërkohet të gjeni kuptimin e tyre nëpërmjet alternativave që u ofrohen. Mos u ngutni! Kuptimi gjendet menjëherë mbi bazën e kontekstit të përdorur në fjalinë e dhënë apo në tekstin e plotë. 

P.sh: Në poezinë “Albatros” të Bodlerit jepet vargu “Ky sovran i kaltërsisë” dhe ju kërkohet të gjendet kuptimi i fjalës “sovran”.


10- Ju kërkohet të gjeni një kuptim të ngjashëm të një fjale, të një fraze apo të një shprehjeje proverbiale. Edhe në këtë rast, tregohuni të kujdesshëm të gjykoni kontekstin e fragmentit të dhënë. Pasi fjalët përdoren sipas konteksteve përkatëse. 

P.sh: Në poezinë “Albatros” ju kërkohet të gjeni se mizoria shfaqet përmes disa alternativave që u ofrohen. 


11- S’duhet harruar! Në aspektin gjuhësor ekzistojnë “Fjalët e ndryshueshme” dhe “Fjalët e pandryshueshme”, të cilat përbëjnë edhe thelbin e një fjalie në aspektin sintaksor. 


12- Kujtoni! Fjalët e ndryshueshme janë: emri, mbiemri, folja, përemri dhe numërori; të gjitha ndryshojnë formën e tyre në përdorime, pasi kanë gjini, numër, rasë, trajtë etj. 

P.sh: Në tekstin “Ndiq ëndrrat!” në frazën: “...kurrë nuk duhet të heqim dorë.” kuptojmë se kemi një folje, por që kryefjala nënkuptohet brenda foljes. 


13- Kujtoni! Fjalët e pandryshueshme janë: ndajfolja, parafjala, pjesëza, lidhëza dhe pasthirma. Të tilla quhen pasi nuk ndryshojnë formë të saj, pra nuk kanë gjini, numër, rasë, trajtë, vetë etj. 

Psh: Në tekstin ”Ndiq ëndrrat!” kemi fjalinë ”Suksesi është për ata që luftojnë dhe këmbëngulja është forca që i çon ata drejt arritjes...” kuptojmë se kemi pjesëz dhe lidhëz. 

 

14- Shumëkush ngatërrohet të kuptojë dhe të dallojë “fjalët e pandryshueshme”. Është shumë e thjeshtë: Arsyetoni! Ndajfolja ka të bëjë me një fjalë që lidhet me foljen, Parafjala lidhet direkt me emrin. Lidhëza nga vetë emërtimi kryen funksionin e lidhjes së dy fjalëve apo fy fjalive, ndërsa Pjesëza është gjymtyrë plotësuese e një fjale. 

Psh: Në fjalinë “Larg nga sytë dhe larg prej zemrës” kuptojmë se kemi parafjalët “nga” dhe “prej” që janë pranë emrave. 


15- Kujtoni se një fjali e thjeshtë ka vetëm një folje, ndërsa një fjali e përbërë ka dy ose më shumë folje. 

Psh: Në fjalinë “Ndiq ëndrrat!” kemi të bëjmë me një fjali të thjeshtë. 


16- Kujtoni! Keni fjali bashkërenditëse dhe fjali nënrenditëse. Janë me rëndësi, pasi si në tekstin letrar ashtu edhe në atë joletrar do ndesheni me patjetër me të tilla raste, ku ju kërkohet të bëni dallimin e një fjalie të thjeshtë nga një fjali e përbërë. 

P.sh: Në tekstin “Ndiq ëndrrat!” kemi fjalinë “Suksesi është për ata që luftojnë dhe këmbëngulja është forca që i çon ata drejt arritjes...” kemi të bëjmë me një fjali të përbërë bashkërenditëse, që ka bashkuar dy fjali të thjeshta. 


17- Kujtoni! Në gjuhë shqipe kemi 8 (tetë) kohë të foljes: 

Koha e tashme p.sh: Ndjek. 

Koha e shkuar: e pakryer (Ndiqja), e kryer e thjeshtë (Ndoqa), e kryer (Kam ndjekur), mëse e kryer (Kisha ndjekur), e kryer e tejshkuar (Pata ndjekur).

Koha e ardhme: e ardhme (Do të ndjek), e ardhme e përparme (Do të kem ndjekur).


18- Kujtoni! Paragrafët kanë lidhje logjike me njëri-tjetrin. Ju kërkohet të zbërtheni kuptimin e njërit prej paragrafëve apo të bëni edhe krahasime mes tyre. 


19- Kuptoni qartë çdo kërkesë, pasi ndodh shpesh që jepen përgjigje pa u qartësuar kërkesa, e për rrjedhojë përgjigjet e dhëna s’kanë lidhje me kërkesën. 

P.sh: Ju thuhet në kërkesë: “Cila nga fjalitë e mëposhtme shpreh më mirë tezën e këtij teksti? duhet kuptuar se kërkohet teoria qendrore që kërkohet të vërtetohet dhe jo mesazhi i pjesës. 


20- Do haseni në kërkesa me përdorime të foljeve të tilla si: 

Analizoni: domethënë, shpjegoni në hollësi. 

Klasifikoni: domethënë, ndajini në grupe. 

Argumentoni: domethënë, jepni dëshmi konkrete që të vërtetoni temën e dhënë. 

Përshkruani: domethënë, jepni detaje të shoqëruara me mbiemra, metafora, krahasime etj. 

Ilustroni: domethënë, jepni një shembull nga teksti. 

Përcaktoni: domethënë, tregoni cili është elementi i duhur. 


21- Krijoni lidhjen e menjëhershme mes “titullit” të pjesës në prozë apo poezi dhe fragmentit të dhënë. 

P.sh: Në poezinë “Kashelashë për atdheun” shihet qartë se poezia ka të bëjë me gjëegjëzat për të kuptuar dimensionin e atdheut. 


22- Kur të nisni të ideoni esenë, mos harroni të kuptoni “TEMËN” dhe ç’lloj teksti u është kërkuar të ndërtoni. Kushti i parë është që teksti të cilin përpiloni të mos dalë nga tema e dhënë. 

P.sh: Në testin provë të Maturës 2025 është dhënë një prezantim i shkurtër rreth temës, e më pas vetë tema: Shkruani një ese argumentuese me temë: “Bota që ëndërroni është ajo që duhet ta ndërtoni me duar dhe zemër.”, ku në fokus është ideja se njeriu jetën e tij duhet ta ndërtojë me duart e veta dhe me shpirt. 


23- Ofroni patjetër një ndodhi tuajën apo të dëgjuar, duke qenë se do jeni më konkret në këtë mënyrë. 


24- Shmanguni aspektit teorik të shpjegimeve, pasi janë të lodhshme dhe nuk ofrojnë asnjë qartësi. 


25- Rrini të qetë gjatë kohës së testit dhe mos krijoni panik të padëshirueshëm. 


26- Ka shumë rëndësi të menaxhoni sa më korrektësisht kohën e dhënë në dispozicion. 




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

918 Lexime
5 ditë më parë