Provimi i shtetit

Provimi i shtetit në mësuesi, publikohet programi i përbashkët

Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar programin e përbashkët për të gjitha nënprofesionet e provimit të shtetit në mësuesi, literaturën të cilën mësuesit duhet ta përvetësojnë përpara provimit.

Agjencia Kombëtare e Provimeve përcaktoi pak ditë më parë se do të jenë tre javët e para të muajit korrik ditët në të cilat do të zhvillohet provimi i shtetit në mësuesi. Teza e provimit është e ndarë në dy pjesë: atë pedagogjike e cila përbën 30% të pyetjeve dhe atë profesionale e cila përbën 70% të pyetjeve.

Testi ndahet në 6 komponentë: Kurrikula e arsimit parauniversitar, metoda e mësimdhënies dhe mendimi kritik, aftësitë ndërkurrikulare, vlerësimi i nxënësve, menaxhimi i klasës dhe psikologjia e zhvillimit.

Pjesa pedagogjike e tezës përfshin drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Drejtshkrimi i zanoreve, i bashkëtingëlloreve, i fjalëve të huaja dhe i emrave të përveçëm të huaj, çështje gramatikore dhe përdorimi i shkronjave të mëdha.

Programi i provimit të shtetit për pjesën profesionale do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij profesional sipas lëndës ku ai jep mësim.

AKP ka publikuar programin e përbashkët për të gjitha nënprofesionet e provimit të shtetit në mësuesi, literaturën të cilën mësuesit duhet ta përvetësojnë përpara provimit.

Në faqen e AKP ju mund të gjeni programet orientuese të provimit të shtetit për nënprofesionet: arte figurative, biologji, biologji-kimi, kimi, histori, gjeografi, gjeografi-histori-edukatë, matematikë, fizikë, matematikë-fizikë, gjuhë angleze, gjuhë frënge, muzikë, edukim fizik, informatikë, matematikë-informatikë, gjuhë shqipe dhe letërsi, shkenca sociale, gjuhë italiane, gjuhë gjermane, arsimi fillor, gjuhë letërsi dhe qytetërim grek.

4,076 Lexime
7 vjet më parë