Studimi

Pse FB, Instagram e Twitter disa i bën të ndihen keq?

Gjithkush mund të shfaqet perfekt, i realizuar, me fotot e lumtura familjare dhe imazhet e sukseseve profesionale…por sa të vërteta janë këto? Sa të vërteta janë këto postime e imazhe me të cilat krahasohemi çdo ditë? Pse ndjehemi më të vetmuar pasi “udhëtojmë” në to?

Çdo ditë, miliarda njerëz ndërveprojnë me mediat sociale. Edhe para se COVID-19 dhe vetë-izolimi të bëheshin praktika standarde jetese, mediat sociale kanë transformuar tashmë mënyrën se si ne bashkëveprojmë me të tjerët. Kontakti ballë për ballë njerëzor është zëvendësuar e tejkaluar nga ndërveprimet shoqërore në internet si mënyra kryesore e lidhjes e ndërveprimit të njerëzve.


Shohim njerëz të lumtur, të suksesshëm profesionalisht, të bukur, shohim mirëqenien e tyre… krahasojmë veten me ta dhe pakuptuar ndjehemi keq … pa menduar faktin sesa vërtetësi shprehin këto imazhe. Individët kanë tendenca që të prezantojnë në rrjetet sociale më të mirën e tyre, e deri në ekzagjerim e mashtrim… kjo për faktin se virtualiteti e mundëson, por edhe sepse çdo vlerë është kthyer drejt Imazhit.


Gjithkush mund të shfaqet perfekt, i realizuar, me fotot e lumtura familjare dhe imazhet e sukseseve profesionale…por sa të vërteta janë këto? 


Sa të vërteta janë këto postime e imazhe me të cilat krahasohemi çdo ditë? Pse ndjehemi më të vetmuar pasi “udhëtojmë” në to?


Një studim i publikuar së fundmi nga UBC Okanagan (Kanada, nëntor 2020) – vëren se disa individë largohen nga përdorimi i mediave sociale me një ndjenjë negative emocionale - për një larmi arsyesh të ndryshme. Studimi mbi përdorimin e tre platforma kryesore sociale - Facebook, Twitter dhe Instagram, u krye me qëllimin për të parë efektet e këtij përdorimi mbi mirëqenien e përgjithshme të një personi.


Një nga arsyet e të ndjerit keq, u gjet Krahasimi Shoqëror. Pjesëmarrësit në studimin e kryer thanë se sa më shumë që krahasonin veten me të tjerët gjatë përdorimit të mediave sociale, aq më pak të lumtur ndiheshin. Pamja e imazheve që portretizojnë pozitivisht të tjerët mund të bëjë që përdoruesit e mediave sociale të nënvlerësojnë faktin se sa të tjerët në të vërtetë përjetojnë emocione negative dhe i bën njerëzit të arrijnë në përfundimin se jeta e tyre “është blozë”.


Shikimi i postimeve dhe imazheve të njerëzve të tjerë me të cilët nuk bashkëveprojmë, jep krahasim me ndikim negativ, pa përfitimet që sjellin zakonisht kontaktet shoqërore, duke minuar mirëqenien dhe zvogëluar vetëvlerësimin. "Përdorimi pasiv, lëvizja nëpër postimet e të tjerëve përfshin pak ndërveprim reciprok duke  afruar mundësi të bollshme për krahasim lart".


Ky studim zbulon se njerëzit mund të përfitojnë nga mediat sociale, duke sugjeruar që njerëzit të shmangin lëvizjen pasive vetëm për të parë vazhdimisht postimet e të tjerëve, dhe të rezistojnë krahasimin e tyre me përdoruesit e tjerë të mediave sociale. Njerëzit t’i përdorin faqet e mediave sociale për të mundësuar ndërveprime të drejtpërdrejta dhe lidhje shoqërore - për shembull, duke biseduar, komentuar, duke ndarë mendime sinkronisht me miqtë virtualë e realë në internet e duke u përpjekur për të kaluar sa më shumë kohë personalisht me të tjerët.


Gjatë COVID-19, njerëzit natyrshëm ju drejtuan mediave sociale për të ulur ndjenjat e izolimit shoqëror. Megjithatë, studimet e mëparshme (të kryera para pandemisë) kanë treguar se megjithëse njerëzit përdorin më shumë media sociale kur janë të vetmuar, koha e kaluar në mediat sociale vetëm rrit ndjenjat e vetmisë. Sot, nevoja për të parë dhe dëgjuar miqtë dhe familjen vetëm përmes mediave sociale për shkak të COVID-19 mund të shërbejë si një kujtesë e mundësive të humbura për të kaluar kohë më shumë së bashku.


Duhet kuptuar se si përdorimi i mediave sociale ka potencialin për të formuar efektet në lumturinë tonë të përditshme… mos u krahasoni me askënd, shfrytëzojini mediat sociale për komunikim, promovim, njohje e padyshim si argëtim.



Nga Rudina Koromani, Psikologe Klinike




Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

284 Lexime
4 javë më parë