Raimonda Sino: Retrospektiva e padukshme e mësuesit në fillim pushimesh...
Në ditët e para të korrikut, kur zhurma e zileve shuhet dhe shkollat zbrazen, mësuesit nisin një tjetër proces, po aq të lodhshëm sa edhe fisnik, analizën e heshtur të një viti të tërë pune voluminoze dhe rimbushjen e shpirtit për sfidat e reja.
Nga Raimonda Sino
Në këto ditë të para të korrikut, shkollat tona marrin një pamje krejt tjetër. Korridoret që deri dje gumëzhinin nga zërat, hapat e shpejtuar dhe energjia e pashtershme e nxënësve, tashmë janë mbuluar nga një heshtje pothuajse mistike. Për dikë që e sheh këtë imazh nga jashtë, ky është thjesht fillimi i zakonshëm i "pushimeve të gjata" të mësuesve. Por për ne që e jetojmë këtë profesion me çdo qelizë, ky moment nuk është një ndërprerje e thjeshtë pune; është fillimi i një procesi të thellë, po aq të lodhshëm sa edhe fisnik , retrospektivës shpirtërore dhe profesionale të një viti të tërë.
Viti shkollor që lamë pas nuk ishte thjesht një periudhë me orë mësimore të realizuara dhe nota të hedhura në platformën SMIP. Për ne, ky vit ishte një maratonë e vërtetë emocionale, administrative dhe pedagogjike. Pas çdo klase të mbyllur fshihen netët e gjata të planifikimeve të detajuara, analizat e thella statistikorë ku çdo përqindje e grafik përfaqësonte një fëmijë, një përpjekje, një sukses apo një sfidë që duhej kaluar. Ishte një vit i mbushur me trajnime, seminare, workshop-e dhe dëshirë për t’u përditësuar me teknologjinë, por mbi të gjitha, ishte një vit i dedikuar mbështetjes shpirtërore e psikologjike të nxënësve tanë, veçanërisht gjatë periudhave të ngarkuara të vlerësimeve dhe provimeve kombëtare.
Prandaj, kur mbyllim derën e klasës për herë të fundit, ne nuk lëmë pas thjesht katër mure të zbrazëta. Ne marrim me vete në shtëpi portretet e tyre, dilemat tona nëse kemi bërë mjaftueshëm, dhe atë ndjenjën e lartë të përgjegjësisë që nuk shuhet kurrë me rënien e ziles së fundit.
Shpeshherë, puna më e madhe e mësuesit është ajo që mbetet e padukshme. Askush nuk e sheh jashtë mureve të shkollës kohën e shpenzuar për të hartuar një test të diferencuar, orët e tëra për të analizuar performancën, apo konsultat e gjata me kolegët e prindërit për të gjetur çelësin e duhur për një nxënës që ka ngecur pas. Kjo ngarkesë e madhe voluminoze, sa administrative aq edhe emocionale, merr kuptim vetëm kur shohim sytë e shndritshëm të fëmijëve tanë kur arrijnë synimet e tyre.
Ky vit na sprovoi të gjithëve me dinamikat e tij, me nevojën për të qenë jo vetëm arsimtarë, por edhe mentorë, menaxhues të mirë dhe udhëheqës të proceseve të cilësisë. Dhe ne ia dolëm ,secili në mënyrën e tij, në çdo cep të rajonit tonë, nga shkollat qendrore e deri te ato më të voglat e vartëset, ku çdo mësues punon me të njëjtin dinjitet dhe përkushtim për të mbajtur lart siparin e arsimit.
Të dashur kolegë, pushimet që po nisin nuk janë një privilegj, por një domosdoshmëri ekzistenciale për profesionin tonë. Një mësues i lodhur emocionalisht nuk mund të dhurojë frymëzim, ndaj këto javë të nxehta të verës janë koha e duhur për të rimbushur mendjen dhe shpirtin tonë. Le t'i lejojmë vetes të shkëputemi për pak kohë nga tabelat e vlerësimit, nga skedarët e ngarkuar dhe platformat digjitale, për t'u rikthyer në shtator me të njëjtin pasion, me më shumë energji. E kemi merituar çdo sekondë të kësaj qetësie.
Ju uroj të gjithëve pushime të mbara, të qeta dhe plot dritë! Ju faleminderit për çdo sakrificë të heshtur të këtij viti shkollor!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Ardi Stefa: A do të ishte më mirë një test i vetëm për Maturën Shtetërore?
Për mësuesit që dalin në pension, ja çfarë do ju mungojë më shumë