Reformat e arsimit suedez, përvoja që vlejnë për Shqipërinë

Shkrimi i Shpend Rrukiqi sjell nga Suedia përvoja mbi reformën e thellë në arsim, nga kurrikula te vlerësimi dhe rregullat shkollore, që synojnë përmirësim të qëndrueshëm. Këto praktika ofrojnë reflektime të vlefshme edhe për sistemin arsimor në Shqipëri dhe për vendin tonë në fokus të debatit arsimor.

Nga Shpend Rrukiqi 


Ne Suedi po zhvillohet një reformë e thellë në arsim - me kurrikulë të re dhe ndryshime në ligjin shkollor, të cilat pritet të fillojnë të zbatohen nga viti 2028. Këto ndryshime prekin shumë dimensione të sistemit arsimor: procesin e vlerësimit, mbështetjen individuale të nxënësve, rregullat dhe rendin shkollor, përgjegjësitë e secilit që punon në shkollë, si dhe rolin dhe ndikimin e prindërve.


Suedia ka pasur një kurrikulë të re edhe në vitin 2011, e cila u reformua më tej në vitin 2022. Megjithatë, përballja me zhvillimet e shpejta shoqërore, teknologjike dhe pedagogjike, si dhe nevoja që nxënësit të marrin ndihmën e duhur për të arritur një nivel të lartë të dijes, e mbajnë sistemin arsimor vazhdimisht në kërkim të përmirësimit dhe ndryshimit.


Një element i rëndësishëm i reformës janë testimet e standardizuara në disa nivele, të cilat do të shërbejnë si bazë për të identifikuar herët nevojat e nxënësve dhe për t’u ofruar mbështetjen e duhur në kohë. Po ashtu, parashihet një definim më i qartë i rregullave brenda shkollës, ku ndër të tjera përfshihet edhe ndalimi me ligj i përdorimit të telefonave mobil gjatë procesit mësimor.


Gjithashtu, synohet një sistem i ri vlerësimi me shkallëzim dhjetëshkallësh, si dhe një qasje më e strukturuar në llogaritjen e meritave të nxënësve. Në kuadër të këtij sistemi, nota e dobët apo nota jokaluese hiqet krejtësisht. 


Një qëllim tjetër me ndryshimet kurrkulare është edhe zvogëlimi i punës administrative, në mënyrë që fokusi të kthehet më shumë tek mësimdhënia dhe nxënia.


Këto ndryshime kërkojnë përgatitje të hershme, analizë të thelluar dhe një udhëheqje të qartë në çdo nivel të sistemit. Këto nuk janë vetëm reforma teknike, por transformime që ndikojnë drejtpërdrejt kulturën dhe funksionimin e shkollës.


Reformat në vende si Suedia janë procese të menduara mirë, të studiuara dhe të përpiluara nga ekspertë të fushës, e jo vetëm retorikë e përkohshme para zgjedhjeve.


Thjesht gjithçka fillon nga një përgatitje e mirë, udhëheqje e mirë e proceseve, dhe një implementimin i suksesshëm që krijon kushte për një çasje të përgjegjshme kolektive dhe një të zhvillim të qëndrueshëm.


Për mua si udhëheqës shkolle , këto dy javë kanë qenë intensive dhe shumë domethënëse - një kujtesë e qartë se udhëheqja në arsim nuk është vetëm menaxhim i proceseve, por mbi të gjitha përgjegjësi për të kuptuar ndryshimin, për ta udhëhequr atë dhe për ta kthyer në vlerë reale për shkollën dhe nxënësit.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

176 Lexime
4 orë më parë