Rezarta Kanushi: Barra e padukshme e mësuesit ndihmës në sistemin arsimor
Pas dokumenteve dhe fjalëve për gjithëpërfshirjen fshihet një realitet i vështirë: barra e madhe që mbajnë mësuesit ndihmës çdo ditë. Një dëshmi nga brenda sistemit për përkushtimin, mungesat dhe nevojën urgjente për më shumë mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta.
Nga Rezarta Kanushi, mësuese ndihmëse
Prej 8 vitesh punoj si mësuese ndihmëse dhe përvoja ime nuk është rast individual, është simptomë e një mangësie strukturore. Gjithëpërfshirja është sanksionuar në ligj e në dokumente kurrikulare, por zbatimi i saj i është lënë në dorë hallkës më pak të mbështetur: mësuesit ndihmës.
99% e mësuesve ndihmës zotërojnë dy mastera dhe dy licenca. Bëjnë një punë e cila nga jashtë duket thuajse asgjë, por që në të vërtetë mban në këmbë gjithëpërfshirjen çdo ditë, në çdo orë mësimi.
Por përtej statistikave dhe dokumenteve, ka diçka që nuk matet dot: çasti kur një nxënës, që prej muajsh lufton me shkronjat, lexon i vetëm fjalën e parë dhe të kërkon me sy për të ndarë gëzimin. Ai vështrim vlen më shumë se çdo mirënjohje zyrtare. Nxënësit e mi nuk janë “raste” dhe as “diagnoza”, janë fëmijë që qeshin, lodhen, përpiqen dhe fitojnë çdo ditë beteja të vogla, që për ta janë të mëdha.
Kemi PEI, kemi retorikë gjithëpërfshirjeje…, por nuk kemi tekste të diferencuara, as bankë kombëtare materialesh, as buxhet për mjete didaktike të përshtatura. Shkolla ndihmon me sa mundet, por mundësitë e saj janë të kufizuara. Kështu, çdo mësues ndihmës po "shpik rrotën" i vetëm, çdo vit, për çdo nxënës pa asnjë mekanizëm për të ndarë atë që funksionon.
Zgjidhja nuk është më shumë barrë mbi ne, por tekste të nivelizuara si pjesë e paketës zyrtare, një platformë digjitale me materiale të gatshme dhe kohë e njohur për bashkëpunim mes mësuesve ndihmës.
Gjatë punës sime disavjeçare kam arritur të hartoj disa fletore pune të përshtatura për nxënësit e mi, një kapital i vogël, i lindur nga NEVOJA. Dhe pikërisht kjo është prova: nëse një mësuese e vetme ka mundur të krijojë materiale që funksionojnë, imagjinoni çfarë do të arrihej nëse kjo detyrë do të merrej seriozisht aty ku i takon.
Çdo faqe e atyre fletoreve është shkruar duke pasur në mendje një emër, një fytyrë, një vështirësi konkrete dhe një buzëqeshje që e shpërblen çdo orë pune deri vonë në mbrëmje. E dua këtë profesion me gjithë lodhjen e tij, sepse çdo hap i vogël përpara i një nxënësi tim është fitorja më e bukur që mund të përjetojë një mësues.
Respekt për të gjithë mësuesit!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Raimonda Sino: Përse vendet më të zhvilluara po tregojnë kujdes me teknologjinë te fëmijët dhe pse çelësi mbetet te përgatitja e mësuesit?
Pse një javë pranë detit na ndryshon humorin? Shkenca shpjegon çfarë ndodh me trupin dhe trurin gjatë pushimeve
Nxënësja nga Gjilani, Onea Kurteshi, ndër më të mirat në garën ndërkombëtare “Neo Science” në New York